Vendim i papritur, dorëhiqet administratori i klubit të Kategorisë së Parë: Largohem sepse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2021 | 14:38

Vendim i papritur, dorëhiqet administratori i klubit të Kategorisë së Parë: Largohem sepse…

Jep dorëheqjen Bajram Ballabani. Pas afro tri vitesh te Burreli, administratori heq dorë nga ky post. Vendimi është komunikuar dje para skuadrës, ku i pranishëm ka qenë edhe kryebashkiaku Agron Malaj.

bajram-ballabani

“Administratori po ikën për arsye personale nga drejtimi i këtij klubi dhe jo prej rezultateve, sepse ato nuk na mungojnë. E falënderoj për gjithë punën që ka bërë, pasi ka qenë shumë më shumë se një zyrtar klubi. Ka kontribuar edhe ekonomikisht.

Ai do të vazhdojë të jetë pjesë jona, pasi ka 40 vite që e ndjek kudo skuadrën dhe është një ndër tifozët më besnikë. Shumë shpejt do të zgjidhet pasardhësi, por momentalisht do të administrohet nga sektori i sporteve. Unë do të jem i pandashëm, do t’ju mbështes gjithnjë.

Sfida e radhës për ju është të dielën dhe jam i bindur që ju do ta fitoni”, ka thënë mes të tjerash presidenti. Ka folur edhe vetë Bajram Ballabani, tashmë me statusin e ish-administratorit: “Ju falënderoj për mirëkuptimin dhe që pranuat kërkesën time për dorëheqje dhe për bashkëpunimin që kemi pasur në këto tri vite.

Ne e dimë të gjithë se në çfarë gjendjeje e gjetëm ekipin, sa u takon kushteve. Rrezikonim rënien dhe ne bëmë maksimumin për të mos lejuar rënien në Kategorinë e Dytë. Nuk do të ndërpritet bashkëpunimi ynë këtu. Po lë detyrën si drejtues klubi, por do të vazhdoj ta ndjek ekipin hap pas hapi. Do ta mbështes me sa mundësi do të kem, madje edhe nga ana financiare.

Dua të falënderoj trajnerin Saimir Patushi, që ka afruar lojtarë të rinj duke e bërë ndër ekipet me moshën më të re në këtë kampionat Burrelin. Pavarësisht rezultateve të luhatshme këtë sezon, një pjesë e të cilave janë ndikuar nga fati, me bashkëpunim më të mirë dhe me pak fat, do të ishim në krye të grupit aktualisht.

Duke bërë stërvitje, çdo gjë mund të arrihet. Kam shpresë dhe besimin e madh te ju dhe bashkë do e çoni ekipin në Superiore. Uroj me gjithë zemër që me një kampion si Saimir Patushi, të arrihet ky mision. Po largohem me kokën lart”.

DRITAN KURTI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"