Vazhdimi i sezonit, UEFA u dërgon udhëzim të qartë klubeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2020 | 8:25

Vazhdimi i sezonit, UEFA u dërgon udhëzim të qartë klubeve

Futbolli shqiptar mbetet akoma në pritje të datës se kur do të jepet komanda për të nisur përgatitjet dhe zhvillimin e ndeshjeve të mbetura nga sezoni 2019- 2020. Qeveria europiane e futbollit, UEFA, ka miratuar një udhëzues që duhet ndjekur nga të gjitha federatat anëtare dhe klubet për përfundimin e sezonit aktual, dhe përcaktimin e skuadrave që do të marrin pjesë në Kupat e Europës. Primare mbetet që verdiktet të jepen sipas meritës sportive në fushë, por janë parashikuar edhe zgjidhjet për situata specifike, kur sezonet nuk mund të mbyllen, si dhe për kushtet që duhet të plotësojnë klubet.
UEFA

FSHF në faqen saj në internet ka dhënë këtë njoftim për vendimin e UEFA-s: “UEFA njofton mbi miratimin e Udhëzuesit të Parimeve të Pranueshmërisë së klubeve në garat europiane. UEFA cilëson se kualifikimi për kompeticionet europiane duhet të jetë mbi merita sportive, gjithashtu të vetëdijshëm që situata e paprecedentë që po shkaktojnë masat e ndërmarra prej ‘COVID-19’ po i vë në rrezik kampionatet kombëtare. Grupi i punës për konfigurimin e kalendarit të ndeshjeve (ku është anëtare UEFA me ECA-n) po punon për të gjetur të gjitha hapësirat që ndeshjet e kompeticioneve kombëtare dhe ato europiane të rifillojnë pa cenuar sigurinë e jetës dhe shëndetit. UEFA përmes Udhëzuesit të saj mbi Parimet e Pranueshmërisë lidhur me kompeticionet europiane bën me dije se:

1. Të gjitha federatat duhet të ndërmarrin të gjitha përpjekjet për t’i rifilluar dhe mbyllur kampionatet kombëtare;

2. Të gjitha federatat duhet që brenda 25 majit të njoftojnë UEFA-n mbi datën e rifillimit të kampionatit dhe formatin që do të aplikojnë;

3. Pavarësisht përpjekjeve për t’i mbyllur kampionatet siç duhet, mbyllja e parakohshme mund të jetë veçanërisht në rastet e mëposhtme: a)Ekzistenca e një vendimi qeveritar për të mbajtur të pezulluara aktivitetet sportive deri në një datë e cila do e bënte të vështirë dhe të pamundur përfundimin e kampionatit aktual, deri përpara mundësisë së fundit për nisjen e sezonit tjetër;

b)Argumentime specifike ekonomike dhe financiare, të cilat do justifikonin se vazhdimi i kampionatit do ishte financiarisht i nxituar apo që mund të vinte në vështirësi financiare afatgjata klubet;
Federata-e-Futbollit-diskuton-me-klubet-për-organizimin-e-kampionateve-të-reja-U-13-dhe-U-21-6-1024x684

4. Për të gjitha arsyet e mësipërme, në rast se do ketë një mbyllje të parakohshme të kampionatit, UEFA duhet njoftuar nga federatat deri në datën 25 maj me të gjithë justifikimin e elaboruar dhe për të zgjedhur klubet pjesëmarrëse për edicionin 20/21 bazuar në meritën sportive të sezonit 19/20 sipas:
a)Vendimeve që do marrin federatat bazuar në procedura që respektojnë parimet e objektivitetit, jo diskriminimit dhe transparencës.

b)Konfirmimit final nga organet relevante kompetente vendëse për përcaktimin final të klubeve që do të kualifikohen për kompeticionet europiane;

5. Për ato raste kur kampionati mbyllet përpara kohe UEFA mban të drejtën të refuzojë ose të rishikojë propozimin e federatës për një klub kur:
a)Kampionatet janë mbyllur para kohe pa iu përmbajtur parimeve të këtij Udhëzuesi ose pa një arsye legjitime nga organet e shëndetit publik;

b)Procedurat e përzgjedhjes së klubeve nuk kanë qenë transparente, objektive dhe jodiskriminuese; c)Ekziston një perceptim publik se përzgjedhja e klubit/ve është bërë në formë të pandershme;

6. Të gjitha kriteret e pranimit të klubeve në rregulloret përkatëse të kompeticioneve europiane mbeten në fuqi;

7. Ky Udhëzues është miratuar nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s dhe afekton kompeticionet e Ligës së Kampioneve, Europa Ligës, Ligës së Kampioneve Femra, Ligës së Moshave dhe Ligës së Kampioneve Futsal”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"