“Uroj të ‘zëmë’ mend, nuk shoh golavarazhin e rivalit”, Bubeqi: Kujdes Shkumbinin, pres një Besë cinike

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2021 | 9:24

“Uroj të ‘zëmë’ mend, nuk shoh golavarazhin e rivalit”, Bubeqi: Kujdes Shkumbinin, pres një Besë cinike

Dorjan Bubeqi kthehet në Peqin, atje ku ka shkëlqyer si futbollist. Gati dy dekada më parë shpallej jo vetëm golashënuesi më i mirë i kampionatit me 26 gola, por u rendit në 100 sulmuesit më të mirë në Europë nga UEFA.

Bubeqi

Të dielën i rigjen, por në tjetër post: atë të trajnerit. “Kam nostalgji për atë vit, kur golat e mi gëzonin tifozët e zjarrtë të Shkumbinit.

Kemi qenë një grup futbollistësh që luanim për dy motive: fanellën dhe sportdashësit. Kthimi në Peqin nuk mund të m’i fshijë ato emocione.

Sa herë hyj në atë stadium, ndihem krenar për atë çfarë i dhashë atij ekipi”, tha fillimisht kavajasi për “Panorama Sport”.

Një ish-futbollist me përvojë, tashmë edhe trajner po me aq përvojë, di t’i ndajë emocionet nga detyra. “Duke u kthyer te përballja, sinqerisht që pres një ndeshje të vështirë. Peqini vjen pas dy humbjeve të thella e natyrshëm do të synojmë të bëjë autokritikën.

E njëjta gjë vlen edhe për ne, pas humbjes së pafalshme me Apoloninë, që do të thotë se pritet një ndeshje shumë e luftuar e ku secili ekip do synojë fitoren. Si trajner që njoh grintën e peqinasve dhe përbërjen e tyre, dy humbjet e fundit të Shkumbinit nuk më thonë asgjë.

Të mos shohim golat e pësuara, por 10 pikë që kanë në renditje. Uroj që futbollistët e mi të kenë ‘zënë’ mend dhe në Peqin të shfaqen pragmatistë. Nëse e bëjmë, ia dalim”, përfundoi Bubeqi.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"