Varfëria në Tiranë dhe gishti i madh i Lekbellos/ Rrëfehet fotografi i Fejnordit, ja si furra e bukës u bë sponsor i Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2022 | 22:16

Varfëria në Tiranë dhe gishti i madh i Lekbellos/ Rrëfehet fotografi i Fejnordit, ja si furra e bukës u bë sponsor i Partizanit

Në këto ditë numërojmë mbrapsht për finalen e Ligës së Konferencës, të mërkurën e ardhshme, në të cilën Fejnordi do të përballet me Romën. Skuadra nga Roterdami e ka vizituar Tiranën edhe më parë, në 1991.

Varferia ne Tirane Lekbello Xhon De Pater

“Ai me gishtin e madh lart do të thuash?” Xhon de Pater nuk duhet të gërmojë thellë në kujtesën e tij për të gjetur anekdotën për një foto. “Artur Lekbello, sa djalë i mirë që ishte”, thotë fotografi. De Pater ishte si fotograf 30 vite me aparatin e tij, në shërbim të klubit. Ai ishte kudo ku shkonin roterdamersat. “Kështu edhe në vitin 1991 në Tiranë”, thotë De Pater për “Ad.nl”.

TRANSFERTA E TIRANËS –“Transferta me Partizanin. Udhëtuam drejt Tiranës. Varfëria atje ishte vërtet e paprecedentë. Ne shkuam në hotelin tonë një ditë para ndeshjes. Kolegu i fotografit, Robert Kollet, hapi derën e dushit dhe pa që ishte me ujë deri në kyçet e këmbës. Gjithçka rridhte, gjithçka ishte e prishur.

Nuk kishte pothuajse asgjë për të ngrënë. Lojtarët e Fejnordit ishin vërtet të tronditur. Me pak fjalë, në Tiranë nuk kishin asgjë në atë kohë”, shprehet fotografi. De Pater tregon se u dha një çantë me rroba shqiptarëve. Këtë e ka vlerësuar shumë portieri Artur Lekbello, i cili mbajti rrjetën të paprekur 0-0 në Tiranë kundër një klubi të madh si Fejnordi. Në Kuip, në ndeshjen në Holandë, fotografi ishte afër portierit i cili e çoi Fejnordin në dëshpërim me pritjet e tij të mrekullueshme. Skuadra rrezikonte të eliminohej nga një ekip shumë modest si ai i Shqipërisë.

I MADHI LEKBELLO – Ndërsa Peter Bosz, autori i golit, u sigurua që Fejnordi të fitonte 1-0 tri minuta para fundit. “Dhe më pas ndodhi, – thotë De Pater. – Bosz sapo kishte shënuar. Stadiumi i gjithi po festonte, Lekbello u mund dhe u gjunjëzua. Ai papritmas bërtiti ‘Hej Xhon’ dhe ngriti gishtin e madh.

Dukej vërtet e çmendur. Duhet ta kem atë foto diku. Po nuk ndodh shpesh që një klub eliminohet nga Kupa e Europës pak para fundit të ndeshjes dhe portieri pozon për një fotograf me një buzëqeshje dhe me gishtin e madh lart. Dhe gjithashtu thërret emrin e tij” (qesh).

SPONSORI I FANELLAVE – Në fanellën e portierit shqiptar shkruhej me shkronja të mëdha “Bakery Kloot- wijk”. Bukëpjekësi, një mik i mirë i fotografit De Pater, vendosi të sponsorizonte fanellat për Partizanin, për ndeshjen kundër Fejnordit. “Kjo ishte e mundur atëherë. Tiranën nuk e kisha parë kaq të varfër.

Askush nuk mund ta imagjinonte se atje tani do të zhvillohet një finale europiane. Por është rinovuar tërësisht”. A është i lumtur De Pater kur dëgjon se Lekbello po shkon mirë? “Më bëhet qejfi që e dëgjoj. Do t’i pëlqejë që Fejnordi do të vijë për vizitë në Tiranën e tij. Përshëndetje, gishtin lart do të thosha”, përfundon ai.

KRISTI SEJATLLARI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"