“Ushtari” Deliaj: Koha për kthesë, ndaj Laçit duhet të kemi kujdes…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2019 | 16:12

“Ushtari” Deliaj: Koha për kthesë, ndaj Laçit duhet të kemi kujdes…

Fjoralb Deliaj është një nga besnikët e Flamurtarit. Pavarësisht kushteve të vështira financiare, ai nuk u josh as nga ofertat. Vlonjati sakrifikoi për hir të fanellës dhe nuk bëhet aspak pishman. Kokulur dhe “ushtar” i bindur në fushë, mbrojtësi ndihet keq për situatën që po kalon ekipi i zemrës. Por nuk dorëzohet, pasi ka bindje që do të ringrihet dhe do të qëndrojë mes më të mirëve.deliaj

Në një intervistë për “Panorama Sport”, 22-vjeçari thotë se ka përgjegjësi më të madhe këtë vit, duke qenë se pjesa më e madhe e lojtarëve janë të rinj. Shpreson që fitorja e parë të vijë ndaj Laçit, por paralajmëron shokët që të kenë kujdes Nuabuezen.

Fjoralb, si po përgatitet Flamurtari për ndeshjen me Laçin?

Ndërprerja na ndihmoi shumë që ta përgatisnim më mirë ndeshjen dhe të kompletoheshim. Disa lojtarë që ishin të dëmtuar janë rikuperuar dhe kanë mundësi që të jenë gati për Laçin. Jemi stërvitur me angazhim të plotë për të zbatuar detyrat që na ka dhënë trajneri Birçe. Besoj se jemi në një situatë të mirë dhe të karikuar maksimalisht për të dhënë më të mirën e mundshme. Shpresoj që në fushë gjithçka të na shkojë mbarë.

I druheni kundërshtarit që do të keni të dielën?

Laçi ka shumë lojtarë të mirë, por unë besoj se sulmuesi Nuabueze është rreziku kryesor. Duhet që të jemi vigjilentë dhe të kemi shumë kujdes në këtë takim. Them se me përqendrim maksimal, por edhe me një lojë me zemër dhe shpirt në fushë, do të bëjmë të mundur që të dalim me një rezultat pozitiv në këtë takim.

Do të ishit të kënaqur edhe me një barazim, apo ka ardhur koha për një fitore?

Ne hyjmë gjithmonë në fushën e lojës me mentalitetin e fituesit. Kjo do të thotë se për ne çdo ndeshje ka vlerën e tri pikëve. Kështu që, do të tentojmë fitoren edhe në ndeshjen me Laçin, pavarësisht se i dimë vështirësitë që do të ketë kjo ndeshje, pasi ajo është një fushë e vështirë. Mendoj se edhe barazimi do të ishte një rezultat i mirë, por fitorja do të na kënaqte më shumë në këtë situatë. Duhet të marrim sa më shumë pikë, për të rregulluar pozitat në klasifikim.

 Si mendoni, cilat janë shkaqet e kësaj situate të vështirë te Flamurtari?

Shkaqet e kësaj situate dihen se cilat janë. Ashtu sikundër edhe presidenti e ka thënë, pritet ligji i sportit. Idrizi na ka dhënë fjalën që situata do të ndryshojë dhe ne kemi shumë besim tek ai.

Çfarë ka sjellë ndryshe trajneri Birçe në ekip?

Me Luan Birçen, ekipi ka realizuar shumë ndeshje të mira dhe kemi qenë gjithmonë e në rritje. Unë them se gjëja kryesore që trajneri ka bërë, është kthimi i besimit te lojtarët. Jemi shumë të kënaqur me punën e profesorit.Deliaj

Prej dy sezonesh jeni kthyer në titullar fiks. Ndiheni mirë?

Normal që jam i lumtur, pasi çdo lojtar ka nevojë të marrë sa më shumë minuta gjatë kampionatit. Por këtë vit, duke parë që në ekip ka dhe shumë lojtarë të rinj, më janë rritur edhe më shumë përgjegjësitë. Në çdo rast dhe kurdoherë që jam aktivizuar për Flamurtarin kam dhënë maksimumin tim, pasi më dhimbset kjo fanellë dhe për të do të bëj çdo sakrificë. Është privilegj të luash dhe të përfaqësosh ngjyrat e qytetit tënd, por edhe një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe. Kjo më obligon të kërkoj gjithmonë sa më shumë nga vetja.

Jeni skuadra më e rrezikuar për të rënë, por sa beson Deliaj te mbijetesa?

Kam shumë besim se Flamurtari do të qëndrojë në Superiore. Këtë situatë të vështirë do ta kalojmë të gjithë bashkë dhe në fund do të dalim faqebardhë. Na duhet që në ndeshjet që kanë mbetur deri sa të mbyllet faza, të marrim sa më shumë pikë dhe të shpresojmë që në janar të vijnë akoma më shumë lojtarë që të na ndihmojnë.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"