Vecaj: Teuta luan për fitore, nuk festoj po i shënova Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2019 | 18:53

Vecaj: Teuta luan për fitore, nuk festoj po i shënova Vllaznisë

Ka luajtur që në fëmijëri te Vllaznia dhe kontributi i tij nuk do të harrohet, por Uendi Vecaj tashmë luan për Teutën. Të shtunën mesfushori rikthehet në “Loro Boriçi”, ku do të përballet me ish-ekipin e tij. 

vecaj teuta

Në një intervistë për “Panorama Sport”, 22-vjeçari analizon situatën e skuadrës durrsake, por edhe të Vllaznisë. Ai është i bindur se do të japë maksimumin në takimin e të shtunës dhe këtë e thotë pa pikë mëdyshjeje.

Ndërprerja e kampionatit erdhi si me porosi për Teutën, pasi ju krijoi mundësi që ta përgatisni me qetësi sfidën me Vllazninë?

Jo se e presim me qetësi, por ai barazim ndaj Luftëtarit na dha shpresë për cilësinë e lojës dhe agresivitetin që kërkojmë. Këto na japin siguri që ekipi po funksionon. Vinim pas një barazimi që duhej ta fitonim. Një skuadër që luan në bllok, në grup dhe e disiplinuar nga ana taktike, them se kritikat dalin jashtë loje, pasi gjithçka shkon sipas detyrave të përcaktuara nga trajneri.

Çfarë prisni të përmirësoni nga ndeshja me Luftëtarin?

Ekipi i ka mundësitë që nga ndeshja në ndeshje të rrisë paraqitjen. Kemi lojtarë cilësorë dhe që duan me patjetër të bëjnë sukses, sidomos për t’i dhënë kënaqësi atij qyteti që e do ekipin dhe kërkon të jenë gjithmonë të parët.

Tani është radha që të luani ndaj Vllaznisë. Si është për ju të përballeni me ishskuadrën tuaj?

Është një ndeshje shumë e rëndësishme. Emocionet sigurisht janë të pranishme, megjithatë unë do të jap maksimumin. Do të luaj si me të tjerët. Kam kaluar vite shumë të mira me Vllazninë dhe kam shumë miq.

Do të donit që të shënonit në këtë takim dhe nëse po, do të festonit?

Patjetër që dua të shënoj, edhe pse do të më vinte keq për Vllazninë. Unë luaj për Teutën dhe do të bëj më të mirën për këtë skuadër. Nuk do të festoj po shënova, sepse kam shumë respekt për ekipin e qytetit tim.

 Sa e fortë është Teuta dhe sa e dobët është Vllaznia?

(Qesh) Ne të gjithë jemi optimistë për sfidën e së shtunës. Ndërsa për Vllazninë, mund të them se janë një ekip i mirë, nuk kanë dallime me të tjerët, pavarësisht gjendjes që po kalojnë.

A jeni të përgatitur për t’u përballur me kuqeblutë, pasi tashmë synimi i tyre janë vetëm 3 pikët?

Të gjithë lojtarët janë përgatitur dhe angazhuar maksimalisht për këtë takim. Megjithatë, çelësi ynë i suksesit s’është te përgatitjet, por ne po punojmë gradualisht, që në çdo sfidë të japim më të mirën.

Pas 12 javësh, cilin kundërshtar do ta quanit më të fortë? 

Sigurisht që këto javë kanë treguar se skuadra si Teuta, Partizani, Tirana dhe Kukësi janë pak më mirë se të tjerat, të cilat do të luftojnë me njëra-tjetrën. Është kampionat i balancuar dhe duhet të gjendet ende forma më e mirë. Por 3-4 skuadra do të luftojnë së bashku për vendet e para.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"