VAR-i – “sëmundja” më e re e futbollit të Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2022 | 20:41

VAR-i – “sëmundja” më e re e futbollit të Shqipërisë

Nga BESNIK DIZDARI

Dizdari2

Me sa duket, kështu është. VAR-i është “sëmundja” më e re e futbollit të Shqipërisë, sepse futbolli i Shqipërisë ka disa “sëmundje”, diagnostikimi i të cilave ka kohë që është bërë, pavarësisht se mungon mjekimi.

Mungon “mjekimi”, ngaqë ata të cilëve Shqipëria ua ka lënë ndër duar drejtimin e tij, nuk dëgjojnë. Duket se u pëlqen vetëm vetvetja e mbështetur fort prej një rrethi të ngushtë të të përulurve. Natyrisht midis tyre ka që nuk janë të tillë, por me sa duket, këta janë pak, ose nuk u dëgjohet zëri, ose heshtin, ngaqë shohin se nuk mund të ndikojnë.

Tash sapo është shfaqur “sëmundja” më e re: ajo e të ashtuquajturit VAR.

Përcaktimi i të cilit është ky: “Një mjet i përdorur nga zyrtarët e ndeshjeve për të shqyrtuar situata të diskutueshme”. Dhe dy zyrtarët e ndeshjes që bashkëpunojnë me arbitrin në fushë janë ata që “quhen” VAR. Eshtë akronimi anglisht i “Video Assistant Referee”, që do të thotë “arbitër ndihmës i videos” (ky duhet të jetë një gjyqtar aktual, në aktivitet ose në pension) dhe AVAR që edhe këtu akronimi është nga anglishtja: “Assistant Video Assistant Referee”, që shkurt në shqipe do të thotë “ndihmës i VAR-it”, zakonisht një ndihmësarbitër.

Përcaktimi vazhdon duke theksuar se këta janë njerëz të ditur të arbitrimit në futboll, të cilët shqyrtojnë situatat e dyshimta të ndeshjes me ndihmën e filmimeve. E vërteta është se VAR-i ka ngjallur shumë diskutime në botën e futbollit e natyrshëm ka edhe kundërshtarët e tij. Kjo, ngaqë shkakton ndalesa të lojës, shpesh duke cenuar ecurinë përmbajtësore të saj, ku më shumë mund të përfitojë skuadra e cila po luan më dobët. Sepse, “ndërsa jam në kulmin e epërsisë, papritmas ma ndërpret vrullin arbitri i cili vrapon për te VAR-i”.

Ka të skajshëm që thonë se VAR-i do ta ketë jetën të shkurtër, teksa pyesin: “Po si paska bërë futbolli deri tani pa VAR-in?” Ndërsa unë këtu do të pyesja: “Si qenkan zhvilluar kampionatet e Shqipërisë tash 92 vjet pa VAR-in?” Përgjigjja më thotë se, me ndonjë përjashtim të vogël, ata janë zhvilluar mirë e bukur dhe nuk di që të ketë ndodhur ndonjëherë që kampionia të mos ketë fituar me të drejtë (përjashto kampionatin 1967). E, kështu, jo larg, por javën që shkoi, “sëmundja” e VAR-it shqiptar u shfaq e pamëshirshme.

Një gol spektakolar i Vllaznisë ndaj Partizanit në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë u anulua në mënyrën më të padrejtë të mundshme, duke e shndërruar fitoren e shkodranëve në barazimin 0-0. Kjo ndodhi në gjysmëfinalen e parë të Kupës, e cila luhet me sistemin e eliminimit mbas dy ndeshjeve. E vërteta është se në përmbajtjen e lojës barazimi mund të ishte rezultati më i drejtë. Mirëpo, dihet se sa kapriçoz është futbolli me të papriturat e tij.

