Vangjel Zguro me probleme fizike, tek Skënderbeu bie në sy… Vrapi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 30, 2021 | 22:50

Vangjel Zguro me probleme fizike, tek Skënderbeu bie në sy… Vrapi

Skënderbeu është i gjithi sy e veshë nga gjendja e Vangjel Zguros. Duket se problemet fizike po e mbajnë pogradecarin jashtë ekipit prej disa javësh tashmë, duke mos e lejuar të stërvitet plotësisht me grupin. Kjo ka bërë që stafi i Skënderbeut të jetë në ankth dhe në pritje për kohën e rikthimit të mbrojtësit të majtë.

Zguro

Pogradecari, i cili vendosi të qëndronte edhe për një tjetër sezon në Korçë duket se nuk po gjen qetësi nga shqetësimet fizike të cilat e mundojnë që prej finales së kupës edicionin e kaluar ndaj Vllaznisë. Ndeshje të cilën Zguro sakrifikoi për të qenë në fushë duke luajtur me qetësues për të mos humbur atë takim. Prej asaj kohe 28-vjeçari i Skënderbeut ka qëndruar më shumë në infermieri me terapi dhe seanca të diferencuara sesa në përgatitje me ekipin. Kjo bën që në kampin bardhekuq meraku për të të jetë i madh edhe për vetë faktin se Zguro mbetet një nga lojtarët kryesorë të Skënderbeut për sezonin e ri, por edhe për vetë faktin se Memelli dhe klubi besuan për t’i dhënë shiritin dhe për ta graduar kapiten këtë sezon. Mungesa e tij pritet që të sjellë jo pak probleme te Skënderbeu sidomos në krahun e majtë të mbrojtjes.

PROBLEMET

Problemet fizike që e shqetësojnë Zguron nuk janë të panjohura për korçarët dhe nuk ka një datë të saktë për rikthimin e tij në fushë. Pogradecari vuan pak a shumë një shqetësim të ngjashëm si Mërgim Shala sezonin e kaluar. Bëhet fjalë për indet e buta në këmbën e majtë të futbollistit që kalcifikohen dhe nuk e lejojnë të jetë në 100% të mundësive të veta pasi krijojnë shqetësime. Pas kontrolleve mjekësore lojtarit i është thënë se duhet të vijojë me terapi për tu rikuperuar. Por është një problem që mund të zgjasë nga tre javë deri në disa muaj. Kjo e bën që Skënderbeu të jetë në ankth për të. 28-vjeçari momentalisht po kryen fazën e terapive në Elbasan dhe shpreson që gjithçka të mbyllet sa më mirë për një kohë të shkurtër dhe të jetë gati sa më shpejt për ekipin. Por ajo që është e sigurt mbetet fakti se Zguro do të mungojë për startin e kampionatit dhe minimal isht mund të humbasë të gjithë muajin shtator.

ZËVENDËSIMI

Përtej problemeve dhe handikapit cilësor që krijon mungesa e Zguros në Korçë duket se janë disi më të qetë pasi është gjetur zgjidhja momentale e mungesës së pogradecarit. Paraqitjet e mira që ka bërë në ndeshjet miqësore Jurgen Vrapi duket se kanë bindur Memellin që mund t’i besojë atij për krahun e majtë të mbrojtjes. Megjithëse Vrapi është një mesfushor në pozicionin e tij natyral, ai është përshtatur më së miri me skemën e trajnerit bardhekuq saqë jep garanci në krahun e majtë difensiv. 22- vjeçari po tregon cilësi të mira dhe është gati për një fanellë titullari në pozicionin e mbrojtësit të majtë të Skënderbeut edhe në skemën 5-3-2.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"