“Ushtarakisht ka nderuar edhe Kristiano Ronaldo”, mediat turke mbrojnë kombëtaren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2019 | 20:02

“Ushtarakisht ka nderuar edhe Kristiano Ronaldo”, mediat turke mbrojnë kombëtaren

UEFA sapo e ka nisur hetimin disiplinor në lidhje me festën e futbollistëve të kombëtares turke, të cilët i festuan golat kundër Shqipërisë dhe Francës në kualifikueset e Europianit duke nderuar ushtarët e tyre që po luftojnë popullsinë kurde në Siri. Dhe në pritje të dënimit, i cili për të tilla raste parashikon nga gjoba deri në zbritjen e pikëve dhe përjashtimin e skuadrës nga kompeticioni, mediat turke kanë nisur mbrojtjen e skuadrës së tyre.

Turqit

Një artikull i “Fanatik” ka listuar të gjitha përshëndetjet ushtarake të futbollistëve të famshëm në fushën e lojës, të cilat nuk kanë shkaktuar asnjë skandal. Mes atyre që kanë përshëndetur ushtarakisht gjatë festës së një goli janë edhe emrat e Kristiano Ronaldos, Mario Manxukiçit, Tieri Henrisë apo Samuel Etosë. Madje edhe Antuan Grizman e përshëndeti ushtarakisht presidentin e vendit të tij, Makron, gjatë kurorëzimit të skuadrës së “gjelave” kampione bote në Rusi vitin e shkuar. Por kjo është thjesht një tentativë për të justifikuar skandalin që u pa në dy kualifikueset e radhës.

nderimi ushtarak

Sepse ata vetë janë të ndërgjegjshëm se janë arsyet e kësaj feste ato që e bëjnë diferencën. Lojtarët e kanë shprehur dhe mbrojtur me krenari gjestin e tyre, i cili është i pastër politik, në mbështetje të një agresioni që po bëhet ndaj një popullsie të pambrojtur që po dënohet ndërkombëtarisht nga të gjitha instancat diplomatike. Dhe është pikërisht kjo arsyeja që ka detyruar UEFA-n të nisë një hetim.

Dhe nëse UEFA do t’i konsiderojë përshëndetjet ushtarake të Tosunit dhe Ajhanit, autorëve të golave në dy ndeshjet e fundit dhe më pas lojtarëve të tjerë një deklaratë politike në mbledhjen e Komisionit të Disiplinës, atëherë federata turke do të jetë seriozisht në telashe.

UEFA

UEFA njoftoi ditën e martë se një inspektor nga Komisioni i Etikës dhe Disiplinës është ngarkuar me detyrën për të nisur hetimet disiplinore, në lidhje me një sjellje të mundshme politike dhe provokative të lojtarëve turq, në ndeshjet ndaj Shqipërisë më 11 tetor dhe Francës më 4 tetor.

Ministrja franceze e Sportit bëri thirrje për një dënim ekzemplar. Por nëse Turqia do të dënohet në bazë të precedentëve të deritanishëm, mund të qëndrojë e qetë, sepse nuk do ta rrezikonte kualifikimin e saj në Europian. Në të tilla raste, subjektet nën hetim ia kanë hedhur thjesht me një gjobë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"