Vasil Ruci akuzon: Goli i Partizanit nisi nga faulli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2016 | 22:03

Vasil Ruci akuzon: Goli i Partizanit nisi nga faulli

Vasil Ruci akuzon gjyqtarin Bardhyl Pashaji se i ka hequr fitoren nga duart Flamurtarit. Në një bisedë për “Panorama Sport”, ish-trajneri dhe ish-sulmuesi i famshëm vlonjat thekson se aksioni i golit të Partizani nisi pas një faulli ndaj sulmuesit Alvesh.

vasil-ruciRuci sheh shumë padrejtësi ndaj klubit vlonjat. “Goli i Partizanit nisi nga një faull në sulm, por kjo pak është komentuar. E kam fjalën për rastin kur sulmuesit tonë, Danilo Alvesh, në dyluftimin ajror, i ndërhynë keq dhe gjyqtari nuk dha asgjë.

Ishte një faull neto dhe ndodhi që pas këtij momenti të shënohej goli i Partizanit. Normalisht ka edhe gabime gjyqtarësh, por një faull i rëndë si ai duhej akorduar. Mirëpo, pse kjo gjithnjë në kurriz të Flamurtarit? Shikoj që padrejtësia po ndodh vetëm me ne.

Na hoqën një titull kampion në vitin 1985, por nuk u mjaftuan, pasi kështu na e punuan edhe në vitin 1997. Më pas vazhduan në 2011-ën, por pse kjo t’i ndodhë Flamurtarit?! Mua do të më pëlqente që të vinte në Vlorë sërish ky gjyqtar të na gjykonte dhe ta shikoja si do të reagonte, natyrisht në kushte të tjera”, deklaroi fillimisht ish-trajneri kuqezi, i cili aktualisht është një prej zyrtarëve të klubit dhe njëkohësisht këshilltar i drejtuesve.

Shpërthimi në tribunë

Ruci është parë shumë i nervozuar në tribunën VIP gjatë ndeshjes së të shtunës, madje duke ofenduar gjyqtarin në disa momente.

“Unë jam i qetë kur mund të shaj, por ama kur acarohem, e bëj sepse shoh që ka një padrejtësi të madhe që po na bëhet. Prandaj dhe gjatë ndeshjes me Partizanin kam qenë në momente ku nuk jam përmbajtur me atë që kam parë në fushë sa i përket gjykimit.

Emocioni mposht logjikën dhe normalisht Flamurtari për mua është si shtëpi, sepse kam lindur dhe jam rritur në këtë klub. Natyrisht, unë dua që skuadra të fitojë gjithmonë dhe nëse shpërthej ndonjëherë e bëj sepse shoh shumë padrejtësi.

Pastaj, unë kur kam luajtur kam marrë një lumë të sharash, kështu që dua ta barazoj tani”, përfundon me një batutë legjenda e futbollit vlonjat, i cili mbahet mend për atë supergol që i ka shënuar Barcelonës në vitet e arta të brezit të famshëm të Flamurtarit.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"