Ushtar në Greqi, Harrallamb Qaqi thuajse i larguar nga Laçi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2018 | 14:12

Ushtar në Greqi, Harrallamb Qaqi thuajse i larguar nga Laçi

Laçi mbylli një sezon që mund të quhet i suksesshëm për faktin se fitoi të drejtën e pjesëmarrjes në Ligën e Europës, si vend i katërt në klasifikimin përfundimtar në kampionat. Keqardhja e vetme e kurbinasve është për faktin se i shkuan deri në fund Kupës së Shqipërisë dhe nuk ia dolën kundër Skënderbeut. Zhgënjimi shtohet edhe më tepër, pasi Laçi ndihet i vjedhur nga finalja prej arbitrave, teksa një penallti e paqenë vendosi ndeshjen e luajtur në “Elbasan Arena”.

qaqi

Megjithatë, me objektivin Europë të përmbushur, tashmë në klubin kurbinas do të nisin të mendojnë për skuadrën që do të përballojë dy ndeshjet ndërkombëtare, të parën më 12 korrik dhe atë të kthimit më 19 korrik. “Panorama Sport” mëson se i larguari i parë nga Laçi pritet të jetë qendërmbrojtësi Harrallamb Qaqi. Burime të sigurta pranë lojtarit, treguan për gazetën se më 1 qershor Qaqi do të niset drejt Greqisë, këtë herë me një mision që nuk ka lidhje me futbollin. Mësohet se mbrojtësi që ka edhe pasaportë greke, sipas rregullave të shtetit helen, duhet të kryej edhe shërbimin ushtarak dhe së fundmi i ka ardhur shkresë nga ambasada greke në Tiranë që të paraqitet javën e ardhshme në Athinë, duke kryer për tre muaj ushtrinë.

Në këto kushte, është e sigurt që lojtari nuk do të jetë gati deri në shtator. Laçi humbet kështu një titullar të padiskutueshëm dhe tashmë i duhet të futet në merkato për afrimin e një qendërmbrojtësi, edhe pse ekziston mundësia që të zgjatet huazimi i Lulajt nga Skënderbeu.

Capture

TË HUAJT – Maikon Eskerda dhe Arturo Rexhinaldo nuk dihet nëse do të vazhdojnë të jenë pjesë e Laçit edhe për sezonin tjetër. Mesfushori brazilian ka postuar një mesazh lamtumire në rrjetet sociale, ndërsa kryegolashënuesi i ekipit, Rexhinaldo, ka falënderuar skuadrën për këtë sezon të mrekullueshëm, ku e mbylli me 18 gola në kampionat. Kontrata e sulmuesit përfundon pas Kupave të Europës, por mbetet për t’u parë nëse ai do të pranojë rinovimin që pritet të ofrojë klubi. Në këtë periudhë drejtuesit do të rishikojnë edhe kontratat e disa lojtarëve të tjerë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"