Dhe ta dhuron golin atëherë kur as ti vetë nuk e pret. Megjithatë, fluturimi dhe goditja e përsosur me krye e Aralicës nuk kishte asgjë befasuese. Përkundrazi, u përgatit prej një goditjeje nga këndi, që frymëzoi interpretimin e zgjuar dhe elegant të sulmuesit shkodran, kërcimin e tij epror, goditjen me krye përmes një harmonie e teknike të lartë. 1-0 për Vllazninë! Dhe me gjyqtarin që vrapon për te qendra e fushës me dorën e zgjatur për miratimin e golit. Por… ndërsa ai vraponte, papritmas u ndal në vend, mori kthesën e menjëhershme, me sa duket, ngaqë telefoni mund ta ketë urdhëruar, duke i thënë: “Eja këtu shpejt” apo që “Goli nuk është i rregullt” a diçka tjetër!?…

Nuk e dimë nëse i kanë thënë kështu apo ashtu. Ai “shkoi, pa dhe fitoi”? Goli nuk vlen! E pra, ç’nevojë kishte arbitri që t’i nënshtrohej thirrjes nga VAR-i, kur aksioni shkodran që krejt i pastër, madje para syve të tij – e ai ishte krejt afër? Mëkat! Arbitrat shqiptarë janë infektuar keqas nga “sëmundja” e VAR-it. Infektimi është disi i rëndë dhe ka cenuar jo pak deri personalitetin e tyre, që rrezikon të mbërrijë në një nënshtrim që nuk e kemi përjetuar deri më sot.

Në numrin e saj të së shtunës, gazeta “Panorama Sport”, nëpërmjet intervistës së zëvendëskryeredaktorit Jorgis Memo me gjyqtarin e mirënjohur të mëparshëm, Lorenc Jemini, ka sqaruar gjithçka. Titulli është një qartësi gazetareske e rrallë: “Gol i rregullt, arbitri u fut në grackë”. Thënie e Jeminit. Ma do mendja se këtë intervistë të gjithë arbitrat, të VAR-it e të jashtë VARit, nuk do ta lexojnë, por do ta studiojnë. Sepse, Jemini ka zbërthyer në pak radhë se si duhet interpretuar VARi, madje vetë marrëdhëniet e VAR-it me arbitrin e fushës dhe, si të thuash, deri ku shkon kompetenca e VAR-it, të cilin arbitrat shqiptarë po e fetishizojnë. “… Arbitrat kryesorë, – thotë Jemini në intervistë, – kanë filluar të mendojnë që kur i sinjalizon kolegu në VAR, kanë më shumë të drejtë ata që e shohin përmes teknologjisë.

Ferataj VAR logo

Unë e shoh këtë si një problem karakteri dhe autoriteti të arbitrit. Në fund të fundit, është arbitri kryesor që vendos dhe nuk do të kishte asnjë habi, që, pasi i shikon pamjet filmike, të mbash vendimin tënd që more në fushë”. Fjalë ari! Ka shkruar Gianni Brera për Concetto Lo Bello-n, të cilin e cilëson si arbitrin më të mirë në botë: “…Flokë të zinj, të gjatë, të ashpër, me onde, jo të dredhur, hundë të fortë, sy të gjallë, gjithmonë të aftë për të ndriçuar në një dritë jo tamam të mirë, mustaqe të holla të vizatuara qartë mbi një mjekër katrore të një vullneti të fortë… ‘L’etat cest moi!’, dëgjon se mund të gjëmojë falë dhunës së tij të ashpër prej tirani…

Sa mirë për ne, familjen e futbollit, që kemi një gjyqtar të paanshëm si një shenjtor!” Dhe të gjitha këto fjalë plot poezi të fuqishme, që mbërrijnë deri në përcaktimin “tiran” – natyrisht jo në kuptimin e keq të fjalës – nuk nënkuptojnë një sundim të egër, por thjesht një gjykim plot autoritet e personalitet të ndeshjes. Ndërsa perifrazon në frëngjisht: “L’etat c’est moi!” (“Shteti jam unë!”) – thënien e famshme të Luigjit XIV. I tillë është dhe duhet të jetë autoriteti i arbitrit të vërtetë. Doemos, pa mëtuar që Shqipëria e një futbolli “të vogël”, e gjyqtarëve as të vegjël dhe as të mëdhenj, të ketë pra doemos një Concetto Lo Bello. Ajo që mëton është, megjithatë, kjo, e padyshimtë: të mësojmë prej më të mirëve.

