Vendim i papritur/ Nuk arriti objektivin, jep dorëheqjen trajneri i skuadrës së Kategorisë së Dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2022 | 14:38

Vendim i papritur/ Nuk arriti objektivin, jep dorëheqjen trajneri i skuadrës së Kategorisë së Dytë

Arlind Rustemi dorëhiqet nga Labëria. Pas dy sezonesh në krye të pankinës, trajneri vendos të largohet. Shkaku: nuk arriti objektivin. Këtë e konfirmon vetë për “Panorama Sport”, kur thotë:

arlind rustemi

“E kisha vendosur në fillim të sezonit. Nëse nuk realizoja ngjitjen në Kategorinë e Parë, nuk do të vazhdoja të isha pjesë e Labërisë.

Me gjithë respektin për ekipet që marrin pjesë, në këtë ligë nuk mund të japësh më të mirën dhe të tregosh vlerat apo aftësitë që mbart.

Realisht në aspektin e së ardhmes sime në fushën e trajningut nuk kisha çfarë të fitoja më.

Kontratën e mbyllëm me konsensusin e të gjitha palëve.

Patjetër që më vjen keq për gjithë organizimin dhe punën që kemi zhvilluar nga fillimi i krijimit të skuadrës së parë deri tek akademia”.

Tekniku thotë se Labëria u penalizua vetëm nga Flamurtari, ndërsa nuk ngurron që të zbulojë se është në kontakte me dy ekipe të Kategorisë së Parë.

“Kemi qenë të penalizuar disi duke pasur një rival shumë të fortë siç ishte Flamurtari që nuk i takonte të luante në Kategorinë e Dytë për vetë historinë dhe përbërjen e skuadrës që kishte në dispozicion. Luajtëm shanset tona.

Në ndeshjen e ‘play off’-it jemi eliminuar vetëm nga penalltitë, ndërsa e dominuam gjithë ndeshjen. Na ka munguar pak fati në realizimin e golit. E ardhmja? Për momentin jam duke i kushtuar kohë familjes.

Dëshira është të trajnoj në Kategorinë e Parë dhe jam në kontakte me dy klube, por duhet të presim zyrtarizimin e marrëveshjes”, përfundon Rustemi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"