Varane frena Barçës, Reali mbetet “gjallë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2013 | 8:17

Varane frena Barçës, Reali mbetet “gjallë”

Raphaël Varane Real Madrid CF v FC BarcelonaReali del “gjallë” nga “El Clasico”, duke evituar humbjen, ndërsa Barcelona e përfundoi ndeshjen me shijen e një suksesi që i shpëtoi nga duart. Madrilenët arritën të ruajnë shpresat dhe vetëbesimin se do t’ia dalin mbanë të kualifikohen në finalen e Kupës së Mbretit, ndërsa katalanasit “qajnë” rastet e shumta që shpërdoruan, të paktën disa më shumë se kundërshtari…

REAL MADRID-BARCELONA  1-1
GOLAT: Varane 81′ / Fabregas 50′
REAL MADRID (4-2-3-1): Diego López; Esien, Varane, Karvajo, Arbeloa; Khedira, Ksabi Alonso; Ozil, Kalejón (Modriç 58′), Kristiano Ronaldo; Benzema (Higuaín 63′) Trajner: Zhoze Murinjo
BARCELONA (4-3-3): Pinto, Dani Alvesh, Piké, Pujol, Zhordi Alba, Buskets, Ksavi, Fabregas (Alkantara 85′), Pedro (Aleksis Sançez 76′), Iniesta, Mesi Trajner: Zhordi Roura
KARTONË TË VERDHË: Karvajo, Kalejon, K.Alonso / Pike, D.Alvesh, Pujol
GJYQTAR Klos Gomez
SPEKTATORË 83,000

Si gjithnjë spektakolar, por si rrallëherë shumë i paqartë e me gabime taktike, dueli mes gjigantëve spanjollë përfundoi në “paqe”. Lojtarët fluturonin nga njëra mbrojtje në tjetrën, duke e lënë si inekzistent repartin e mesfushës. Zgjedhje taktike e trajnerëve apo keqmenaxhim i futbollistëve, kjo solli një lojë mjaft të hapur me mbrojtës që vetëm mbronin dhe mesfushorë që vetëm sulmonin. Ishte Kristiano Ronaldo që ndezi atmosferën në “Santiago Bernabeu”, kur pas vetëm një minute loje u pengua në afërsi të zonës dhe ekzekutoi një goditje dënimi drithëruese. Gjithsesi, miqtë nuk e humbën qetësinë dhe u kundërpërgjigjën me katër raste të njëpasnjëshme. Fabregas dhe Zhordi Alba gjuajtën nga brenda zonës, por pa pasur shënjestër të saktë. Në minutën e 20-të ishte shtylla ajo që shpëtoi portën e blerjes së re, Diego Lopez, pas ekzekutimit të një goditjeje dënimi nga Ksavi. Sërish ky i fundit pati mundësi të artë, kur brenda zonës gjuajti në drejtim të portës, por pikërisht në limitet e vijës fatale topi u largua nga Arbeloa. Karim Benzema, edhe pse shumë i ngadaltë dhe i paqartë në lëvizje, arriti të çlirohet nga mbrojtja rivale dhe të godasë pak metra larg Pintos, por duke shkundur vetëm rrjetën e jashtme. Një start plot emocione, mes dy ekipesh që sulmonin me shumë zell e mbronin me të gjitha forcat. Gjithsesi, pjesa e parë u mbyll pa gola, duke garantuar se në 45 minutat e dyta nuk do ndodhte e njëjta gjë.
Pjesa e dytë – Reali e nis me shumë vrull dhe Benzema krijon një rast pak sekonda pasi filloi loja. Mirëpo gjuajtja me të majtën e francezit nuk qe brenda kuadratit. Barcelona ishte në pritje të shansit të saj dhe e shfrytëzoi maksimalisht të parin që i erdhi. Një top i larguar jo mirë nga Kalejon i dha mundësinë Fabregasit që pas disa hapash të gjendet përballë Lopezit dhe nuk gabon. 1-0 për Barçën! Lojtarët madrilenë pësuan një shok psikologjik dhe për disa minuta e ulën ritmin, ndërsa Mesi dhe Dani Alvesh humbën radhazi dy mundësi për të shënuar golin e dytë. Kristiano Ronaldo gjeti forcat për të rizgjuar skuadrën duke ushtruar presing të vazhdueshëm. Po ja që portugezi nuk e kishte drejtuar mirë shënjestrën, pasi humb një rast të shkëlqyer me kokë, pas krosimit të Esienit nga e djathta. Pedro kundërpërgjigjet me një kundërsulm të rrezikshëm, por vetëm një metër larg portës e dërgon topin jashtë. Kur u duk se katalanasit do ia dilnin mbanë të triumfonin, heroi i ndeshjes realizoi në perfeksion detyrën e tij. Edhe pse në një ndeshje me shumë gabime dhe paqartësi, “El Clasico” zbuloi Rafael Varanen. Mbrojtësi 19- vjeçar ishte i pakalueshëm, aq sa u shndërrua edhe në makthin e Mesit mbrëmjen e djeshme. I shpejtë, i fuqishëm dhe i qetë, ai nuk gaboi thuajse në asnjë ndërhyrje. Sikur të mos mjaftonin këto, në minutën e 81- të një goditje e bukur me kokë brenda zonës bëri që ai t’i dhurojë skuadrës së tij një barazim shpresëdhënës. Në ndeshjen e yjeve dhe duelit Ronaldo-Mesi, një adoleshent ia doli mbanë të mbajë peshoren në ekuilibër. Gjithçka vendoset në “Kamp Nou”…

