Uzuni sfidon Ronaldon, ëndërron surprizën në shtëpinë e Juventusit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2020 | 9:00

Uzuni sfidon Ronaldon, ëndërron surprizën në shtëpinë e Juventusit

Ëndrrat bëhen re alitet. Madje, edhe mbathjet që vesh i kam të markës së Kristiano Ronaldos”. Ishte kjo deklarata e bërë nga Myrto Uzuni ekskluzivisht për “Panorama Sport” pas zbardhjes së shortit të Ligës së Kampioneve, me mesfushorin e Kombëtares shqiptare që pavarësisht se në grup kishte edhe Lionel Mesin e Barcelonës u shpreh hapur se idhulli i tij është juventini.

Uzuni

Por ndërsa infektimi me “COVID” i mohoi mundësinë që të përballej në ndeshjen e parë me “Pleshtin” argjentinas, kundër Ronaldos ia doli që të luajë në fushë në 14 minutat e fundit të sfidës së tri javëve më parë, madje duke lënë edhe gjurmën e tij, pasi goli i Bolisë lindi edhe nga një prekje e 25-vjeçarit në zonë, përpara se të shkonte në këmbët e shokut të tij të sulmit, i cili do të realizonte golin e nderit në humbjen 4-1 në Budapest.

Gjithsesi, mbrëmjen e sotme në “Allianz Stadium”, Myrto Uzuni pritet që të ketë më shumë sesa një grusht me minuta, duke qenë se sipas uebsajtit “tirto.id”, beratasi është provuar me formacionin titullar, në skemën 4-2-3-1, ku do të jetë në mbështetje të pykës Boli.

Nga ana tjetër, Kristiano Ronaldo dhe Juventusi nuk do të pranojnë absolutisht që të bëjnë një hap fals në Torino, aq më tepër për faktin se në rast fitoreje (dhe nëse Dinamo e Kievit nuk mund Barcelonën) do të kualifikoheshin matematikisht për në 1/8-at e Ligës së Kampioneve.

Sulmuesi portugez vjen shumë i karikuar në këtë ndeshje pas dopietës në kampionat kundër Kaljarit, e cila ka vlejtur rekordet e radhës për të në karrierë:

Ronaldo ka shënuar 35 gola në 35 ndeshje në “Allianz Stadium” si asnjë tjetër në historinë bardhezi, me atë në fushë në kampionat, në strofkën e tyre Juventusi nuk ka humbur kurrë dhe mbi të gjitha ka barazuar startin më të mirë në karrierë, duke qenë se pas 8 ndeshjeve (CR7 ka luajtur 6 ndeshje, prej “COVID”-it) të para ka realizuar 8 gola, njësoj si me Realin e Madridit në sezonin 2015-2016. Prandaj, Uzuni dhe Ferenvaroshi janë të paralajmëruar.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"