Vazhdon misteri në Vlorë, lojtarët e Flamurtarit s’e dinë kush është i infektuar me COVID

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2021 | 14:36

Vazhdon misteri në Vlorë, lojtarët e Flamurtarit s’e dinë kush është i infektuar me COVID

Misteri mbërthen Flamurtarin. Ka ditë që ka dalë lajmi se 4 lojtarë kanë rezultuar me COVID, e megjithatë çuditë nuk mungojnë për këtë rast.

Flamurtari

Drejtues të klubit dhe stafit teknik thonë se çështja e lojtarëve të infektuar është fakt. Por, përderisa nuk jepen emra, normalisht që lindin dyshime. Edhe vetë klubi i Memaliajt e ngriti këtë shqetësim, duke e thënë qartë së mund të jetë një sajesë e vlonjatëve për të përfituar kohë nga merkatoja e bllokuar.

Ndërkaq, “Panorama Sport” që prej ditës së premte në mbrëmje që qarkulloi lajmi i infektimeve nga ky virus, por edhe një ditë më parë, ka komunikuar me pjesën më të madhe të futbollistëve. Përgjigjja ka qenë e njëjtë: “Nuk e dimë së kush është me COVID”. Sinan Idrizi reagon për situatën e krijuar në Vlorë, duke dhënë të paktën me zë një version zyrtar për çfarë po ndodh në klub.

Për “Panorama Sport”, administratori konfirmon se janë katër futbollistë të infektuar. Ashtu sikundër klubi ka vendosur të jetë “hermetik”, edhe Idrizi nuk preferon që të zbulojë se cilët janë lojtarët e prekur. “Është e vërtetë që katër lojtarë të Flamurtarit janë infektuar me COVID. Për këtë qëllim është shtyrë edhe ndeshja me Memaliajn. Nuk mund t’i bëj publikë emrat e futbollistëve të infektuar, besoj nuk është etike.

Edhe unë bëra tamponin dhe rezultova negativ”, u shpreh fillimisht administratori. I pyetur për akuzat që vinin nga Memaliajt, që e quante të qëllimshme shtyrjen e ndeshjes, për të përfituar kohë ne federimet, Idrizi përgjigjet: “Nuk kam asnjë koment. Respekt për Memaliajn”.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"