Vanda Nara vendos të ardhmen e kapitenit, takim me Juven për Ikardin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2018 | 20:25

Vanda Nara vendos të ardhmen e kapitenit, takim me Juven për Ikardin

Pushimet për Vandën e Mauron nën diellin e Seisheles kanë përfunduar. Tani për çiftin Ikardi priten sërish ditë të nxehta: Vanda, në fakt, është gati të zëvendësojë mikro-bikinin dhe të veshë “petkun” e menaxheres për t’i garantuar bashkëshortit të saj të ardhmen më të mirë të mundshme. Do bisedojë me Interin rinovimin, por jo vetëm.

vanda ikardi

IKARDI-HIGUAIN – Sipas raportimit të djeshëm nga “Tuttosport”, në fakt, Vanda Nara ka programuar një takim me Juventusin: prej javësh bardhezinjtë interesohen për kryegolashënuesin e kampionatit (29 gola për sezonin 2018-’19) në rast largimi të Gonzalo Higuainit. Një takim ku çifti argjentinas dëshiron të njohë projektin e drejtuesve bardhezinj, që kanë propozuar shkëmbimin me “Pipita”-n plus një shumë prej 50 milionë eurosh. “Rokadë” që ka marrë edhe miratimin e dy trajnerëve Masimiliano Alegri e Luçiano Spaleti, gjithmonë sipas së përditshmes italiane, edhe pse krerët e klubit interist mësohet të mos i kenë pritur mirë.

HIPOTEZA – Bisedimet, megjithatë, nuk priten të lehta. Pista më e kuotuar mbetet rinovimi i Ikardit me Interin, me rritje page (përtej 8 milionëve në sezon, tani së bashku me bonuset përfiton rreth 5 milionë) dhe klauzolë: tani 110 milionë euro, e vlefshme vetëm për jashtë Italisë; pas modifikimit Vanda dëshiron ta rrisë 150 milionë euro, edhe pse klubi milanez do kërkojë me shumë mundësi ta “anulojnë” plotësisht. Ikardi, në krahun e tij, e ka pranuar gjithmonë me dëshirë hipotezën për të qëndruar në Milano me fanellën zikaltër, skuadrës për të cilën shënoi 29 gola sezonin e kaluar duke i rikthyer (thuajse i vetëm) në Ligën e Kampionëve.

Përgatiti: LEDIO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"