“Unike dhe historike”, Shpëtim Duro sfidon që tani Shehin në Maqedoni: E deklaroj këtu që do e mund, edhe Tirana e meritoi titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2023 | 23:18

“Unike dhe historike”, Shpëtim Duro sfidon që tani Shehin në Maqedoni: E deklaroj këtu që do e mund, edhe Tirana e meritoi titullin

Shpëtim Duro ka mbyllur këtë edicion me një titull kampion historik të fituar në Maqedoninë e Veriut, ku për herë të parë ngriti trofeun me skuadrën e Strugës. Një arritje e jashtëzakonshme, të cilën ai e ka komentuar në “Sport News” në “News 24”.

shpetim duro

Në intervistën e tij, ai ka folur për suksesin jashtë Shqipërisë, krahasimin me futbollin e vendit tonë, por edhe për titullin kampion që u vendos në javën e fundit në Superiore.

Profesor, bëtë një “gol” të bukur këtë sezon. Kampion me Strugën, të paktë ishin ata që e besonin një fund të tillë. Çfarë shije të la ky titull? Çfarë do të thotë për ty?
Është e pabesueshme. Është diçka historike dhe…unike! Një skuadër modeste dhe e krijuar vetëm para disa viteve, të shpallet kampionë dhe të rivalizojë me gjigandë si Shkupi dhe Shkëndija. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme, as drejtuesit nuk e besonin. Ka qenë një kampionat i dominuar dhe me personalitet nga skuadra. Kemi arritur të fitojmë me diferencë 10 pikë. Kemi qenë dominues në ndeshjet direkte.

Si u përjetua në Maqedoni ky trofe? Në Strugë, cili ishte detaji më i bukur?
Ishin ditë të bukura, pasi ne fituam 2 javë para fundit të sezonit. Festa ishte e madhe në qendër të qytetit. Dihet që Struga është skuadër e re dhe nuk ka mbështetjen sa e kanë skuadrat e mëdha. Këto janë gjëra që nuk harrohen.

Jeni kthyer në trajnerin që thyen tabu. Kush është titulli, trofeu, apo aventura më e bukur?
Të jem realist, karriera ime është shumë e gjatë por mënyra e punës time me të gjitha skuadrat ku kam punuar është e njëjta. Ne kujtojmë trajnerët kampionë, kjo është një arritje e madhe. Kemi trajner që kanë karrierë 30-vjeçare dhe nuk janë shpallur dot kampionë. Titull kampion mund ta quaj edhe me Laçin vjet. Laçi doli nënkampion dhe ishte finalist i Kupës. Gjithmonë opinioni shikon kush del kampion.

Profesor, Maqedonia e Veriut shihet shpesh si luks, ose më sakte preferohet shumë nga trajnerët më të mirë shqiptarë. Ju jeni shembulli konkret, çfarë ka më shumë Maqedonia e Veriut, çfarë ofron më shumë?
Unë jam i pari trajner nga Shqipëria që kam patur ofertë nga Shkëndija 10 vite më parë. Ju e dini unë kam qenë dy herë në drejtim të Shkëndijës në periudha të ndryshme. Qëlloi që herën e 3-të të dal kampion me një ekip modest. Ne kemi bërë shumë, duhet të vlerësohemi. Si në Kosovë që u shpall kampion Ilir Daja, unë në Maqedoni, kjo është një arritje e trajnerëve shqiptarë.

Profesor, çfarë projekti keni me Strugën? Çfarë synoni nga kjo aventurë?
Këto dy javë kam thënë që kur je kampion, kujtohen të gjithë. Unë jam në kontratë edhe një vit, ndjehem mirë dhe qetë. Nuk po shikoj shumë anën financiare. Janë njerëz serioz dhe mendoj të vazhdoj edhe një vit këtu. Puna e trajnerit ka surpriza kështu që të shikojmë.

Shumë shpejt hapet dhe merkato, ka ndonjë lojtarë që të josh nga Superliga? Duamena psh ishte një dhuratë që i bëtë Egnatias. A do “peshkoni” në Superligë, më zbuloni ndonjë lojtar?
Sa i takon merkatos, kam qenë përherë i suksesshëm. Ka patjetër lojtarë që i dua shumë, por nuk i afroj dot, pasi janë në kontratë me skuadrat respektive. Duamena? Ndihem mirë, ka qenë insistimi im që ai të vijë në Shqipëri. Ndjehem mirë kur flitet për këtë lojtar. Iniciativë personale ka qenë edhe për Guindo para dy vitesh.

Profesor më bëri përshtypje një koment i Artan Hoxhës. Futbolli shqiptar ka diferenca me vendet e rajonit, bëri krahasim mes Strugës tuaj dhe Partizanit. Për të Struga është më lart, ju si mendoni, si është balanca në nivel cilësie?
Unë e njoh mirë futbollin maqedonas. Jam ai që kam hapur tregun maqedonas në Shqipëri. Artani deri diku ka të drejtë. Edhe te Tirana, Toshevski dhe Najdovski janë pikat kryesore. Ne jemi mbrapa shumë sa i takon infrastrukturës. Shqipëria ka ecur shumë me infrastrukturën.

