Vendimet e FSHB-së, sekretari Llazani: Vepruam si federatat analoge

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2020 | 20:15

Vendimet e FSHB-së, sekretari Llazani: Vepruam si federatat analoge

Javën e kaluar Federata Shqiptare e Basketbollit, siç dihet, zhvilloi mbledhjen e komitetit drejtues, ku u morën disa vendime të rëndësishme për sportin e koshit në vend. Pas një kohe të gjatë pezull FSHB dha verdiktet përfundimtare të sezonit 2019-2020 (i ndërprerë në mars prej pandemisë), duke i mbyllur kampionatet pa fitues dhe pa të rënë nga kategoria.

korab-llazani

Ndërsa te meshkujt, u vendos që Superliga dhe Kategoria e Parë do të kenë një kampionat të përbashkët në sezonin e ardhshëm, ku FSHB caktoi 15 nëntorin si datën e nisjes së edicionit të ri. Por këto të vendime të marra nga federata u kontestuan nga dy ekipet kryesuese, Teuta dhe Flamurtari. Në lidhje me zhvillimet e fundit në sportin e koshit, gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar me Korab Llazanin, sekretarin e përgjithshëm të FSHB-së. Llazani shpjegon vendimet e marra nga federata. Ai gjithashtu flet për pretendimet e dy skuadrave bregdetare, për edicionin e ri, kërkesat ndaj Ministrisë së Shëndetësisë si dhe asamblenë statutore.

Z. Llazani, vendimet e marra nga FSHB-ja nuk janë pritur mirë nga disa prej shoqatave…

Duke ju falënderuar për vëmendjen ndaj basketbollit, dua t’ju shpreh se vendimi i kryesisë së FSHB-së vjen pas një analize të gjatë dhe konsulence të vazhdueshme me shoqatat, federatat analoge, FIBA-n, autoritetet shëndetësore vendore, duke u kërkuar atyre opinionet për sa kishte mbërritur të realizohej deri në mbylljen totale. Shumë kampionate në Europë dhe në botë, me përjashtim të ndonjërit, janë mbyllur nga autoritetet shtetërore vendore, sipas udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të detyrueshme për të gjitha federatat sportive, ku garat mbetën të papërfunduara.

Dëshira ishte pothuajse e të gjithëve që gara të përfundonte në parket, madje ka pasur dy-tri shtete të zhvilluara që e kanë përfunduar garën ose janë në proces, edhe pas një ndërprerjeje të gjatë, në masa të rrepta kontrolli dhe sigurie. Bëhet fjalë për vende si Gjermania, Spanja apo Amerika (NBA në proces), të cilat kanë infrastrukturë supermoderne, financa të shëndosha, burime njerëzore dhe ekspertizë. Kjo që sapo sqarova është marrë si referencë dhe është analizuar në mënyre të detajuar nga kryesia, e cila doli me vendimin e datës 17 gusht, për të liruar ekipet nga detyrimet me lojtarët dhe për të filluar merkaton apo përgatitjet e sezonit të ardhshëm. Për këtë të fundit po luftojmë për të marrë një përgjigje sa më të shpejtë nga autoritetet që lejojnë këtë veprimtari.

Teuta për meshkuj dhe Flamurtari për femra kërkojnë dëmshpërblim financiar, për shkak se sezoni u mbyll pa fitues. Cili është qëndrimi i federatës lidhur me këtë kërkesë?

Investimet që shoqatat sportive bëjnë në vend dhe mbarë botën bëhen për një qëllim të caktuar lidhur me objektivat që ka secili klub dhe që lidhen ngushtë me mundësitë në burime njerëzore dhe financiare. Nga të qenit të papërgatitur për një situatë të tillë globale kurrsesi nuk mund të shmangej efekti negativ në financa dhe burime njerëzore, por ajo që bota cilësoi si prioritet, ishte shëndeti dhe siguria mbi të gjitha.

