Vazhdojnë “xixat” në prag të derbit të Myzeqesë, Duda i kthehet Byzhytit: Do t’i jenë ndryshkur akrepat, të shohë njëherë renditjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2020 | 15:44

Vazhdojnë “xixat” në prag të derbit të Myzeqesë, Duda i kthehet Byzhytit: Do t’i jenë ndryshkur akrepat, të shohë njëherë renditjen

Flakë për flakë” me Alban Bizhytin edhe mbrojtësi fierak, Denis Duda. Ish-futbollisti lushnjar risolli para disa ditësh në “Panorama Sport” deklarimin e tij të mëhershëm se Lushnja e mund Apoloninë edhe në orën 3 të mëngjesit.

Denis Duda

Mbrojtësi i Apolonisë i qëndron të njëjtës linjë që ka shfaqur në replikën e parë ndaj Bizhytit, madje shton argumente të tjera. “Prapë kjo ora 3 e mëngjesit?! Epo do t’u jenë ndryshkur akrepat, me sa duket. Në Shqipëri ndeshjet nuk luhen natën”, thotë Duda, një nga më të mirët e Apolonisë së këtij sezoni.

RENDITJA – Ai thekson se nuk ka asgjë personale me ishfutbollistin e Lushnjës, por reagon kundër fenomenit. “Nuk jam cinik, por është çudi e madhe kur ish-lojtarë bëjnë llogaritë tona. Ne luajmë në fushë e ata bëjnë “ekspertin” e parashikimeve, ne “hamë kumbulla” dhe atyre “u mpihen dhëmballët”. Byzhytin e kam respektuar si futbollist të mirë. I them që nuk bëhen llogaritë “në ajër” dhe as nisur nga rezultate të mëparshme. Me përvojën e tij e di mirë këtë gjë.

‘ Na fituaka Lushnja në 3 të mëngjesit dhe qenka skuadër më e fortë se ne, ngaqë ka fituar dy fazat e para? Kjo është logjika e vlerësimit?! Po që nuk kemi luajtur në Fier në 2 ndeshjet e shkuara, e harrojnë lushnjarët? Në Ballsh u ndëshkuam me 1 karton të kuq, në Lushnjë me 1 penallti. Po sjell një tjetër shembull, Oriku ka barazuar në “Roza Haxhiu” dhe ka fituar 1-0 në fushën e vet ndaj Lushnjës, atëherë është ekip më i fortë? Këtë logjikë po përdorin rivalët tanë për fortësinë. Lushnja ishte 5-6 pikë përpara nesh, po tani, ku është?

Byzhyti45

Cila skuadër është më lart në renditje, ne apo ata? Le ta shohin njëherë klasifikimin, mbase e kanë harruar… Sa për gjykimin e ndershëm e korrekt që kërkojnë lushnjarët dhe Byzhyti, u rikujtoj se asnjë gjyqtar fierak nuk ka arbitruar ndeshje të tyre këtë sezon. Fazën e parë në Pogradec kemi pasur gjyqtarë nga Lushnja dhe kemi humbur me një penallti në fund. Le të fitojë Lushnja, do t’i japim dorën, edhe unë e ribëj ftesën për Bizhytin: të vijë të luajë edhe ai për ta ndihmuar ishskuadrën të fitojë”.

DERBI – Në fund, Duda jep një opinion për derbin e 14 qershorit: “Duel i bukur, i rivalizuar. Ndeshje që e luajmë ne dhe e shijon publiku në distancë dhe ish-ët. Pas kaq kohë shkëputje, asgjë nuk ka siguri dhe nuk ka vend për ekzagjerim apo deklarata të pamenduara.

Në çdo kohë e respektojmë Lushnjën si një kundërshtar të denjë e me cilësi. Vlerësimi nuk është dobësi, as frikë, por objektivitet. Jemi më lart në renditje, luajmë në fushën tonë dhe kemi objektivin e qartë për ta fituar ndeshjen. Pas më pak se dy javësh do të kemi kohë të bëjmë analiza të tjera. Nëse doni mendimin tim personal, them se do ta fitojmë në të gjitha aspektet sportive, bindshëm madje”.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"