“Uroj që tifozët të vazhdojnë të shijojnë trofe në Mynih”, Alaba me lot në sy: Bajerni, gjithmonë shtëpia ime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2021 | 16:44

“Uroj që tifozët të vazhdojnë të shijojnë trofe në Mynih”, Alaba me lot në sy: Bajerni, gjithmonë shtëpia ime

David Alaba erdhi si një djalosh i ri me ëndrra të mëdha në Mynih kur ishte vetëm 17 vjeç. Dy herë ka arritur të fitojë tripletën me kampionët dhe shumë e shumë tituj të tjerë. Tani pas më shumë se një dekade, austriaku do t’i japë fund aventurës së tij me Bajernin për të vazhduar karrierën e tij me një klub tjetër të madh. Real Madrid do të jetë me shumë mundësi destinacioni i tij i ardhshëm. Në një intervistë për revistën bavareze “51”, Alaba u shpreh se Bajerni do të mbetej gjithmonë shtëpia e tij.

alaba 1

Si ndiheni tani që do të largoheni pas 13 vitesh nga Mynihu?

Kam edhe pak kohë përpara se t’i them lamtumirë Bajernit. Kur e mendoj, nuk e di se si do ta bëj këtë gjë, por ka pasur shumë ditë kur kam menduar për kohën e bukur që kam kaluar këtu. Kanë qenë vite shumë të bukura.

Çfarë do t’ju mungojë më shumë?

Dhomat e zhveshjes dhe kolegët, tifozët dhe stadiumi. Ndjesia kur shkoja në qendrën stërvitore. Më kujtohet ende koha kur isha i vogël dhe jetoja në konvikt. Qyteti i Mynihut do të më mungojë gjithashtu. Kam jetuar 13 vite dhe për mua është bërë më shumë se një shtëpi e dytë. Djali ka lindur këtu, gjyshërit e tij jetojnë këtu. Do të mbetet gjithmonë i lidhur me këtë qytet.

Cili lojtar do ta ketë të vështirë të ndahet nga ju?

Nuk e di, duhet t’i pyesni ata (qesh). Kam një marrëdhënie të mirë me të gjithë. Boateng, Myler dhe Nojer kanë qenë për mua njerëzit më të afërt, por jeta vazhdon edhe pas largimit tim, do të mbetemi gjithmonë në kontakt me skuadrën dhe drejtuesit e klubit.

Si ka qenë jetesa juaj në konvikt kur erdhët si minoren?

Isha vetëm 16 vjeç kur erdha nga Vjena. 13 vite më pas ja ku jam. Klubi është familja ime, shtëpia dhe vendlindja.

Do të ketë lot në momentin e largimit?

Nuk e di se si do të ndihem në atë moment. Ditët e fundit isha në “Allianz” për të bërë një “fotoshooting” dhe mund të them që më është dashur të luftoj me emocionet. Këtu kam përjetuar emocione të mëdha, fale edhe tifozëve tanë të cilët kanë qenë gjithmonë lojtari i 12-të për ne. Me ultrasit kam pasur gjithmonë një marrëdhënie të mirë pasi kur isha më i ri, jam ulur vetë aty për të mbështetur skuadrën. Kam qenë gjithashtu një kapës topash në ndeshjet e Champions-it. Papritur nisa të luaja dhe të jetoja ëndrrën që kam pasur që i vogël.

Tifozëve po u qan zemra që po largoheni, po juve?

Sigurisht që edhe mua. Është gjithmonë e vështirë të largohesh, nuk e kam fshehur asnjëherë faktin që këtu jam ndier gjithmonë si në shtëpinë time. Largimi im nga Bajerni është gjëja më e vështirë që do të bëj në jetën time. Ato që kam fituar këtu, vështirë se do t’i arrij në një skuadër tjetër. Janë shumë trofe.

Çfarë i uroni Bajernit?

Vetëm të mirat. Ky klub do të mbesë gjithmonë në zemrën time. Do t’u jem gjithmonë mirënjohës të gjithë drejtuesve që më kanë besuar në këtë rrugëtim timin. Për të qenë i sinqertë, nuk kam asnjë merak dhe besoj se Bajerni do të vazhdojë të jetë një nga klubet më të mira në botë edhe pas largimit tim.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"