Vëllezër, binjakë dhe motra në një ekip, kur sporti është çështje… familjare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2021 | 18:54

Vëllezër, binjakë dhe motra në një ekip, kur sporti është çështje… familjare

NGA UVIL ZAJMI

Uvil_Zajmi

Një histori kjo e njohur në botën sportive, kur në një skuadër, në të njëjtën kohë, me të njëjtën fanellë, janë aktivizuar e kanë luajtur sportistë të një mbiemri shpesh të përcaktuar edhe me numrat romakë I, II, III, IV etj. Në rang ndërkombëtar kanë qenë bashkëtitullarë me një klub ose në kombëtare vëllezërit britanikë Xheki e Bobi Çarlton, ata holandezë De Bur ose V. e R. de Kerkof. Po në Shqipëri? Sigurisht vëllezër, motra, binjakë, deri nënë e vajzë në një skuadër: Nga Jarecët, Gjikët, Memat, Qypi, Ballgjinët, Kokalarët, Arbrit, Duro, Kërçiçët, deri te binjakët Bogdani. Në lojërat me Dorë, vëllezërit Fagu, Isaku, motrat Dreni, Xhyra, Semanjaku, Alibegajt, Gjermeni, deri te Sinoimieri, nënë e bijë në një pesëshe.

SKËNDER E NAMIK JARECI, TE DINAMOJA FILLIM E FUND

Jareci, vëllezër dhe bashkëlojtarë te Dinamoja e 1960-ës. Skënder Jareci vëllai i madh, sulmues, shënues, fantazist, lider, me të cilin lidhet historia e klubit, nga krijimi dhe filozofia që ai ideoi te blutë. Një ikonë e Dinamos dhe e Kombëtares. Namiku mesfushor, lojtar i fortë, energjik. Bashkë Jarecët I dhe II janë në finalen e ‘61-shit ndaj Partizanit. Dinamovitë të pandarë edhe më pas: Skënderi trajner e Namiku lojtar.

242227135_1048620649218342_5094105146643992492_n (1)

OSMAN DHE ALI MEMA, NË VITET E SHKËLQIMIT 17-NËNTORAS

I ka bashkuar 17 Nëntori spektakolar i viteve‘65-‘70, kur vëllezërit Mema janë në skuadër: Osmani më i madh, mesfushormbrojtës, i fortë fizikisht. Ndryshe Aliu, mesfushor-sulmues, lojtar teknik, i gjithanshëm, shpirti i skuadrës deri në minutën e fundit. Vendimtar në shumë takime. Edhe portier, si në finalen e Kupës së Shqipërisë, ndaj Besës në 1963, kur priti tri penallti duke i dhënë trofeun 17 Nëntorit. Kuqezi në 14 sfida.

MEMA

MIKEL DHE AGIM, JANKU NGA PORTA NË SULM

Mikeli me profesion pilot, më pas një karrierë e shkëlqyer si portier me Partizanin dhe në 9 sfida me Kombëtaren. Ndërsa, Agimi ka tjetër profil: sulmues nga më të shquarit, i shpejtë, driblues, gjithmonë në krahun e majtë. Mikeli dhe Agimi janë bashkë në edicionet 1967, 1968, edhe në Torino në 1968. Pas tyre Vladimiri, Janku III, sulmues te Partizani, por asnjëherë të tre në fushë.

JANKU

MIHAL DHE BINJAKËT DHIMITËR E PETRIT GJIKA

Një rast unik kur tre vëllezër luajnë njëkohësisht. I takon Labinotit të viteve ’70, Mihal, Dhimitër e Petrit Gjika, madje dy të fundit janë binjakë. Të tre me start nga të rinjtë, pastaj të ndarë: Mihali mbrojtës i djathtë, protagonist i Partizanit (1967-1970), i Labinotit dhe 11 herë me Kombëtaren. Energjik, i palodhur, fizikisht i fortë. Dhimitri, “Mita”, stoper i kudondodhur, lojtar i fortë. Petriti, binjaku, edhe ky mbrojtës. Pas dy vitesh me Lokomotivën, në 1971 rikthehen në Elbasan dhe të tre Gjikët do të jenë bashkë te kjo skuadër deri në 1975, fitues të Kupës së Shqipërisë.

