Vajtje-ardhje me 26 lojtarë, tani Teuta pret 2 goditje të mëdha në sulm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 28, 2017 | 8:41

Vajtje-ardhje me 26 lojtarë, tani Teuta pret 2 goditje të mëdha në sulm

Dhjetë afrime dhe 16 largime deri më tani. Teuta është rinovuar tërësisht pas përfundimit të sezonit 2016-2017, teksa klubi ka të tjera ambicie, për një skuadër që nuk do të jetë thjesht në mesin e tabelës, por të synojë trofe dhe minimalisht të marrë pjesë në Kupat e Europës.

Teuta

Presidenti Edmond Hasanbelliu, bashkë me ortakun e tij, Ardian Bardhi, po punojnë në këto ditë vere për një Teutë bindëse, e cila do të jetë e denjë për vendet e para. Klubi ka vijuar me politikën e afrimit të lojtarëve të rinj në moshë, teksa Arbër Beqaj dhe Esin Hakaj blindojnë krahët e mbrojtjes. Gjithashtu afrimi i Ante Hrkaç, Albi Dosti, Ardit Shehaj, Anel Dediç dhe Semin Haxhibuliç ka shtuar cilësinë në grup, duke kompesuar në farë mënyrë, largimet e rëndësishme si Kotobelli, R.Hoxha, Progni etj. Megjithatë, drejtuesit nuk janë ende të kënaqur, pasi sipas tyre, goditjet e mëdha do të jenë në sulm. Nuk bëhet fjalë vetëm për një lojtar, por dy të tillë.

halili hasanbelliu

“Do të bëjmë një sakrificë financiare për të sjellë një qendërsulmues tipik dhe një sulmues krahu me karakteristikat e Prognit. Jemi në bisedime të vazhdueshme me dy sulmues të huaj, por për momentin nuk mund të themi se kemi arritur një marrëveshje. Duam sulmues që vërtet bëjnë diferencën, prandaj dhe s’po nxitohemi”, konfirmoi dje presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, në një bisedë për “Panorama Sport”.

Kreu i klubit u rezervua për të dhënë detaje. Megjithatë, gazeta mëson se prej javësh drejtuesit janë futur në bisedime me sulmuesin nga Guniea-Bisau, Ze Turbo, i cili është në pronësi të Interit. Qendërsulmuesi 20-vjeçar ka qenë i huazuar në sezonin e fundit te Marbela në Spanjë. Tashmë është në dorë të klubit zikaltër për të dhënë sërish në formë huazimi lojtarin. Te Teuta shpresojnë që Ze Turbo të pranojë ofertën.

GANEZI NUK BIND

Prej një jave është afruar pranë Teutës një sulmues ganez, i cili po provohet nga trajneri Gugash Magani. Bëhet fjalë për 23-vjeçarin, Latif Amadu, i cili në sezonin e kaluar u aktivizua me Dinamo Brest në kampionatin bjellorus. Burime në klubin durrsak tregojnë se Amadu nuk e ka bindur plotësisht trajnerin Magani dhe gjasat janë që të mos i ofrohet një kontratë.

Latif Amadu

Në miqësoren e fundit ndaj skuadrës italiane të Riciones, sulmuesi arriti të shënonte golin e parë në fitoren 2-0 të Teutës. Gjithsesi, kjo nuk mjafton për të bindur Maganin, i cili mësohet se u ka shprehur rezerva drejtuesve, në lidhje me cilësitë e ganezit.

Në ditët në vijim pritet të ketë një vendim përfundimtar, teksa shansi i fundit i 23-vjeçarit është miqësorja e radhës me një tjetër klub italian të Serisë D, pikërisht Vis Pesaro 1898. Ky test do të luhet më 30 korrik, ndërsa më pas, Teuta pritet të zhvillojë edhe dy ndeshje të tjera, deri në përfundim të fazës përgatitore në Rimini.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"