Vasër: Besoj te pilotët dhe Ferrari, luftojmë për titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2023 | 14:56

Vasër: Besoj te pilotët dhe Ferrari, luftojmë për titullin

Formula 1 do të zbresë sot në pistë për të nisur tri ditët e testeve në Bahrejn. Në këtë edicion Ferrari futet me ambicie të mëdha, teksa “kokëkuqja” ka si objektiv rikthimin te titulli kampion. 155563a527ca4f81a7035ed127d187e1

Këtë e ka konfirmuar edhe një herë tjetër shefi i ri i skuadrës, Frederik Vasër. Në një prononcim të dhënë së fundmi për mediat, francezi është shfaqur optimist për makinën, e cila duket se ka potencialin e duhur për të luftuar për titullin, ndonëse sigurisht është ende shumë shpejt për të pasur të dhëna precize.

“Mund të them se nuk është e nevojshme që të bëjmë premtime të mëdha, pasi fillimisht duhet që të presim testet e para. Megjithatë unë besoj shumë te dy pilotët tanë. Ne do t’i trajtojmë të dy njësoj, e më pas unë do të jem ai i cili do të vendosë se cili nga ata do të ketë rolin e pilotit i parë”, shprehet fillimisht Vasër, i cili më tej ndalet më konkretisht te makina: “Për të qenë i sinqertë kam shumë shpresë te makina e re dhe besoj se do të jemi në garë për titullin kampion në Formula 1. E kemi sistemuar makinën në shumë drejtime. Testet që kemi zhvilluar gjatë dimrit na kanë dhënë sinjale tepër pozitive”, deklaroi 54-vjeçari.

Ferrari, siç dihet, do të konkurrojë në Botëror edhe këtë sezon të ri me dy pilotë, Sharl Lëklerk dhe Karlos Sainz, të cilët janë konfirmuar. Ndërsa për sa i përket kampionatit, ai do ta ngrejë siparin më 5 mars me Çmimin e Madh të Bahrejnit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"