242223429_3018222748460588_1925639208217718083_n (1)

SHYQYRI DHE HAXHI BALLGJINI, “LOKOMOTIVA” DURRSAKE

Dy karriera të mëdha, dy simbole për klubet e Kombëtaren. I pari, Sh. Ballgjini vjen në Tiranë, shkëlqen me Dinamon 1974-1980, kampion, sulmues krahu, i pandalshëm. Në 1980 kthehet në Durrës. Ballgjini II, Haxhiu, mesfushor, i palodhur, afirmohet me Partizanin në dy sezonet që luajti. Shpirti i skuadrës, 90 minuta duke vrapuar sulm e mbrojtje. Titullar me Kombëtaren në 14 sfida. Më 2 shtator në Helsinki ‘81, Finlandë-Shqipëri 2-1, të dy Ballgjinët janë në formacionin kuqezi. Në 1983 bashkohen e luajnë me Lokomotivën, një karrierë e nisur me të rinjtë dhe e përfunduar me të rriturit e këtij klubi.

BALLGJINI

NGA BISHTAJA TE BAJAZITI, ËSHTË BESA NË MES

Nga Gjocët, Esat dhe Selim, te Mërhorët Alush, Sadik e Ramazan, pastaj Karriqët, Ali e Muharrem, për të vijuar te Pagria, Bujar e Kujtim, me ta edhe vëllezërit Bajaziti, Xhemil e Dashnor. Të dy sulmues, ndonëse Dashi lojtar më universal. Xhemili me Besën historike të Bet Vilës, bashkë do t’i gjejmë në 1977, kur Bajaziti II vjen nga Shkëndija dhe te Besa takon vëllain Xhemil me mbiemrin Bishtaja. Dashi, goleador i shquar ndër më të dalluarit e asaj periudhe, titullar në 5 takime kuqezi. Shpirti, emblema e Besës në ato vite.

AGIM DHE ARBEN FAGU QË I AFRON BASKETBOLLI

Bëhet fjalë për një mbiemër, familje të njohur sportive me traditë futbollin, por do të ishte basketbolli që do t’i jepte famën. Agim Fagu lojtari simbol, sportisti ndër figurat më të mëdha të sportit kombëtar. I jashtëzakonshëm, një histori, karrierë analoge vështirë të gjesh. Kampion, kapiten titullar me Partizanin, përfaqësuesen, shënuesi më i famshëm shqiptar. Arben Fagu (1956-2020) edhe ky basketbollist, madje në sezonin 1974-1975 janë te Partizani, një bashkësi që do të vijojë deri në 1977, kur legjenda Agim Fagu do të mbyllte karrierën.

FAGU

MOTRAT DRENI TË DINAMOS SË TARTARIT

Donika (1945-2019) dhe Mira Dreni, një jetë sportive e kaluar me volejbollin. Fillimisht si lojtare me të rejat e H. Dajakës. Më pas, në krijimin e Dinamos së madhe të K. Tartarit, ku edhe u shquan, u afirmuan dhe mbyllën karrierën. Donika, mësuese fizike, me nr.7 dhe Mira stomatologe me nr.10. Nga 1973-1977- 1978 janë bashkë në fushë. Për shumë vite Donika edhe kapitene. Ishte ajo e para që e nisi dhe e para nga dy motrat që u nda me volejbollin.

DRENI

XHYRAT, NJË HISTORI E RRALLË

Me to është e lidhur një pjesë e rëndësishme e basketbollit elbasanas, e atij kombëtar. Të paharruara, një histori e rrallë, protagoniste me Labinotin në takimet e mëdha të kohës kur luhej në terrene të hapura. E para, Liljana, lojtare në qendër, titullare edhe me Kombëtaren në turnetë në Kinë, si edhe në Europianin e zhvilluar në Gjermani. Fatbardha, anësore, e saktë në mbrojtje e sulm. Të dyja bashkë në disa kampionate të mesviteve ‘70-‘80, me trajner Sh. Hyskja. Ende sot i ndjek fama, respekti që kanë trashëguar.

VËLLEZËRIT QYPI I BASHKON

24 MAJI Janë tre, Agim, Durim dhe Naim Qypi, jo më shumë se 1.69 m të gjatë. Të tre me 24 Majin e Përmetit. Agimi qendërsulmues, Durimi (i ndarë tragjikisht nga jeta me 1993), edhe ky sulmues, por i djathtë. Sezonet 1973-1976, Qypi I dhe II janë bashkë në skuadër. Në 1976 largohet Agimi, vjen Naimi mbrojtës i djathtë dhe me Durimin janë deri në 1983. Bashkë edhe kur 24 Maji në 1981-1982 ngjitet në Kategorinë e Parë. Ndër tre vëllezërit, Durimi ishte ai që shkëlqeu, sidomos gjatë dy sezoneve kur luajti në Gjirokastër. Është autor i golit spektakolar të Luftëtarit nënkampion atë sezon ndaj 17 Nëntorit.