Meqë jeni te Partizani, e ke peng profesor që nuk i dhatë dot një trofe këtij klubi, apo historia nuk mbyllet këtu?
Unë dua ta uroj Partizanin për titullin kampion. Unë jam rritur tek të kuqtë dhe sigurisht emocionet janë të mëdha.  Dëshira ime më e madhe do ishte që të shpallesha kampion me Partizanin. Kur isha në 2014, bëra mirë me të kuqtë, qëndrova një vit dhe u ndava pas arrita objektivin europian. Ëndërr është, varet nga vendimmarrjet e drejtuesve. Nëse do dilja kampion me Partizanin, do ishte patjetër diçka e madhe. Lidhja ime me Partizanin dhe tifozët është e ngushtë. U uroj suksese.

Çfarë shije të la ky titull i 17-të i Partizanit, fitoi ekipi më i mirë?
Ky titull ishte i merituar. Edhe po ta fitonte Tirana, do ishte i merituar. Të dyja skuadrat kanë qenë rivalë me njëri tjetrin. Partizani ishte më i përqendruar dhe ia doli.

Bëri shumë zhurmë ky titull profesor, te Tirana nuk e pranojnë, ndihen të vjedhur…
Nuk dua t’i hyj këtyre kontestimeve sepse janë diskutuar gjatë. Ka momente dhe vendime që ndikojnë, rëndësi ka që Partizani e meritoi. Janë dy skuadra që ishin gjatë gjithë sezonit aty.

Profesor, besoj e ndoqët atë episod që ndodhi ndaj Ballshit, a vendosi ajo penallti titullin, ju si mendoni?
Janë momente vendimtare. Këto penallti ndikojnë më shumë se në mes të kampionatit. Të dy skuadrat e meritonin titullin.

Nuk besoj se do doje të ishe në vend të Shehit, nuk është e lehtë të humbasësh një titull në atë formë…
Janë momente që nuk harrohen lehtë. Pengu im është para katër vitesh kur drejtoja Kukësin dhe donim titullin kampion. Nuk e harroj dot atë përmbysje të Tiranës, në atë ndeshje direkte. Mund të shpallesha kampion, por çdo trajner ka pengje, suksese apo dështime.

Mund ta kesh Shehi sezonin e ri në Maqedoni, e kërkon Shkëndija. Një trajner që ju në fakt e keni vlerësuar gjithnjë…
Shehi është trajner i ri. Me të kam patur një lidhje të veçantë, pasi na ka lidhur puna. E kam patur portier te Besa, te Partizani. Te Besa fituam trofe, te Skënderbeu fituam trofe. Kemi pasur lidhje trajner-futbollist. Unë e mirëpres në kampionatin e Maqedonisë. E deklaroj këtu që do ta mund.

Meqë jemi te trajnerët, Kolela theu një tabu të vërtetë. Bëhet trajneri i parë i huaj që fiton titull me Partizanin, e kishit menduar ndonjë herë këtë ditë dhe pikërisht Kolela?
Unë jam trajner vetë. Do vinte dita që Partizani do shpallej kampion me trajner të huaj. Siç dihet, të kuqtë kanë patur eksperienca të shumta me trajnerë të huaj dhe s’kanë qenë të suksesshëm. Erdhi momenti. Nuk është meritë vetëm e trajnerit, por komplet grupit. Trajnerët shqiptarë kanë fituar shumë trofe. Po të numëroj dështimet e trajnerëve të huaj këtë sezon, kanë qenë të shumta.

Në fakt figura e tij është komentuar shumë, edhe tifozët e kishin harruar ta përmendin te banderola. Sa meritë ka Kolela te ky titull?
Trajneri ka meritën kryesore, por puna është e komplet grupit. Kolela ka arritur në qiellin e shtatë. Të dalësh kampion si një trajner pa një CV të madhe. Është një arritje e madhe dhe do i ndikojë pozitivisht në karrierën e tij të madhe. Merita është komplekse. Kam patur një konsideratë për të, me intervistat ka qenë pak kontradiktor. Unë i uroj suksese Kolelës që shpalli kampion ekipin tim të zemrës.

Profesor, Gaz Demi, Marini e shumë të tjerë kërkojnë një finale të madhe me Tiranën, për të vendosur një herë e mirë se kush është fituesi moral. Kush e fiton një sfidë të tillë?
Kjo është në kuadrin e deklaratave, pasi dasma mbaroi. U përballën jo më shumë se para dy javësh dhe dolën barazim. Tani pas dasmës, Partizani e fitoi me meritë.

Në fakt një finale e tillë mund të luhet në Superkupë, nëse Tirana fiton Kupën, ka shanse që mund të ndodhë? Si e sheh finalen Egnatia-Tirana?
Shehi ka bërë shumë me Tiranën, me gjithë problemet që ka patur këtë sezon. Është favorit Egnatia. Më vjen mirë që Egnatia ka arritur deri këtu. Jam unë që ia dola të bëjë merkato cilësore, si në hyrje apo dalje. Egnatia është ekip i fortë dhe cilësor. Ky grup do jetë pretendent për titull sezonin tjetër, nëse ruan boshtin.

Profesor, nuk pate një largim të mirë nga Egnatia, do e zbulosh çfarë ndodhi realisht? Kush nuk e donte Shpëtim Duron?
Kam patur marrëdhënie korrekte me Presidentin. Rëndësi ka që Egnatias i shkoi mirë, por mua më shkoi edhe më mirë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"