Sigurisht, anulimi i golit të Vllaznisë nuk është fundi i botës. Aq më tepër kur sheh se marrëdhëniet VAR – arbitër i fushës kanë shkaktuar mëdyshje të tjera të shumta. Mirëpo, një gjë duhet thënë: se goli i skuadrës mike i anuluar me pa të drejtë në ndeshjen e jashtë fushës – çka i jepte fitoren – ndërsa e lehtëson vendasin, e vështirëson fort synimin e skuadrës, në këtë rast asaj mike. Pra, kualifikimin e saj. Dhe nuk duhet harruar ndërkaq se dëshira për fitimin e Kupës, përveç kënaqësisë që u jep dashamirëve të asaj skuadre, ka të bëjë fort edhe me financat milionëshe, përderisa UEFA të jep vetëm edhe për pjesëmarrje në kupat e saj. E kjo e bën edhe më dramatike e me pasoja aspak të vogla vendimin e gabuar të arbitrit. Çka duhet bërë? Në të vërtetë ka shumë se çka duhet bërë. Kjo kohë po tregon se kuptimi dhe përdorimi i VAR-it në Shqipëri nuk po ecën mirë, për të mos thënë që po ecën keq.

Ndoshta ia vlente të ndalej për disa kohë duke organizuar seminare, një lloj shkolle të përsosjes të specialistëve të VAR-it. Qofsha i gabuar, por mendoj se Shqipëria e vuri disi me nxitim VAR-in. Ajo nuk është qendra e botës së futbollit dhe, me sa dihet, kushedi sa shtete nuk e kanë vendosur ende VAR-in. Shqipëria kishte e ka shumë gjëra më të rëndësishme që po lë pa bërë për futbollin e saj…

Ndërkaq, për të mbërritur te forcimi i autoritetit dhe pavarësisë së arbitrit, VAR-it e tjerë, ndoshta më në fund mund të fillohet nga më e thjeshta. Në mënyrë që, përfundimisht, nuk duhet caktuar asnjë gjyqtar, VAR-ist, delegat, vëzhgues kur luan një skuadër e kryeqytetit me një të qyteteve. Ata mund të jenë fort të ndershëm, mirëpo, dihet, se kjo përherë lë shkas për mosbesime e kundërshtime. Nuk ishte aspak e drejtë që te ndeshja Partizani – Vllaznia të kishte një kryeqytetas te VAR-i dhe as që delegati e vëzhguesi të ishin po nga kryeqyteti.

Nëse kjo qenka normale, përse FIFA e UEFA në ndeshjet tona ndërkombëtare i sjellin ata nga shtete të tjera? Ose: mos ço delegat në ndeshjet në Shkodër, por, bie fjala, cakto atje të sprovuarin Mëhill Shkami. Por këtë deri më sot nuk ke guxuar ta bësh asnjëherë. Veprim që do të thotë se për këto role i quan më të ndershëm ata nga kryeqyteti. Do të isha shumë kërshëritar të mësoja se çka kanë shkruar ata të ndeshjes për golin e anuluar të Vllaznisë. Por jo vetëm. Për çudi, kurrë nuk merret vesh se çka shkruajnë vëzhguesit e ndeshjeve tona.

Relacione këto që do të duhej të bëheshin tejet përcaktuese edhe për ndalimet e përkohshme të gjyqtarëve që gabojnë. Dhe në fund të fundit: Cila është përbërja e sektorëve të arbitrimit, apo edhe këtu sundon deri në qelizë kryeqyteti Tiranë? Është edhe kjo anësi e cila ka bërë që Shqipëria ka shkuar tejet mbrapa me formimin edhe rritjen e personaliteteve të arbitrimit si dikur, nga Shkodra, Durrësi, Vlora, Korça a Elbasani – qendra tona të mëdha këto të futbollit kombëtar.

Ndërkaq, tema e acarimeve që shkaktojnë këto vendime të padrejta arbitrale, që po forcohen edhe nga nënshtrimi artificial ndaj VAR-it, çka u pa në fundin e ndeshjes në fjalë, mbetet për një herë tjetër.

Për fat, kthimi në Shkodër i do edhe disa ditë – e kjo do të vlejë për t’u ulur “i nxehti” dhe për t’i dhuruar Kupës një ndeshje vërtet spektakolare, të ndershme, të paanshme e të drejtë në gjithçka. Ndoshta vetëm një gjë “nuk mund ta kemi në dorë”: publikun pasionant të Shkodrës që ta do mendja se edhe kësaj here do të jetë siç e ka në traditë: mbështetës i madh i Vllaznisë së tij, por tejet “Fair Play” në qëndrimet etike të respektit ndaj kundërshtarit, çka një ndeshje kësisoj kërkon. E, “sëmundja” e VAR-it do shëruar sa më shpejt.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"