“Unë djali i trajnerit, që nuk kam privilegje”, rrëfehet për 20-vjetorin Marin Abazaj: Më pëlqen korani, ja pse ika nga akademia e Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2021 | 0:44

“Unë djali i trajnerit, që nuk kam privilegje”, rrëfehet për 20-vjetorin Marin Abazaj: Më pëlqen korani, ja pse ika nga akademia e Tiranës

Nuk janë vetëm Endrian e Artur Magani që trajnohen nga babai në Kategorinë e Parë, por edhe Marin Abazaj. Jo të gjithë e dinë, por ai djali i Ardjan Abazajt. I formuar tek akademia e Tiranës, në fillim të këtij edicioni vendosi që të kthehej në Pogradec.

abazaj marin

Mund të ketë pasur nga ata që e kanë parë me dyshime derisa ishte i biri i trajnerit, por me talentin e tij bindi edhe më skeptikët. Është titullar i padiskutueshëm dhe një nuhatës perfekt i golit. Ka shënuar 3 të tillë radhazi, duke u dhënë pikë të rëndësishme liqenorëve. Pikërisht sot mbush 20 vjeç dhe gazeta “Panorama Sport” vendosi që t’i marrë një rrëfim ndryshe.

Ambiciet i ka të mëdha dhe pasionet gjithashtu, ndërsa me shumë sinqeritet mesfushori me tipare sulmuese na pohon që prania e të atit në stol jo pak herë e vendos në presion.

Pikërisht sot keni ditëlindjen. Çfarë pret Marini për 20-vjetor?

Veç urimeve, e pres një surprizë edhe nga ekipi. Sikundër është zakon, i festojmë edhe në fushë (qesh).

Ju jeni produkt i akademisë së Tiranës, përse vendosët që të ktheheshit në Pogradec?

Si futbollist jam rritur në akademinë e Tiranës. Por, duke parë që te bardheblutë nuk do të kisha shumë minuta loje në dispozicion, vendosa të bëhem pjesë e Pogradecit. Këtu kam hyrë në fushë nga minuta e parë. Jam i lumtur që bëra këtë zgjedhje, që më rezultoi pozitive.

Në pankinë keni pikërisht babain, si është të kesh trajner babain?

Është gjë e bukur, por edhe e vështirë. Ke presion nga të gjitha anët. Në fushën e lojës jam i barabartë me gjithë të tjerët, por i privilegjuar nuk jam aspak. Kur nuk kam qenë mirë, jam ulur edhe në stol.

Luani në mesfushë, por edhe pas sulmuesve. Ku ndiheni më mirë?

Luaj ku më vendos trajneri, por më mirë ndihem në mesfushë. Atje ke mundësi për të bërë gjithçka mirë. Më pëlqen të shënoj, më merr rrjedha e lojës edhe për të qenë shumë herë para porte. Por, gjithnjë pa harruar detyrat e mesfushës. Jam në një pozicion që duhet të vrapoj shumë dhe falë aftësive fizike, them se e bëj mirë këtë detyrë.

Keni ndonjë dëshirë të fshehur apo që e aspironi në aspektin sportiv?

Fillimisht të kap Kombëtaren U-21 e më pas të luaj jashtë. Më pëlqen kampionati kroat ose ai gjerman. Shpresoj shumë të mos mbetet në kuadrin e një ëndrre të bukur. Do të punoj shumë për ta realizuar.

Ushqimi juaj i preferuar?

Si pogradecar, më pëlqen peshku i mrekullueshëm i liqenit tonë, korani. Nuk ka më mirë se kur e shoqëron me makaronat, që unë i kam pikë të dobët.

Cili është shoku juaj më i mirë në ekip?

Të gjithë, pasi jemi si një familje e madhe. Por do veçoj Gersi Liçkollarin, me të kaloj edhe kohën e lirë dhe në fushë më ndihmon shumë. Ke çfarë mëson prej tij.

E kishit menduar vendin e tretë në përfundim të dy fazave?

Kemi besuar dhe shpresuar. Puna jonë na bind se nuk do të ishte një sezon i shkuar kot. Kemi luftuar shumë, edhe jemi zhgënjyer në ndonjë ndeshje, sidomos në të parat. Më pas gjithçka shkoi mirë. Kemi një grup që punon shumë dhe beson po aq shumë.

Jemi në prag të startit të fazës së tretë. Çfarë pritshmërish keni?

Ne do të luftojmë së pari për vendin e dytë, por rrugës do të shohim se edhe vendin e parë e lakmojmë. Unë besoj se kjo mund të arrihet.

ROMEO XINXIFI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"