“Unë jam problemi i Vllaznisë?”, Jonuz mesazh për Shkodrën: Të gjithë na vini në presion, sot nuk e kuptoja arbitrin…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2019 | 23:40

“Unë jam problemi i Vllaznisë?”, Jonuz mesazh për Shkodrën: Të gjithë na vini në presion, sot nuk e kuptoja arbitrin…

Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, foli për mikrofonin e “Supersport”, pas humbjes me Bylisin në Shkodër.

jonuz

Jonuz shprehu kritikat e tij për gjykimin, gjë që solli edhe nervozizmin në fushë, por gjithashtu pati edhe një mesazh për ambientin në Shkodër, ku që në fillim e kanë kritikuar, dhe nuk e lënë të punojë i qetë.

Sa ndikuan mungesat në skuadër sot, si dhe nervozizmi pas golit të pësuar?

Çfarë të thuash pas kësaj ndeshje. Të flas për lojtarët dhe përgatitjen e tyre, nuk është problemi ky. Pjesën e parë lojtarët e mi nuk luajtën mirë, nuk bëmë presing, dhe u bë edhe nervozizmi gjatë pjesës së parë. Kjo është e rëndësishme për një skuadër. Pas vendimit që ishte jashtë loje goli apo jo, erdhi dhe nervozizmi. Arbitri nuk na mbështeste. Edhe me Tiranën, Partizanin, e njëjta histori. Çfarë problemi kanë me Vllazninë? Sot kishim 4 mungesa, dhe futëm lojtarë të rinj. Të gjithë ishin nga Shkodra, dhe kanë komplekse apo presion ndoshta, vetëm një ishte i huaj. Nuk marrin risk për të luajtur futboll. Unë erdha këtu para 3 muajsh, të gjithë ish-trajnerët filluan të më sulmojnë. Të gjithë lojtarët e akademisë flisnin për mua. Ky është presion për mua. Nëse iki unë, nuk ka problem. Kam ardhur për të punuar, por marr presion. Tek unë është problemi? Pjesen e dytë ndryshuam diçka, por nuk kishte përqendrim. Humbëm shumë topa, problem për një skuadër si ne. Bylisi me një krosim shënuan, nuk pati asnjë shans. Por, pjesa e parë nuk ishte e luajtur mirë nga ne.

Goli i pësuar…

Gabuan lojtarët e mi, por anësori tha që ishte jashtë loje. Por, gjyqtarët e tjerë thanë se ishte gol. Nuk po them që është apo jo gol, por them që disa herë gjatë lojës arbitri nuk dha faulle për ne. Të paktën të luajmë 50-50, të barabartë në fushë.

Pretendimi për penallti i Shtubinës…

Për mua, nuk është penallti. Por, kishim situata të tjera gjatë lojës që mund të jepeshin. Ndërkohë, për mua ishte penallti rasti i Bylisit. Nuk e kuptova arbitrin sot.

Pse keni kaq tension në stol?

Unë nuk kam tension, kam 20 vite që jam trajner. Reagimi i shumë njerëzve në Shkodër, të ish-lojtarëve, që të jemi edhe në Europë, ka sjellë presion. Shpresoj të mos kemi presion deri në dhjetor.

Çfarë do ndodhë pas dhjetorit?

Unë do vazhdoj të jem këtu, do ndryshojë gjithçka. Kemi shumë probleme për të ndryshuar. Deri në dhjetor këta lojtarë janë më të mirët për mua. Fitojmë apo humbin, janë më të mirët për mua.

Merkato në janar?

Nuk po them për këtë. Kemi një ndeshje me Tiranën. Pastaj kemi pauzë 15 ditë. Kemi 6 ndeshje të tjera. Plani im është të marrim 25-26 pikë. Nëse marrim këto pikë, do jetë hap i mirë për fazën e dytë.

Bylisi bëri shumë presing. Kjo erdhi për gabime të lojtarëve tuaj?

Me zhvillimin e lojës, Bylisi erdhi me presion. Kisha 4 mbrojtës, dhe krahët nuk po hapeshin. Qendra e mesfushës nuk po merrte topa. Marku u detyrua të bënte shumë lëvizje. Të gjithë lëvizën në mesfushë. Në të dytën, futa lojtarë për të shënuar, por nuk ia dolëm. Patëm disa raste në fund, por nuk shënuam.

Sulmi i vakët sot…

Nuk kam çfarë të flas, kjo është një pyetje provokuese. Këta janë lojtarët më të mirë për mua. Nuk ishte një problem taktik, krijuam raste. Nuk luajtëm të qetë dhe të thjeshtë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"