Uruguaiani Melazi “zbarkon” në Ohër, Kukësi pret edhe një ganez

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2016 | 13:27

Uruguaiani Melazi “zbarkon” në Ohër, Kukësi pret edhe një ganez

Leonardo Melazi i bashkohet Kukësit në Ohër. Uruguaiani dje është vendosur nën urdhrat e stafit teknik, ndërsa pritet që për 2-3 ditë ai të provohet. Mesfushori sezonin e shkuar ka luajtur te skuadra e Racing dhe ka bërë një paraqitje relativisht të mirë. Melazi nuk ka firmosur ende kontratën, pasi fillimisht do të vëzhgohet.

Melazzi-Leonardo

Vetëm nëse bind Ernest Gjokën dhe stafin e tij, atëherë klubi pritet që të nisë negociatat për ta blinduar zyrtarisht atë. Gjithsesi, te Kukësi kanë shumë pritshmëri për formën e futbollistit nga ajo që kanë parë nëpërmjet pamjeve filmike. Ashtu sikundër deklaroi presidenti Safet Gjici një ditë më parë për “Panorama Sport”, Kukësi do të afrojë dy të huaj. I pari është pikërisht uruguaiani, ndërsa i dyti një ganez. Jeremiah Arkorful është mbrojtësi, i cili do t’u bashkohet verilindorëve.

akorful

Ndryshe nga Melezi, ai nuk do të niset drejt Maqedonisë, por do të presë verilindorët kur të kthehen në Shqipëri për të startuar provën, pra në datën 21 gusht. Ai është 22- vjeçar dhe i gjatë 1.75 metra, ndërsa vlen të përmendet që ka qenë pjesë e Shpresave të Ganës. Arkorful para dy sezonesh, konkretisht në 2014- 2015, ka qenë pjesë e kroatëve të Hajdukut të Splitit. Duket se edhe mbrojtësi nuk do t’i shpë- tojë provës. Afrikani duhet që fillimisht të kalojë “klasën” dhe vetëm më pas mund të flitet për kontratë.

Gjici dhe… largimet

Presidenti Safet Gjici do të jetë sot prezent në Ohër për të parë nga afër miqë- soren që do të zhvillohet kundër ekipit strugan. Ai do të vëzhgojë nga afër krejt ekipin dhe në veçanti uruguaianin. Verilindorët do të jenë vigjilentë në këtë ndeshje, pasi fundi do të jetë përcaktues për të krijuar një ide më të qartë për formën e Melazit, por edhe të tjerëve. Sakaq, stafi teknik dhe ai drejtues kanë vënë në “lupë” të gjithë futbollistët e Kukësit, pasi do t’iu duhet që tre prej lojtarëve aktualë që janë të grumbulluar, t’i largojnë.

Ekziston mundësia që ata të federohen te Kukësi B, ndërsa stërvitjet t’i zhvillojnë me ekipin e parë, gjatë kohës që do t’u jepet mundësia të luajnë me skuadrën e drejtuar nga Ernest Gjoka. Ndërsa opsioni i dytë varet nga vetë të lojtarët. Nëse nuk pranojnë variantin fillestar, janë të lirë që të shkojnë diku tjetër, pasi klubi nuk do t’i pengojë.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"