Valle, puro dhe birra, tifozë të Romës dhe Fejnordit shfaqen në “Selman Stërmasi”/ Ja si e festoi Tirana titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2022 | 22:32

Valle, puro dhe birra, tifozë të Romës dhe Fejnordit shfaqen në “Selman Stërmasi”/ Ja si e festoi Tirana titullin

Festë, kështu mund të përshkruhej dita e djeshme për ekipin e Tiranës, që u shpall për herë të 26-të kampion kombëtar i Shqipërisë.

Kampion Tirana

Emocione pa fund nga lojtarët, stafi teknik, drejtuesit, presidenti dhe deri te të afërmit e tyre. Fundi i një sezoni, që verdikt kishte Tiranën në krye dhe pas përfundimit të ndeshjes me Kukësin, festa e titullit nisi duke zgjatur deri rreth orës 23:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”, ku ishte vendosur edhe skena, ku mbi të, nën ritmin e këngëtarëve të njohur si Pajtim Struga, Artiola Toska, Ronela Hajati apo grupi “West Side Family”, lojtarët u dëfryen duke kërcyer valle më së shumti.

283764831_402856611850018_5439470396033484804_n

Ishte një ditë që i përmblodhi të gjitha ngjarjet, që nga dorëzimi i Kupës nga presidenti i FSHF-së Armand Duka, mosdurimi i tifozëve për të festuar te lojtarët, lamtumira e kapitenit Hoxhallari që largohet si kampion dhe deri te tensioni tek ekipi i Kukësit që edhe pse fitoi sërish duhet të marrë një asist nga Partizani për të luajtur në Europë.

“Panorama Sport” sjell për lexuesit e saj të gjitha momentet pikante që ndodhën në ditën e ndeshjes, por edhe ceremonisë së shpalljes kampion të ekipit të Tiranës.

Tirana festa

* Temperaturat e larta në orën 17:00, atëherë kur nisi edhe sfida mes Tiranës dhe Kukësit, nuk i penguan tifozët bardheblu që deri në fundin e pjesës së parë stadiumi ishte pothuajse i mbushur.

* Një moment keqkuptimi te dera e stadiumit, ku rojet nuk njohin Refik Halilin dhe e bllokojnë, derisa ju shpjegoi se ishte presidenti i Tiranës.

* Te pista dhe anash stolit rezervë ishin vendosur shumë fuçi me birrë për t’i shërbyer në përfundim të ndeshjes. E veçanta ishte që shumë tifozëve nuk u durohej dhe shkonin me lekë në dorë nga pjesa e tribunës për të blerë një birrë. Stafi që shërbente bëri disa përjashtime.

* Mbrapa portës, te pjesa jugore e stadiumit, ishte ngritur skena ku në përfundim të ndeshjes do të performonin këngëtarët. Në disa raste ekranet dhe bokset shpëtuan mirë nga goditjet e Xhixhës dhe Limajt.

* Përpara ndeshjes spikeri u kërkoi tifozëve që në momentin kur ai të thoshte emrin e lojtarëve të formacionit, ata të brohorisnin mbiemrin, por kjo nuk u mor parasysh nga tifozët bardheblu që vazhduan të këndonin këngët e tyre.

* Të pranishëm në tribunën e medias ishin edhe 5 gazetarë të huaj, të cilët pas ndeshjes Roma-Fejnordi preferuan që të ndjekin nga afër edhe ndeshjen Tirana-Kukësi.

* I pari president mbërrin ai i Kukësit, Safet Gjici, ndërsa Refik Halili vjen pak momente para se të fillonte ndeshja. Të dy nuk e shohin bashkë ndeshjen, por secili më vete, pasi vendi në mes ishte rezervuar për presidentin e federatës.

* Në tribunën qendrore nuk mungonin edhe disa menaxherë apo ish-gjyqtarë, si Lorenc Jemini që pati edhe një përshëndetje dhe qeshje në distancë me Safet Gjicin. Po ashtu ndeshjen po e ndiqte edhe Gerhard Progni, që u shpall golashënuesi më i mirë në Kosovë.

* Në momentin e daljes së Tiranës, ekipi i Kukësit e respekton duke formuar tunelin e kampionëve. Gjest i bukur nga verilindorët.

* Nga fusha e veçanta ishte që shiritin e kapitenit te skuadra e Kukësit e mbante Pablo de Lukas, edhe pse Gjelbrim Taipi ishte në fushë.