LEJLA DHE LULZIME, DUKAT E SHQUARA TË RRJETËS

Për herë të parë motrat Duka të volejbollit u shfaqën bashkë në sezonin 1976-1977 te Partizani me trajner S. Shtëpanin. Lejla, më e madhe, titullare, ndërsa më e re Lulzimja. Pastaj ndarja: Lejla qëndron te Partizani, ndërsa Duka tjetër kalon te Dinamoja ku nis karrierën e shkëlqyer me grupin dinamovit të vajzave, kampione e parivalë në Shqipëri e të bujshme në Europë. Shutere e jashtëzakonshme. Një dekadë blu, për t’u ribashkuar me Lejlën te Partizani në 1990.

VËLLEZËRIT ÇURI, NJË FANELLË MBROJTJE-SULM

Vlonjatë, vëllezër thuajse të një moshe, Spiro e Leonidha Çuri. I pari sulmues, lojtar i fortë, shënues, i rrezikshëm te Flamurtari e më pas te Luftëtari. Ndryshe “Loni”, një karrierë e nisur te Shkëndija ku edhe dallohet si mbrojtës i majtë. I saktë, i pagabueshëm, i garantuar në atë rol. Ka qenë viti 1973, kur Flamurtari do të bashkojë të dy Çurët. “Kuqezinj vlonjatë” do të jenë deri në fund të karrierës. Spiro i madh edhe një herë titullar me Kombëtaren.

ISAKËT, SHTATLARTËT E KOSHIT LABINOTAS

Albert dhe Alfred janë dy Isakët e njohur, të lojërave me dorë, protagonistë të Labinotit të Elbasanit në basketbollin e meshkujve. Të dy shtatlartë, spikasin dhe shpejt do të evidentohen si talente, por edhe si vëllezër në pesëshen “e verdhë” me trajner S. Qorrin në një periudhë disavjeçare 1978-1985. Lojtarë qendre, Isaku I, Alberti, është aktivizuar edhe në disa takime me Kombëtaren. Kanë qenë simbol i një klubi, tifozërie, dy Isakët kështu njihen e kujtohen edhe sot.

KUR FUTBOLLI KORÇAR FLISTE ME GJUHËN E KËRÇIÇVE

Milutin dhe Vinçenc, vëllezërit Kërçiç të veçantë për klubin Skënderbeu, tifozërinë, Korçën, kampionatet. Milutini (1958-2021), një talent, mesfushor me tipare sulmuese, i shpejtë, shënues me të dyja këmbët, i dalluar edhe në lojën në ajër. Me një përgatitje të gjithanshme tekniko-fizike, një ikonë e futbollit korçar. Vetëm një herë kuqezi. Vinçenci, i aktivizuar më pak, por një mesfushor i saktë, i ngadaltë, që punonte bukur me topin. Pas 1976-ës e për disa kampionate në vijim, vëllezërit Kërçiç i bashkon fanella e Skënderbeut.

KRUTJA E MOTRAVE GJERMENI DHE QOSE

Nga Gjermenët vetëm motrat Katerina dhe Adelina të viteve ‘80 janë titullare së bashku në gjashtëshen legjendare të Krutjes së volejbollit të Ll. Llupos. Të dyja shutere, protagoniste në rezultatet e skuadrës, konkurruese në atë periudhë me Dinamon e Skënderbeun. Pastaj Qoset: Vjollca – nëna volejbolliste dhe vajzat e saj, Genta dhe Alba. Në një sezon, atë 2000, janë të tria bashkë në fushë. Pas viteve 2000, dy motrat do të vijojnë të luajnë të pandara.

ROBERT E ARBEN KOKALARI, SI NJË MAL TE TOMORI

Robert Kokalari, qendërmbrojtës, shtatlartë, i sigurt, një garanci e madhe për mbrojtjen e Tomorit. I saktë në lojën në ajër ku edhe dallohej. Shtyllë e fortë e skuadrës. Vëllai, Arbeni, pak më i vogël, por edhe ky protagonist. Mesfushor, lojtar inteligjent, i qetë, me rendiment të lartë. I ka bashkuar Tomori i lavdishëm i dhjetëvjeçarit 1980-1990, mbeten simbol i futbollit beratas edhe sot.

