Vazhdon makthi i transfertave për Kukësin, e ndal Tërbuni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2015 | 15:24

Vazhdon makthi i transfertave për Kukësin, e ndal Tërbuni

kukesi

Tërbuni ia del që të marrë një pikë me shumë sforco në përballjen me Kukësin. Skuadra e Viktor Gjonit ka kaluar e para në avantazh me anë të Dhramit në të 65-ën, ndërkohë që Lima ka shënuar në portën e Haxhos, kur ajo ka qenë e boshatisur. Një ndeshje e dominuar me raste dhe volum nga miqtë, por që hera-herës kanë qenë egoistë dhe në shumë raste kanë kërkuar edhe mrekullinë me anë të roveshatave, edhe të panevojshme. Skuadra e Gjonit është parë e penalizuar edhe nga mungesat e shumta për shkak të pezullimeve të lojtarëve, ndërkohë që Kukësi nuk ka arritur të shfrytëzojë rastet që ka krijuar. Më flagranti ka qenë ai i fundit të pjesës së parë me Limën, i cili nga fare pranë portës ka gjetur vetëm shtyllën e Haxhos. Kjo pikë i ka mjaftuar Kukësit për të marrë vendin e tretë, ndërkohë që Tërbunit do t’i duhet sërish të mbyllë tabelën e klasifikimit.

Pjesa e parë

Fraksioni i parë i lojës ka nisur qetë dhe pa shumë pretendime nga ana e skuadrave. Hasani dhe Nika janë ata që organizojnë manovrat sulmuese për miqtë, herë nga qendra e herë nga e djathta. Ky i fundit e vë shumë herë në vështirësi të riun Flavio Prendi, i cili shpesh gjendet i vetëm në manovrat mbrojtëse përballë dyshes Nika-Hallaçi. Të besuarit e Viktor Gjonit mendojnë më së shumti për prapavijën dhe në daljet në sulm janë gjithmonë në inferioritet numerik. Duhet të vinte minuta e 40-të që Kukësi të kishte një rast të artë me Limën që gjendet fare pranë portës së Haxhos, por goditja e tij gjen shtyllën.

Pjesa e dytë

Kukësi e nis aty ku e mbylli të parën, në sulm, e si të mos mjaftonin rastet e shpërdoruara, duhet të pësojë proverbin e futbollit: “Kush nuk shënon, pëson”. Kundërsulm i vendësve që gjen Dhramin të vetëm në sulm. Ky i fundit fiton një dyluftim trup më trup me Veliun, futet drejt qendrës duke shmangur Shametin, më pas edhe Hallaçin që vjen me shpejtësi e më pas arrin që të shënojë me të majtën në portën e Kocit. Tërbuni në avantazh! Në të 77-ën, një top i krosuar për Limën dhe që i rikthehet si asist nga Nika shndërrohet në gol nga braziliani. Kukësi barazon dhe ka ende minuta për gjithçka. Me gjithë minutat shtesë dhe tentativat e shumta të miqve, Kukësi del nga fusha me vetëm një pikë. Tërbuni, edhe pse me shumë mungesa, jep sinjale jete dhe kërkon të mos pajtohet me situatën që po kalon në klasifikim.

Minutat

10′ Flores mrekullon me një kalim mes Karakaçit, Peqinit e Tushes nga e
majta, por rrëzohet në hyrje të zonës dhe Meta lejon avantazhin. Topi
përfundon te Hasani në qendër që godet, por devijohet nga njëri prej
mbrojtësve.
11′ Flores jep një krosim për Xheferson në qendër që gjen mundësinë për të
bërë një gjysmë roveshatë, por topi përfundon larg kuadratit.
13′ Goditje dënimi për miqtë nga e majta në një distancë prej rreth 35
metrash, ekzekutohet nga Nika që kroson në zonë në shtyllën e dytë. Veliu
tenton një roveshatë, por nuk arrin të koordinohet dhe topi përfundon
ngjitur me shtyllën e Haxhos.
28′ Tërbuni kërkon të kundërpërgjigjet, Karapici fton Dhramin në qendër që
vjen nga e majta, por topi është i paarritshëm.
40′ Nika bën mrekullinë që hedh në top në qendër për Hasanin që bën një
finte, më pas Lima fare pranë portës godet shtyllën e majtë të Egland
Haxhos.
50′ Mici nis Hasanin me një diagonale të gjatë, i cili ndalet me faull nga
Rudoviç në afërsi të zonës. Nika kroson fort, Lima devijon me kokë, por
Haxho është perfekt për nga reflekset.
55′ Nika nga e djathta për Kukësin kroson në zonë, aty ku Flores tenton një
roveshatë, por Haxho e ka seriozisht për të ruajtur të paprekur portën e tij.
57′ Kundërsulmon Tërbuni, Dhrami i vetëm fiton një goditje nga këndi, e para
për vendësit.
65′ Një top i gjatë për Dhramin që fiton duelin e “forcës” me Veliun, i cili
kontrollon sferën, driblon Shametin e Hallaçin, që vjen për të mbyllur hapë-
sirën, dhe i qetë arrin të kalojë Kocin, 1-0.
71′ Dhrami merr një tjetër top “nga qielli”, por këtë herë është i vetëm
përpara shumë lojtarëve të Kukësit dhe Shameti fton duelin e pastron zonën.
77′ Flores kroson një top të gjatë drejt zonës nga e majta, por Lima nuk
e mbërrin një top që Nika e kthen me kokë drejt qendrës duke gënjyer
portierin Haxho dhe Lima e ka të lehtë të shënojë me kokë në portën e
boshatisur, 1-1.
81′ Flores kroson drejt zonës, Shameti godet me kokë, por jashtë.
82′ Kundërsulm i vendësve me Markun që del i vetëm përpara portës, por
është në pozicion diagonal dhe goditja e tij nuk ka potencën e duhur.

Tërbuni – Kukësi 1­-1
Golat: Dhrami 65’ / Lima 77’
Tërbuni: Haxho, Peqini, Rudoviç, Danaj, Prendi, Karakaçi, Gavazaj, Karapici, Tushe, Mone, Dhrami Trajner: Viktor Gjoni
Kukësi: Koçi, Hallaçi, Shameti, Veliu, Mici, Nika, Kruz, Hasani, Xheferson, Flores, Lima Trajner: Klodian Duro Arbitra: Kridens Meta, Denis Rexha, Melis Dervishi
Kartonë të verdhë: Prendi 24’

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"