Vandalizmi/ Thyhen 290 stola në derbin e kryeqytetit, e “paguan”… Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2022 | 14:41

Vandalizmi/ Thyhen 290 stola në derbin e kryeqytetit, e “paguan”… Tirana

Nuk kemi vandalë dhe nuk kemi as huliganë në Shqipëri, por ama incidentet nuk kanë munguar. Madje as në derbi.

ULTRAS GUERRLIS

Burime të sigurta të “Panorama Sport” bëjnë të ditur se gjatë ndeshjes Partizani-Tirana 0-2 janë thyer mbi 290 stola.

Praktikisht është masakruar pa asnjë arsye dhe në mënyrë barbare impianti më i mirë që ka Shqipëria sot. Dhe nuk është hera e parë, sepse kjo ka ndodhur sistematikisht edhe në të shkuarën, por jo në këto përmasa.

Madje, pati edhe individë të papërgjegjshëm që copat e stolave të thyer i hodhën në drejtim të lojtarëve në fushën e lojës.

Portieri Bekaj ishte me fat në një moment, sepse drejt tij fluturoi një stol i thyer dhe mund t’i kishte shkaktuar dëme të mëdha.

“PAGUAN” TIRANA

Jo në kuptimin e dëmshpërblimit, sepse Komisioni i Disiplinës ende nuk ka dhënë një vendim dhe nuk është sqaruar se kush i ka bërë dëmet më të mëdha: tifozeria e kuqe, apo ajo bardheblu.

Por Tirana e ka paguar në mënyrë tjetër çmimin e vandalizmave në derbi, sepse drejtuesit e FSHF-së kanë vendosur të mos lejojnë që ndeshja me laçin të luhet në “Air Albania”, por në “Selman Stërmasi” ditën e premte në orën 15:00.

Revolta e FSHF-së qe e mirëmban stadiumin është e kuptueshme, por që ta mbyllë impiantin sepse për para ka ndeshje Kombëtarja me Italinë, kjo nuk shkon.

Po përtej kësaj, ka ardhur koha që për dëmet e shkaktuara të mos mbajnë faturën vetëm klubet, por individët që kryejnë këto akte vandale.

Pamjet janë aty, sepse stadiumi është i pajisur me kamera.

Moda kur Cara gjakoset në fushë me sende të forta në një stadium të sapoinauguruar, apo që thyhen 280 stola në një ndeshje derbi duhet të marrë fund.

Ndërkaq, sa për saktësim, FSHF-ja e ka spostuar ndeshjen në “Selman Stërmasi” edhe sepse klubet e kryeqytetit mësohet se nuk kanë shkaktuar dëmet e incidenteve të mëparshme.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"