Vasil Ruci kundër rrymës, “basti” i legjendës vlonjate: Me Ilir Dajën, Flamurtari del kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2018 | 23:41

Vasil Ruci kundër rrymës, “basti” i legjendës vlonjate: Me Ilir Dajën, Flamurtari del kampion

Vasil Ruci shikon një Flamurtar, që këtë sezon është ndërtuar për kampion. Një ditë pas humbjes në shtëpi ndaj Skënderbeut, që zhgënjeu jo pak tifozët vlonjatë, në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-trajneri dhe ish-futbollisti i shquar theksoi se ky vit do të jetë i Flamurtarit. Ruci thotë se janë disa arsye përse Flamurtari do të triumfojë këtë sezon, por, sipas tij, më kryesori është trajneri.

Ai ka vlerësuar Ilir Dajën në maksimum, duke theksuar se është zgjedhja më e mirë që ka bërë klubi. “Flamurtari do të dalë kampion këtë sezon futbollistik. Kam bindjen e plotë se do të ndodhë kështu. Ky do të jetë viti i Flamurtarit. Kam shumë arsye se përse unë besoj te suksesi i ekipit tonë të zemrës këtë sezon. Flamurtari do të jetë kampion këtë sezon për shkak se ka lojtarë të mirë dhe për më tepër një stol luksi. Por, do të theksoja se Flamurtari ka edhe diçka më tepër se rivalët, që është Ilir Daja. Një trajner profesionist që e treguar veten në çdo skuadër që ka drejtuar”, tha fillimisht Ruci.

vasil-ruci

HUMBJA

Ish-sulmuesi i Flamurtarit deklaron se stafi teknik dhe futbollistët nuk duhet të mërziten nga humbja me Skënderbeun. Sipas Rucit, gjatë kampionatit do të ketë edhe humbje, pasi vetëm në fund do të bëhen llogaritë. “Nuk duhet që stafi teknik dhe futbollistët të mërziten nga humbja me Skënderbeun. Nuk ka arsye se përse të jenë të mërzitur. Është vetëm një humbje. Patjetër që në kampionat do të ketë edhe disfata, pasi të gjitha ndeshjet nuk mund të fitohen. Kampionati është i gjatë dhe nuk ka pse të demoralizohen futbollistët apo stafi teknik. Të gjithë duhet që të jenë të qetë dhe të vijojnë punën me qëllim që të vijnë rezultatet. Deri më tani, Flamurtari ka ecur mirë në ndeshjet që janë zhvilluar, por humbje natyrisht që do të ketë në kampionat dhe nuk ka pse të mbahet mendja te Skënderbeu”, deklaroi Ruci.

APELI

Në fund, vlonjati apelon se Flamurtari duhet të shikojë para, duke bërë kthesën që të premten në kryeqytet. Ruci shpreh bindjen se ndaj Partizanit do të arrihet fitorja. “Duhet të shikohet para tashmë. Të harrohet humbja me Skënderbeun. Nuk ka kohë të mendohet më pas. Duhet dhënë maksimumi me Partizanin. Unë besoj se Flamurtari do të marrë një rezultat pozitiv në këtë ndeshje, duke bërë kthesën dhe për të mos u ndalur më në kampionat”, përfundon ish-trajneri i kuqezinjve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"