VAR që në fazën e katërt, zbulohet plani i FSHF-së. FIFA zbarkon në Tiranë këtë javë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2020 | 0:24

VAR që në fazën e katërt, zbulohet plani i FSHF-së. FIFA zbarkon në Tiranë këtë javë

A do të ketë VAR brenda këtij sezo ni në kampionatin shqiptar, apo jo? A është i vlefshëm ai në këtë pikë të sezonit dhe si do të mund të implementohet teknologjia që vendos drejtësi kur gjyqtarët në fushë gabojnë, kur shumicën e stadiumeve vendi ynë i ka ende të amortizuar. “Panorama Sport” mëson nga burime të besueshme brenda federatës se drejtuesit e saj do të bëjnë një tentativë që të aplikohet sistemi VAR të paktën për fazën e katërt të kampionatit. Shumë e vështirë, por jo e pamundur. 

VAR-900

FIFA ZBARKON NË TIRANË 

Ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2022 do të zhvillohen të gjitha në stadiume ku të mund të përdoret sistemi VAR. Një delegacion i FIFAs do të zbarkojë këtë javë (priten që sot) në Tiranë dhe do të inspektojë nga afër disa nga stadiumet shqiptare (“Air Albania”, “Loro Boriçi” dhe “Elbasan Arena”), ndeshje ku mund të luajë Shqipëria gjatë fushatës së ardhshme eliminatore të Botërorit 2022. Pas kësaj do të nisë menjëherë puna për t’i bërë gati këto stadiume dhe FSHF pritet ta shfrytëzojë këtë rast që ato të mbarojnë brenda një afati sa më të shkurtër. Natyrisht, koston financiare për këtë do ta mbajë FIFA. Nëse gjithçka do të shkojë mirë, federata do të përpiqet që faza e katërt në pjesën më të madhe të stadiumeve të luhet duke pasur sistemin VAR. Në këtë mënyrë do të mund të testojë edhe nëse gjërat funksionojnë apo jo dhe të nxjerrë në pah mangësitë për sezonin e ardhshëm.

var-screens-on-the-side-of-the-football-pitch-136424429750703901-180118153216

 ZYRA QENDRORE NË… FSHF 

Ideja fillestare është që zyrat qendrore, aty ku qëndrojnë bashkë trupa e arbitrave për të vlerësuar rastet e dyshimta, të jetë në brendësi të ambienteve të godinës së re të FSHF-së, e cila po ndërtohet pranë ish-kompleksit “Dinamo”. Nëse ndodh kështu, nuk tingëllon hiç mirë për hir të së vërtetës. Zakonisht zyrat ose janë në çdo stadium, ose kanë një qendër vëzhgimi në selinë e Ligës Profesioniste dhe nëpërmjet furgonëve lëvizës të regjisë, bëhet i mundur gjithë ky proces. Natyrisht, në gjendjen ku është sot futbolli shqiptar, edhe nëse zyrat e VAR-it do të ishin në çdo stadium, sërish aty njerëzit e FSHF-së do të merrnin vendimet përfundimtare, por gjithsesi do të dukej më korrekte. Mbetet për t’u parë…

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"