“S’kemi diferenca me Barcelonën”
Murinjo nuk preferoi të flasë pas ndeshjes, kështu që në vend të tij doli zëvendësi Aitor Karanka. “Me paraqitjen e zhvilluar sot (dje), pavarësisht mungesave që kishim, ne treguam se diferenca e pikëve në kampionat është e padrejtë. Nuk jemi inferiorë ndaj Barcelonës. Kemi besim se mund të kualifikohemi në finale edhe pas barazimit në fushën tonë”, – deklaroi Karanka.

“Kualifikimi do jetë i vështirë”
Zëvendëstrajneri i Barcelonës, Zhordo Roura, e cilëson si të vështirë kualifikimin. “Nëse do kishim fituar, gjërat do ishin mjaft të lehta. Kaluam në avantazh dhe mund të kishim shënuar golin e dytë, por nuk u treguam të saktë. Tashmë, me barazimin 1-1 gjithçka është e vështirë, pasi kualifikimi është i hapur. Ndaj një rivali si Reali duhet shumë kujdes”, – tha zëvendësi i Tito Vilanovës.

FabregasFabregas: Barça duhej të fitonte me goleadë
Mesfushori i Barcelonës, Cesk Fabregas, mendon se humbën një mundësi të shkëlqyer për të fituar bindshëm ndaj Realit dhe për të qenë më pranë finales së Kupës së Mbretit. “Nuk të ndodh shpesh të krijosh kaq shumë raste kur luan ndaj Real Madridit. Ne kemi dalë të paktën pesë herë vetëm për vetëm me portierin kundërshtar. Kjo është sa e çuditshme, aq edhe e pafalshme që kemi shënuar vetëm një herë. Duhej ta kishim fituar me goleadë këtë sfidë, për rrjedhojë në ndeshjen e kthimit do ishim shumë të qetë. Jam i mërzitur që sfida përfundoi barazim, sepse ishim superiorë”, – u shpreh Fabregas. Sa i përket golit të shënuar, ai tha: “Jam i kënaqur që shënova në një ndeshje të tillë, por kur mendoj që pata edhe një mundësi tjetër mjaft të mirë, të them të drejtën mërziten paksa”.
Iniesta Mesfushori tjetër i katalanasve mendon se në disa momente e humbën kontrollin e lojës. “Është e vërtetë që ne iu afruam më shumë herë golit, por në disa momente e humbëm kontrollin e lojës. Ishim të paqartë dhe të shpërqendruar. Nuk besoj se na ka ndodhur më parë kjo gjë, por duhet ta evitojmë urgjentisht. Nuk jemi të shqetësuar për rezultatin e ndeshjes ndaj Realit, pasi kualifikimi vazhdon të jetë në dorën tonë. Mjafton të fitojmë ndeshjen e kthimit në shtëpi”, – deklaroi Iniesta. Sa i përket mungesave dhe deklaratave para ndeshjes, ai shtoi: “Duhet të përgëzoj si Diego Alveshin, ashtu edhe Varanen, pasi zhvilluan një ndeshje me të vërtetë shumë të mirë”.

