Vendimi i kapitenit kavajas: Ngjis Besën në Superiore dhe lë futbollin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2018 | 17:39

Vendimi i kapitenit kavajas: Ngjis Besën në Superiore dhe lë futbollin

Me përvojën fantastike, Meglid Mihani nuk njeh moshë. Ka festuar në ditën e parë të këtij muaji 35-vjetorin e ditëlindjes. Mihani në fushë e jashtë saj duhet thënë se ndjehet akoma si një “çunak”. Kapiteni vijon të besojë fort se ka shumë se çfarë të japë nga kontributet e tij për fanellën e rëndë të Besës. “Jam emocionuar që ky përvjetor jubilar tërhoqi aq shumë edhe vëmendjen e shokëve të skuadrës që më bënë një surprizë të veçantë. Torta e ditëlindjes sime mbante numrin e fanellës, 23.

besa

Ishte diçka vërtet speciale në një ditë po të tillë që patjetër e kam festuar këndshëm. Kjo atmosferë që ka lënë pas tashmë ditëlindja ime është shumë motivuese. Kam bindjen e palëkundur se do të sjellë efektet e saj për një start të mbarë në ndeshjen që do të luajmë në transfertë ndaj Pogradecit. E njoh mirë ekipin liqenor, pasi disa vite më parë kam luajtur aty. Kanë një skuadër që luan bukur teknikisht. Ajo që më kënaq më shumë është se do të luajmë karshi një skuadre dhe në një qytet ku dominon kultura dhe ‘Fair Play’. Ndeshja e parë është shumë e rëndësishme.

As që diskutohet se duke nisur nga kjo e diel do të luftojmë denjësisht për të kapur sa më shpejt kreun e grupit dhe për të synuar më tej deri në fund, ngjitjen e rikthimin e saj në Superiore. Nëse do të realizohet në fund të këtij sezoni të ri, që do të startojë të dielën ky objektiv, nga ekipi im i vendlindjes Besa, atëherë kjo do të jetë dhe ëndrra më e bukur e karrierës sime të luajtur, pasi dua t’i var me nder ‘këpucët në gozhdë'”, deklaroi në mbyllje kapiteni i verdhezinjve kavajas.

Ndërkaq, 240 ndeshje në Superiore dhe në Kategorinë e Parë numëron në karrierën e tij kapiteni i Besës, ndërsa ka shënuar edhe 28 gola. Mihani ka ndërruar shtatë ekipe në karrierën e tij, Atromitos në Greqi, Besa ku ka luajtur 7 sezone dhe eksperienca të shkurtra ka kaluar te Lushnja, Mamurrasi, Teuta, Pogradeci e Tomori. Feriz Ferizaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"