Veliu: Objektivi i Flamurtarit do të jetë ndeshja e radhës, për shiritin e kapitenit kam kundër dy-tre tifozë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2017 | 19:26

Veliu: Objektivi i Flamurtarit do të jetë ndeshja e radhës, për shiritin e kapitenit kam kundër dy-tre tifozë

Flamurtari po zhvillon fazën përgatitore në Mavrorë, ndërkohë që ka fituar edhe ndeshjen e parë miqësore ndaj Makedonijas. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Franc Veliu, ka folur për objektivat dhe gjendjen e skuadrës gjatë seancave stërvitore. Ai gjithashtu ka komentuar zërat që e shohin kapiten të ekipit në sezonin e ri si dhe kundërshtitë që kanë shfaqur disa prej tifozëve për këtë gradim.

Veliu

Franc, mund të na thoni diçka më shumë për fazën përgatitore që po zhvillohet në Maqedoni?

Faza përgatitore po ecën shumë mirë dhe po stërvitemi maksimalisht me ngarkesa të plota. Po bëjmë një punë të mirë dhe kemi ende kohë për t’u përgatitur si duhet. Jemi në ditët e para dhe të gjithë po bëjnë punën e tyre. Grupi është i bashkuar, po ambientohemi me njëri-tjetrin dhe po stërvitemi intensivisht. Kushtet këtu janë shumë të mira dhe kjo na e lehtëson edhe më shumë punën.

Keni luajtur edhe ndeshjen e parë miqësore. Si do ta vlerësoni paraqitjen e Flamurtarit?

Ndeshja e parë testuese ishte pozitive. Ekipi luajti mirë dhe bëri detyrën siç duhet. Edhe pse fituam, pak rëndësi ka rezultati në një ndeshje miqësore. E rëndësishme është paraqitja e ekipit dhe harmonizimi i reparteve.

Drejtuesit kanë bërë shumë lëvizje në merkato. Keni një koment?

Ekipi ka në përbërje elementë cilësorë dhe besoj se është bërë një merkato e mirë. Kemi një grup të shkëlqyer djemsh për të cilët unë kam besim se do të shkojmë larg.

Cilat do të jenë objektivat e Flamurtarit në sezonin e ardhshëm?

Objektivi është vlerësimi maksimal i çdo ndeshje të radhës. Detyrimisht ka ardhur edhe koha që Flamurtarin ta shohim në Kupat e Europës.

Po përfliteni gjithmonë e më shumë si kapiteni i ri i ekipit. Çfarë ndjesie keni?

Më vjen mirë që flitet emri im si kapiten i Flamurtarit. Ai shirit është përgjegjësi e madhe.

Megjithatë tifozët ju kanë dalë kundër…

Për reagimet e ndonjë tifozi nuk kam koment. Është normale të ketë edhe kundërshtim nga dy-tre tifozë. Gjithsesi unë jam i fokusuar dhe i përqendruar më tepër në stërvitje dhe në ndeshje, sesa të merrem me çështjen e shiritit.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"