“Nuk do e harroj kurrë këtë ndeshje”
Rafael Varane nuk i fsheh emocionet në fund të ndeshjes. Ai pranon se ka bërë një paraqitje shumë të mirë dhe për këtë e kanë përgëzuar të gjithë. “Më duket vetja si në ëndërr. Kam bërë një ndeshje mjaft të mirë, duke mos gabuar asnjëherë në mbrojtje, plus që shënova edhe golin e barazimit. Jam i lumtur”, – tha ai. “Në fund të ndeshjes të gjithë shokët e skuadrës më përgëzuan. Nuk më kishte ndodhur kurrë qëkurse kam ardhur te Reali. Do punoj shumë dhe do vazhdoj me këtë ritëm. Nuk do e harroj kurrë këtë ndeshje, pasi shkëlqeva ndaj Barcelonës, që ka futbollistë të jashtëzakonshëm”, – u shpreh mbrojtësi 19-vjeçar. Në fakt, ai u aktivizua si titullar për shkak të mungesës së Pepes dhe Serxhio Ramosit, dhe e ka justifikuar plotësisht besimin e Murinjos.

NOTAT
REAL MADRID
Diego Lopez 6 – Rikthim i kënaqshëm te Reali. Dy pritje decizive dhe mjaft siguri në portë.
Esien 7 – Edhe pse nuk luajti në rolin e tij, duke u aktivizuar në krahun e djathtë të mbrojtjes, ishte një mur i pakalueshëm.
Varane 8 – Të gjithë dyshonin tek ai, por rezultoi “mbreti” i mbrëmjes. Nuk u mposht kurrë në qendër të mbrojtjes dhe madje shënoi golin e barazimit.
Karvajo 5 – Pritej që eksperienca e tij të bënte diferencën, por në fakt u desh që shpeshherë të mendonte Varane për të evituar gabimet e portugezit.
Arbeloa 5 – Mjaft gabime taktike. La për të dëshiruar si në mbrojtje, edhe në mbështetjen e sulmit
Khedira 6 – I palodhshëm dhe i kudondodhur. Gjithsesi, mjaft gabime në pasime.
K.Alonso 7 – Si gjithnjë energjik dhe me mjaft ide. Një lojë mjaft e kënaqshme për të.
Kalejon 4 – I shpejtë, por bëri shumë gabime. Shpërdoroi dy raste të arta për të shënuar, si dhe ishte fajtor në golin e pësuar nga Reali: hoqi topin gabim nga zona dhe nxori blof pozicionin jashtë loje të ekipit.
Ozil 6 – Pasime të zgjuara dhe shumë i lëvizshëm, por është tepër i ngathët për kundërsulmet.
Ronaldo 6.5 – I fuqishëm, i karikuar, ngulmues në çdo aksion, por humbi disa mundësi të shkëlqyera për shënim.
Benzema 5 – Luftarak dhe i fortë fizikisht, por shumë i paqartë dhe i pasaktë para portës kundërshtare.

BARCELONA
Pinto 7 – Bëri disa pritje të shkëlqyera dhe vendimtare për fatin e ndeshjes.
D.Alvesh 5 – Edhe pse u mundua të ndihmojë repartin sulmues, la shumë hapësira në mbrojtje.
Pike 7.5 – Shpëtimtari i Barçës thuajse në çdo kundërsulm të rrezikshëm të Realit.
Pujol 6 – Pas minutës së 60-të konfirmoi se nuk është më i aftë të përballojë me sukses një ndeshje të plotë.
Alba 5.5 – Nuk ishte në formën e tij më të mirë. I pasaktë taktikisht dhe mbi të gjitha në krosime.
Ksavi 6.5 – Si gjithnjë “truri” i skuadrës. I pafat në rastin që pati për të shënuar.
Buskets 6 – Qendra e mesfushës pati mjaft probleme në shkatërrimin e aksioneve kundërshtare, ku dhe ai ka peshën e tij.
Fabregas 7.5 – I palodhshëm. Shkatërroi aksionet kundërshtare, ndërtoi aksionet e skuadrës së tij, krijoi raste për shënim dhe mbi të gjitha gjeti rrugën e rrjetës.
Pedro 4.5 – Në hije thuajse gjatë gjithë ndeshjes dhe në ato raste që pati për të gjetur rrugën e rrjetës, u tregua i pasaktë.
Mesi 6.5 – Edhe pse është i pamarkueshëm kur ka topin në zotërim, dje nuk arriti të shfaqë të gjithë potencialin e tij.
Iniesta 7 – Inteligjent në çdo lëvizje, aq sa shpeshherë detyroheshin ta ndalonin duke shkaktuar faull.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"