Vazhdon eksodi masiv, Skënderbeut i ikin edhe tre lojtarë të tjerë. Por ka plan për dy rinovime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2022 | 17:32


Vazhdon eksodi masiv, Skënderbeut i ikin edhe tre lojtarë të tjerë. Por ka plan për dy rinovime

Zhvillime të reja në kampin bardhekuq për sa u përket përgatitjeve për sezonin e ri. Edhe pse dëshira dhe synimi i klubit dhe drejtuesve të Skënderbeut është ambicioz për të rikthyer sa më shpejt ekipin në elitën e futbollit pas rënies në kategorinë e parë, duket se korçarët po përballen me vështirësinë e largimeve në masë nga ekipi.

skenderbeu

Pas Zguros që ka mbyllur aventurën me Skënderbeun që prej disa javësh dhe Sadriun e Rexhepin që pas përfundimit të huazimit do të duhet të rikthehen te Shkëndija e Tetovës, është radha e tre lojtarëve të tjerë për të mbyllur këtu bashkëpunimin me Skënderbeun. Bëhet fjalë pikërisht për Shehin, Zhan Viktor dhe Moraesh të cilët duket se janë të vendosur për të mos vijuar bashkëpunimin me klubin korçar por të shohin një tjetër destinacion për vijimin e karrierës. Kjo pak a shumë është tabloja e situatës që po kalon Skënderbeu në këto momente, situatë e cila duket se do të marrë zgjidhje shumë shpejt për shkak të zhvillimeve jo fort publike që po ndodhin në klubin bardhekuq.

RINOVIMET – Por krahas largimeve duket se korçarët janë të vendosur për të zhvilluar bisedime edhe me lojtarë të cilët kërkojnë t’i kenë pjesë të tyren edhe në Kategorinë e Parë. Të parët duket se janë afrikanët e Skënderbeut që po bisedojnë me klubin kushtet për një rinovim të mundshëm të kontratës. Bëhet fjalë pikërisht për sulmuesin Alfred Mensah dhe për mesfushorin Randi Dumfur, të dy lojtarë që kanë mbajtur një peshë të caktuar në dy sezonet e fundit. Edhe pse në fund kontrate me Skënderbeun, si Mensah edhe Randi janë shprehur të hapur për një mundësi rinovimi me korçarët.

Kjo e bën edhe më të sigurt faktin që vetë Gerhard Takaj është menaxher i dy lojtarëve. Bisedimet kanë filluar tashmë dhe palët, të paktën sa referojnë burimet, janë takuar mes tyre për të krijuar lidhjet e para të rinovimit. Fakti që do të luajnë një kategori më poshtë si për Mensah ashtu edhe për Randin nuk përbën asnjë problem, ndaj edhe rinovimi në këto kushte shihet si më se i mundshëm. Ndaj, do të pritet deri në fund për të mbajtur dy lojtarë që kanë qenë jo pak të rëndësishëm për Skënderbeun në periudhën e tij më të vështirë në vitet e fundit.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL