Vasil Ruci i bën thirrje ekipit: Me mend në kokë, në Gjirokastër luajmë finalen e sezonit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2018 | 10:43

Vasil Ruci i bën thirrje ekipit: Me mend në kokë, në Gjirokastër luajmë finalen e sezonit

Vasil Ruci mendon se stafi i ri teknik, pjesë e së cilit është edhe vetë, po fut një tjetër mentalitet në skuadër. Në një prononcim të dhënë dje për “Panorama Sport”, legjenda e futbollit vlonjat theksoi se lojtarët janë bërë më të përgjegjshëm për fanellën e Flamurtarit dhe objektivat që ka klubi.
Vasil Ruci stadium Flamurtari
Ish-futbollisti i shquar bën të ditur se lojtarët e kanë kuptuar që ndeshja me Luftëtarin është decizive për vazhdimësinë në kampionat. “Ekipin e kemi të mirë, nuk shikoj ndonjë ndryshim të madh. Megjithatë, mendoj se është futur një mentalitet tjetër. Nuk është se ne si staf i ri bëmë ndonjë ndryshim ndaj Teutës, ishte po ai ekip, por lojtarët ishin më të përgjegjshëm, më të qetë. U themi që të jenë sa më të qetë edhe për ndeshjen e radhës. Skuadra reagoi mirë dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne”, ka thënë fillimisht Ruci, për të komentuar edhe sfidën ndaj Luftëtarit, që do të luhet të shtunën në orën 16:00 në Gjirokastër.

Kundërshtari ka katër pikë më shumë dhe në ndryshim nga sezoni i kaluar, Flamurtari nuk ka arritur të marrë asnjë fitore ndaj Luftëtarit në tri ndeshjet e deritanishme. “Ndaj Luftëtarit është një ndeshje kyçe. Të gjithë djemtë e dinë se ky është takimi më i vështirë i kampionatit, nga ku varet edhe ecuria e mëtejshme për objektivat që kemi. Fryma në ekip është shumë pozitive. Do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi ne kemi disa mungesa, por mendoj se do të arrijmë një rezultat pozitiv për të mbajtur gjallë shpresat për zonën europiane”, tha fillimisht Ruci.

KËSHILLAT Ish-sulmuesi legjendar ka edhe një këshillë për futbollistët në prag të ndeshjes me Luftë- tarin. “Këshilla e vetme për ndeshjen e radhës është shumë e thjeshtë: ekipi duhet të jetë me mendje në kokë, vetëm kaq. Luftëtari është një skuadër shumë e mirë dhe duhet që të bëhet maksimumi për të arritur një rezultat pozitiv. Unë mendoj se po kaluam ndeshjen me Luftëtarin me sukses, gjithçka është e mundshme. Pra, Europa është e kapshme. Në Gjirokastër, për Flamurtarin vendoset gjithë kampionati. Mendoj se në vazhdimësi kemi kalendarin më të favorshëm nga të gjithë kundërshtarët. Luajmë më shumë ndeshje në Vlorë dhe kjo është pozitive”, deklaroi Ruci, i cili në fund sqaroi edhe rolin e ri. “Trajnerë të Flamurtarit janë Ardi Behari dhe Petraq Bifsha, kurse unë jam konsulent i tyre”, përfundoi Vasil Ruci

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"