Vazhdojnë deklaratat në distancë të Besa-Erzeni, drejtori sportiv i shijakasve: Ngjitemi me meritë në Superiore, nuk kemi nevojë për karamele

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2021 | 18:09

Vazhdojnë deklaratat në distancë të Besa-Erzeni, drejtori sportiv i shijakasve: Ngjitemi me meritë në Superiore, nuk kemi nevojë për karamele

Në Shijak i quajnë shpifje dhe dashakeqësi akuzat e lëshuara nga Nexhat Bizhdili. Presidenti i Besës reklamonte në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” (në numrin e së martës) se ekipe si Erzeni po marrin penalltitë sikur të ishin karamele.

Keci Altin

Është Altin Keçi që reagon këtë herë, duke e konsideruar të tepërt që një drejtues klubi të merret me një klub tjetër. Drejtori sportiv i shijakasve evidenton se e ka mik Nexhat Bizhdilin, e megjithatë i kërkon që herë tjetër t’i drejtohet ndonjë dere tjetër për t’u ankuar. Gjatë një deklarate të dhënë për gazetën, ai thotë:

“Klubi, stafi dhe lojtarët e Erzenit janë të përqendruar te përgatitjet për ndeshjen e radhës, të cilën e luajmë në transfertë me Tërbunin. Nuk do të doja të zgjatesha shumë te deklarata e Nexhat Bizhdilit, por diçka dua t’ia them mikut tim. Presidenti i Besës të mos merret me Erzenin, por të shohë skuadrën e tij. Lexova mes rreshtave që përmendeshin 11-metërshat që marrin ne, që gjoja na favorizojnë…

Dua vetëm të them: Sa shumë qenke preokupuar për skuadrën tonë, madje deri te penalltitë. Asgjë nga këto nuk është e vërtetë, përkundrazi. Në të gjitha rastet është zbatuar vetëm rregullorja. Çdo faull brenda zonës së rreptësisë është penallti, apo jo?! Gjithsesi, nëse ju keni fakte për të kundërtën, drejtojuni instancave përkatëse dhe me siguri do të merrni sqarimet e rastit.

Së fundi, ju rikujtojmë se Erzeni është formuar në të gjitha drejtimet për të siguruar me meritë ngjitjen në Kategorinë Superiore. Si asnjë skuadër e Kategorisë së Parë, Erzeni është i kompletuar në çdo aspekt. Nuk kemi nevojë për karamelet që thoni ju. Shpresoj që edhe ju me Besën të keni bërë përgatitjet e duhura. Faleminderit miku im Bizhdili”.

FIQIRI SHEHU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"