* 39, 42 dhe 67. Këto ishin tri shifrat që u shpalosën si koreografi nga tifozët dje në stadium pas pak minutash nga nisja e ndeshjes. Të tria shifrat nënkuptojnë trofetë e mohuar të klubit bardheblu, që në zemrat e tifozëve janë 29-të dhe jo 26-të.

* Rasti i artë i shpërdoruar për Kukësin dhe Gjici nuk përmbahet: “Po çfarë bën mor”.

* Pas 15 minutave ngjitur me presidentin Halili vjen edhe zëvendëspresidenti i federatës, Lutfi Nuriu, ndërkohë në fushë dhe në krahun e djathtë të mbrojtjes së Tiranës luante djali i tij, Rei Nuriu. Një tifoz që ishte aty i ofron që të mbajë flamurin bardheblu, por Nuriu ia bën me shenjë që jo.

* Momenti i koreografisë së dytë ishte po me kuptimin e njëjtë: “29 herë kampion”, shkruhej në një flamur të shtrirë në rreth 50 metra.

* Shehi gjen kohën që të këshillojë nga afër Seferin, ndërsa nga ana tjetër Longo nuk shfaqet në këmbë si gjithmonë, por shumicën e kohës rri i ulur në stol, deri në momentin që skuadra e tij kalon në avantazh.

* Një sërë personazhesh të botës së futbollit, por edhe nga politika ishin të pranishëm në stadium. Nga nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku, deputeti Arbi Agalliu, ish-lojtarët, Ardian Mema dhe Agustin Kola, të gjithë në praninë e familjarëve të tyre. Si tifoz special kishte ardhur edhe ishlojtari bardheblu, Albi Doka.

* Në pushim të pjesës së parë u shpërndanë mijëra bluza të bardha për tifozët me mbishkrimin 26, numri zyrtar i kampionateve të fituara.

* Vazhdojnë të shiten në masë birrat, kjo për shkak edhe të temperaturave të larta.

* Një flamur i Fejnordit ishte në mbështetje të Tiranës, ndërkohë që në stadium ishin të pranishëm edhe tifozët e Shkupit dhe dy tifozë të Romës.

fejnord

* Në pushim, në stadium shihet presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Në një moment pati edhe një shtrëngim duarsh mes tij edhe Lorenc Jeminit, i cili ka qenë disi kritik në kohët e fundit.

* Minuta e 54-t, ndërpritet ndeshja. Shkak u bënë disa tymuese që tifozët hodhën në shkallët e stadiumit. Reja e tymit ishte shumë e madhe sa detyroi edhe një pjesë të lojtarëve që të largoheshin nga pjesa tjetër e fushës.

* Një numër i konsiderueshëm i femrave në stadium, ndryshe nga herët e tjera.

* Del nga fusha Hoxhallari për Gent Mucën. Duartrokitje të forta në stadium. Kapiteni përfaqëson gjithë stafin dhe lojtarët një nga një.

* Një moment konfuz në stadiumin “Selman Stërmasi”. Rreth minutës së 70-të, një nga shtyllat e ndriçimit u përfshi nga tymi i zi. Të gjithë në fillim e menduan sikur kishte marrë flakë nga një defekt, por e vërteta ishte që aty tifozët kishin vendosur një tymuese me ngjyrë të zezë.

* Një moment gazmor te goli i dytë i Tiranës, i shënuar nga Mario Beshiraj. Spikeri bërtet emrin e Përgjonit, si autor të golit. Ndërkohë, më pas e shpjegon që distanca e largët ku ndodhej nuk e lejonte që të identifikonte shumë mirë lojtarin.

* Në fund të ndeshjes ka tension mes stafit të Kukësit dhe Bytyçit. Nuk kuptohet përse.

* Në momentin e ceremonisë, kapiteni Hoxhallari shoqërohet nga ish-kapiteni i famshëm Nuri Bylyku. Presidenti Duka i dorëzon trofeun dhe Hoxhallari e ngre atë mes të gjithë tifozëve, të cilët ishin të paduruar për të festuar dhe u bashkuan me lojtarët dhe stafin.

* Në festën e titullit të Tiranës duket se nuk kanë munguar as legjendat që kanë bërë histori me këtë klub. Njëri prej tyre është dhe Agustin Kola. Ish-sulmuesi bardheblu shihet duke ngritur trofeun mes tifozëve të ekipit.

* Festë e madhe, foto me Kupën, Shehin që e hedhin në ajër tifozët, bluza të dhuruara, deri te banketi i shtruar për lojtarët dhe familjarët e tyre. Gjumsi, Najdovski dhe Totre festojnë me puro. Më pas fillon koncerti me këngëtarët e ftuar duke e djegur deri në orën 10:30.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"