KOKALARI

THEODHORI E ARBEN ARBËRI, SIMBOLI I NJË QYTETI

Idhull për qytetin dhe tifozërinë. Th. Arbëri, mesfushor-sulmues, shtatlartë, me përdorim të mirë të topit, lojtar i fortë, i qartë në veprime dhe shënues. Vëllai, “Beni Fluturues” kështu është njohur, për kërcimin e lartë, i shpejtë, golashënues. Me Kovaçin e Milen, janë një nga treshet e mëdha të futbollit beratas të trajnerit legjendar G. Mukli. Dy herë shënuesi më i mirë kampionatit. Bashkë, të dy Arbërit janë titullarë në disa edicione të periudhës 1980-1990.

FARUKU, ÇFARË KOMBINIMI!

Faruku, një mbiemër i njohur e me kontribut për klubin, qytetin, tifozërinë matjane: tre vëllezër, Daliu, Xhelali, Kastrioti, të gjithë futbollistë protagonistë me 31 Korrikun, madje në një ndeshje, në vitin 1998, finale në “Qemal Stafa”, Burreli-Memaliaj 1-0 (gol Patushi), që i siguron Kategorinë e Parë. Në fushë janë të tre: Daliu si trajner-lojtar luan vetëm 12 minutat e fundit, në krah të Xhelalit dhe Kastriotit, titullarë në formacion.

MOTRAT ALIBEGAJ, EDRA “DORA E ARTË” E SHPORTËS SË VAJZAVE

Edra dhe Mirza, një mbiemër në n jë skuadër: Edra 14 herë kampione, titullare, kapitene e 17 Nëntorit, Kombëtares, virtuoze, shënuesja më e mirë e të gjithë kohërave. Është cilësuar si “Dora e Artë” e basketbollit të vajzave. Mirza, më e vogël, por një pasuese e denjë e motrës, e shpejtë, e palodhur, shpirti i skuadrës, 7 herë kampione. Të dyja bashkë nga 1985-1990 me 17 Nëntorin e K.Kasmit. Bashkë edhe te Luftëtari, kampione 2001-2002 e trajnerit S. Kuvarati. Në mjaft sfida bashkë edhe kuqezi.

DALIPI, NJË MBIEMËR, NJË BLUZË, NJË SKUADËR

Janë Kujtim, Sabri, Daniel, Klevis dhe Endri. Dy të parët shumë pak bashkë: Kujtimi me nr. 9, mesfushori i shquar i Labinotit të mesviteve 1970-1980 dhe Sabriu që pas Shkëndijës, në 1977-1978 bashkohet më vëllain e në tri sezone janë te Labinoti. Dy Dalipët e tjerë, Klevis dhe Endri, djemtë e Kujtimit, bashkë në një skuadër, do t’i gjejmë deri në fillimvitet 2000 te Elbasani, nënkampion dhe kampion në 2005.

MOTRAT SEMANJAKU TEK APOLONIA E KOSHIT

Jo vetëm Xhyrat, por edhe motrat Semanjaku janë protagoniste të shkrimit tonë. Kaliopi në vitet 1975 kampione me Apoloninë. Por ato që do të jenë bashkë në fushë janë Alketa dhe Aleksandra, nën një fanellë e në të njëjtën kohë. Madje, duke lënë gjurmë në basketbollin jo vetëm fierak, por edhe atë kombëtar. Mjafton të kujtosh mbiemrin Semanjaku, e kupton edhe sot se bëhet fjalë për motrat e koshit, protagoniste së bashku në vitet 2000 te ky klub.

BINJAKËT BOGDANI, MË I FAMSHËM ERJONI I SERISË A

Erjon dhe Adi Bogdani, binjakë të vitlindjes 1977. I pari shumë i njohur, sulmues, lojtar i Kombëtares, ndër shënuesit legjendarë të saj. Binjaku Adi, portier, një karrierë modeste, jo e bujshme si e vëllait. Startin e kanë te Partizani i Starovës në sezonit 1994-1998, kur kalojnë te Dinamoja. Vetëm një sezon bashkë blu, pastaj ndarja: Bogdani protagonist edhe në Serinë A, ndërsa Adi vetëm disa vite pas largimit të binjakut, shkëputet nga futbolli.