Në këtë përfundim nuk arritëm vetëm ne, por opinioni dhe ekspertiza në mbarë globin. Investimet që organizatat sportive bëjnë, janë të pavarura dhe jashtë ndikimit apo orientimit nga federata, por nga paraqitja e tyre dinjitoze për trofe.

Vendimi i marrë nuk është specifik për ndonjë skuadër të caktuar, por njësoj për të gjithë kontribuuesit në aktivitetin e FSHB-së, si ekipet e Superligës meshkuj, Kategorisë së Parë meshkuj, Kategorisë së Parë femra apo atyre pjesëmarrëse në kampionatet U18, U-16 për djem e vajza, deri në ndalimin e aktivitetit. Secila prej tyre ka konsumuar përpjekje dhe të ardhura sipas mundësive, duke i shërbyer paraqitjes serioze, pavarësisht nivelit të treguar, por jo më pak pretendente për titull, duke qenë pjesë e të gjithë garës.

A rrezikojmë të kemi një rënie niveli me bashkimin e dy kategorive te meshkujt?

Nuk është hera e parë që ne aplikojmë një formulë të tillë dhe kjo mënyrë nuk ka prodhuar pak garë, por ka nxitur forcimin e skuadrave më pak rivale me ato në nivel të lartë sportiv që kryesojnë renditjen për vite me radhë. Kjo formë organizimi do t’u japë mundësi të gjithë sportistëve të aktivizohen dhe të shprehin më të mirën e tyre. Veprimtari të tjera që pritet të zhvillohen përgjatë edicionit të ri, do të kenë ndikim në rritjen e cilësisë dhe rivalitetit.

Çfarë do të ndodhë me Teutën B, tashmë që do të kemi një kategori edhe te meshkujt?

Këto janë raste që përfshihen në rregulloren, e cila po përpunohet për edicionin e ri. Te kjo rregullore do të gjejnë veten të gjitha shoqatat pjesëmarrëse.

FSHB caktoi datën 15 nëntor për një rifillim të mundshëm të edicionit të ri. Pse zgjodhët pikërisht nëntorin?

Sepse nëntori është muaji në të cilin edhe FIBA ka parashikuar të rifillojë raundin e eliminatoreve me ekipet kombëtare, sipas rekomandimeve dhe përditësimeve që ata kanë direkt nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ky muaj gjithashtu është caktuar dhe shoqëruar me frazën “në varësi dhe në pritje të miratimit nga autoritetet përkatëse”, për t’u lënë kohë ekipeve të zhvillojnë merkatot e tyre dhe përgatitjen. Ne jemi duke monitoruar situatën.

FSHB vijon të kërkojë bashkëpunim me ministrinë për rikthimin në parket. Çfarë përgjigjeje keni marrë nga organet shtetërore në lidhje me kërkesën tuaj?

Ne e kemi të pashmangshëm bashkëpunimin me të gjitha strukturat e shtetit. Janë ato që duhet të japin miratimin për fillimin e aktiviteteve ose jo, datat dhe përcaktimin e kushteve dhe protokolleve. Deri në këtë moment nuk kemi asnjë përgjigje, përveçse një sinjali për ndjekje nga MASR për plotësimin e kërkesës sonë.

Neve na kërkohet me afat të përcaktuar nga FIBA kthimi i përgjigjeve të formularit të vlerësimit të situatës epidemiologjike në vend, gjë e cila bëhet nga ekspertiza dhe faktet mjekësore. Jemi me shpresë të një përgjigjeje të shpejtë, pasi dhe ne jemi në ngushtim të afatit ndaj ndërkombëtarëve dhe shoqatave.

Kur parashikohet që të mbahet asambleja statutore?

Sapo shoqatat anëtare të kenë rifreskuar dokumentacionin ligjor sipas kërkesave të ligjit, menjëherë do të njoftohet mbajtja e asamblesë statutore.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"