Ultimatumi para ndeshjes, Qarri bën prapaktheu dhe konfirmon Duron: Ja pse nuk mund ta shkarkoja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2018 | 9:50

Ultimatumi para ndeshjes, Qarri bën prapaktheu dhe konfirmon Duron: Ja pse nuk mund ta shkarkoja

Skuadra e Kamzës tashmë është zhytur e parafundit pas humbjes me Partizanin. Ishte paralajmëruar se nëse skuadra do të humbiste me Partizanin, trajneri do të shkonte në shtëpi. Por, nuk ka ndodhur kështu, pasi presidenti Qarri, pas ndeshjes, ka konfirmuar Klodian Duron.

qarri-naim-1

“Nuk ka asnjë motiv apo arsye që trajneri të largohet pas asaj loje të shkëlqyer të ekipit të Kamzës, me 7 mungesa, ndaj një skuadre që pretendon të shpallet kampion. Si mund t’i them trajnerit shko në shtëpi, kur skuadra ka sakrifikuar aq shumë. Është për t’u vlerësuar puna e tij. Tashmë jam i bindur se kemi lojtarë të mirë.

Nuk na mposhtin as mungesat. Dua të falënderoj të gjithë çunat për atë përkushtim dhe sakrificë që bënë në fushë, duke e vënë në pozitë të vështirë ekipin pretendent për titull. Pavarësisht se skuadra humbi, unë i mblodha të gjithë lojtarët dhe i falënderova për gjithçka ata dhanë në fushë.

klodian duro

Veçanërisht dua të falënderoj Ognjen Roloviçin, i cili ka luajtur shkëlqyeshëm në atë takim. Megjithëse kemi pasur edhe kontestime ndaj gjykimit, madje kishte dhe nervozizëm edhe nga stafi drejtues. Unë arrita t’i qetësoj për të mos agravuar situata”, deklaroi Qarri. Presidenti foli edhe për të ardhmen e afërt. “U kam kërkuar djemve që të mërkurën të marrin fitore ndaj Teutës. Optimizmi është në maksimum dhe prandaj i lashë të lirë që ditën e diel ta bënin pushim për një çlodhje dhe të hënën, përveç stërvitjes, kanë nevojën e masazheve dhe për këtë fakt do të angazhoj dy mjekë”, mbylli Qarri.

duro stervitje kamza

MUNGESAT – Kamza përsëri do të vuajë nga mungesat. Ai ndaj Partizanit nuk pati mundësi të aktivizonte kapitenin Sebino Plaku, i cili gjatë gjithë javës ka qenë ankuar për një virozë, e cila nuk kaloi lehtë. Po kështu në çastet e fundit, nuk ishte mirë as qendërmbrojtësi Olsi Teqja, që edhe ai nuk arriti të aktivizohej për shkak të temperaturës së lartë.

Infermierisë iu shtuan dhe dy dëmtimet e ndeshjes kundër Partizanit, Orelesi dhe Beqiri. Madje, Beqiri paraqet më shumë probleme, sepse ka lënduar të njëjtën këmbë që kishte dëmtuar më parë.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"