“Valë” rinovimesh tek skuadra e Kategorisë së Parë, firmosin me portierin dhe qendërmbrojtësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2021 | 23:05

“Valë” rinovimesh tek skuadra e Kategorisë së Parë, firmosin me portierin dhe qendërmbrojtësin

Lushnja vazhdon me “valën” e rinovimeve. Portieri Ariol Kaloshi dhe qendërmbrojtësi Aldo Bani janë dy futbollistët e radhës që janë “blinduar” nga ana e klubit për sezonin e ri. Kështu, ka shkuar në 10 numri i firmave të hedhura në ekip. Shtatë janë nga ata që luajtën edhe kampionatin e fundit, ndërsa tre janë afrime të reja. Portieri do të luajë sezonin e katërt radhazi te verdhejeshilët, teksa më parë ka qenë pjesë e Naftëtarit, Besës dhe Tomorit.

lushnjaa

Është vetë 21-vjeçari që konfirmon marrëveshjen, ndërsa për gazetën thotë: “Po, kam rinovuar. Shpresoj të kemi një sezon të mirë. Po përgatitemi dhe besojmë se do të na shkojë mbarë ky vit. Jemi një hap para, ndaj jam i bindur që do kemi sukses”. Sakaq, qendërmbrojtësi hyn në vitin e tretë radhazi me këtë fanellë.

Vetëm vjet 21-vjeçari mori më shumë hapësirë. Ai pati një aktivizim më intensiv dhe arriti të shënonte edhe një gol. Është i lumtur për marrëveshjen dhe premton se do të japë më shumë nga vetja, për t’u evidentuar. “Jam shumë i kënaqur që kam rinovuar dhe që do të jem përsëri pjesë e Lushnjës. Synimi im është të përgatitem mirë dhe të jem një futbollist i dalluar”, përfundoi Bani.

LUSHNJA U-19 – Të rinjtë e Lushnjës janë shumë pranë kalimit në Kategorinë Superiore të kësaj grup-moshe. Nesër në orën 18:00, në Pezë-Helmës, ekipi do të luajë me Vorën ndeshjen e fundit të fazës “play off”. Një fitore e mundshme do t’i dërgonte verdhejeshilët në elitë, pas katër vitesh mungesë.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"