Vazhdimësi dhe gola, Teuta e Martinit është transformuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2020 | 20:34

Vazhdimësi dhe gola, Teuta e Martinit është transformuar

Teuta është transformuar me Edi Martinin. Fitoret që nisi në kampionat (1-0 me Partizanin dhe 1-3 me Flamurtarin) ndoshta nuk ishin rastësore. Skuadra ka ndryshuar tërësisht në fundin e 2019-ës dhe të njëjtën formë po e shfaq edhe gjatë minifazës dimërore. Në stërvitje ka shumë punë, kërkesë llogarie, por edhe gjallëri e entuziazëm dhe efektet janë parë edhe në miqësore. Në dy ndeshje, kanë marrë dy fitore dhe kanë gjetur golat.teuta

E kanë gjetur 5 herë rrjetën në 180 minuta dhe nuk kanë pësuar asnjë. Statistika që flasin pozitivisht për këtë grup dhe vetë trajnerin. Blerja e Idelino Gomes Kulibali ka rezultuar efektive. Të paktën deri më tani, pasi prova e vërtetë për të do të jetë Laçi. Një gol dhe tri asiste nuk janë pak për një lojtar që kishte vetëm 24 orë që i ishte bashkuar ekipit. Në një supermoment është edhe Lorenco Vila. Anësori po tregon më shumë afrimitet me portën. Ka shënuar 3 herë gjatë janarit, duke dëshmuar se tashmë durrsakët kanë fituar një sulmues cilësor në krahë.

PËRGATITJET

Skuadra ka zbritur dje në orën 10:00 në fushën e “Niko Dovanës” për të kryer një tjetër seancë. Ngarkesat vazhdojnë të jenë prezente, ndërsa fokusi i Edi Martinit është vendosur te kolaudimi i grupit për javën e 18-të, të cilat do ta luajnë me Laçin më 22 janar. Taktika ka marrë minutazhin e saj në këtë stërvitje, ndërsa trajneri ka kërkuar perfeksionimin edhe të qarkullimit të topit. Shkodrani po ngulmon për të ndryshuar mënyrën se si skuadra e interpreton lojën.TEUTA

ÇYRBJA

Arbër Çyrbja është rikthyer të stërvitet me grupin dhe duket se për momentin ka hedhur pas problemet fizike. Mesfushori durrsak e ka marrë dritën jeshile nga stafi mjekësor për të luajtur, pasi iu nënshtrua një kontrolli të detajuar gjatë ditës, ndërkohë që sulmuesi Abdul Khalid ende nuk është i gatshëm për t’iu bashkuar grupit. Sulmuesi ganez po vuan një dëmtim në gju dhe ka kryer stërvitje të diferencuar e karakterizuar nga vrapimet, por pa kontakt me topin.

MIQËSORE

Ndryshe nga shumë skuadra të Kategorisë Superiore, të cilat kanë udhëtuar drejt Antalias në Turqi për të kryer minifazën përgatitore të dimrit, Teuta zgjodhi të qëndronte në Durrës. Pasi zhvilluan një ndeshje brenda familjes dhe atë me Besën, tashmë kanë zyrtarizuar kundërshtarin e tretë. Të mërkurën në orën 13:00, “djemtë e detit” do të matin forcat me Skënderbeun në “Tropikal Resort”. Kjo miqësore do t’i japë trajnerit Edi Martini edhe përgjigjet e fundit nga gjendja e skuadrës para nisjes së gjysmës së mbetur të sezonit futbollistik.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"