BOGDANI

BYLYKBASHËT E ELBASANIT

Gentian dhe Dorian Bylykbashi, vëllezër. Të dy bashkë te kjo skuadër figurojnë në fund të shekullit të kaluar. Genti mesfushor shkatërrues, ndërsa Dori mesfushor sulmues, shumë i talentuar. Përdorues i mirë i topit, titullar i padiskutueshëm ku luajti. Elbasani një klub i rrallë, mjafton t’u referohesh disa sezoneve të fundviteve ‘90, kur do të konstatosh se në formacion te kjo skuadër në një kohë janë dy çifte të famshme vëllezërish: Duro dhe Bylykbashi.

KLODIAN DHE ALBERT, DUROT “E VERDHË”

Klodian dhe Albert Duro, vetëm 365 ditë kanë ndryshim si moshë. Për disa vite bashkë te Elbasani i fundviteve ‘90. Klodi, i madhi ose Duro I, sulmues ndër më të shquarit, lojtar taktik, gjeometër në fushë, tek Elbasani, Vllaznia, Tirana, në përfaqësuese, 73 herë titullar. Alberti, mbrojtës, lojtar simpatik edhe ky një talent për nga stili, aktiv, i dalluar në këtë repart. Në 8 takime me përfaqësuesen, por asnjëherë bashkë.

MOTRAT PRENGA, TRE A-TË E VOLEJBOLLIT TË VAJZAVE

Amarilda, Arjola dhe Adelajda. E para Amarilda, 18 vjeçe, është titullare me Dinamon, duke marrë e trashëguar fanellën e Tases, atë me nr.1. Shutere, një talent i vërtetë, kapitene edhe e Kombëtares. Sezoni 2001-2002 te Dinamoja, me të është edhe motra, Arjola. Edhe kjo shutere. Bashkë te blutë deri në 2004, për t’u ndarë e ribashkuar sërish tek UMB vite më vonë. Bashkë edhe në Kombëtare.

SINOIMERI, KUR NËNA E VAJZA JANË NË NJË PESËSHE

Te Luftëtari i basketbollit të vajzave të trajnerit Kuvarati, në një skuadër, nën një ngjyrë me një mbiemër, jo motra e as binjake, por nëna dhe vajza. Ato figurojnë bashkë në pesëshen e një klubi, një skuadre. Zana 42-vjeçare dhe Marinela 16-vjeçare për tri vite 1999-2000-2001-2002 nëna dhe vajza do të luajnë me fanella gjirokastrite. I bashkon pasioni, tradita.

GEZDARI

TË TJERË VËLLEZËR, MOTRA ME NJË SKUADËR, NËN NJË FANELLË

Janë disa: Nga binjakët, të mirënjohurit Luan e Skifter Këlliçi, kampion në atletikë me SK Tiranën në vitet 1956: arkitekti në shtizë, telekronisti, publicisti në trehapësh. Vëllezërit Shehu, Fehmi e Fatos durrsakët e Lokomotivës në basket ‘64-‘65; te Traktori i viteve ’60, Hajdar dhe Agim Sherifi dhe tek ai i viteve ’70, vëllezërit Gazheli, Jasin e Çlirim. Dashamir e Edmond Gëzdari i gjejmë te 17 Nëntori i viteve ‘74-‘75. I pari portier, i dyti goleador. Pastaj ndarja: Dashi te Traktori, ndërsa Mondi te Shkëndija. Vëllezërit Manushi të Lokomotivës, motrat basketbolliste Çala, Violeta dhe Mirela të Flamurtarit të P. Stefës. Në Kuçovë, janë Paskal e Mihallaq Gaqo, të dy mbrojtës të Naftëtarit në vitet ‘73-‘76. Te Tomori spikasin vëllezërit Zinxhiria, Demokrat dhe Ismail. I pari mbrojtës i djathtë, i dyti sulmues. Kanë luajtur te Tomori i Kokalarit dhe Arbërit, madje tri çifte vëllezërish në të njëjtën kohë te një skuadër. Vëllezërit korçarë të gjimnastikës, Meta, ata të basketbollit, të shquarit vëllezërit të familjes Kuqo, Robert e Artan, bashkë te Partizani në mesvitet ‘80- ‘90. Për të vijuar me shahun, motrat Lindita e Vega Paja të Lokomotivës, ato Vuji, Marina dhe Albana të Vllaznisë, Shabanaj, Eglantina, Alda të Bylis-Partizan-Korabi si dhe Caushaj, Solina e Felisa të Partizanit, bashkë në një kohë, në një edicion me të njëjtin klub. Pa harruar Maganët, Endrien dhe Artur te Shkumbini pak vite më parë dhe tek Egnatia sot, me trajner babain e tyre, të mirënjohurin Gugash Magani.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"