Ultimatumi i FIFA-s/ Flamurtari derdh 17 mijë euro në llogarinë e boshnjakut, shpërthen Idrizi: Kjo është një vjedhje e pastër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2021 | 23:35

Ultimatumi i FIFA-s/ Flamurtari derdh 17 mijë euro në llogarinë e boshnjakut, shpërthen Idrizi: Kjo është një vjedhje e pastër

Flamurtari nuk humbet kohë, shlyen detyrimin ndaj Adis Nurkoviçit. Duke qenë se llogaritë e klubit janë të bllokuara, administratori Sinan Idrizi e ka bërë pagesën nga ajo personale. “Panorama Sport” disponon faturën e pagesës të realizuar në një nga bankat e qytetit të Vlorës.

Nurkovic

Në llogarinë bankare të avokatit të boshnjakut, kreu i klubit ka depozituar 17 mijë e 150 euro. Shumë kjo për të cilën ka ardhur edhe ultimatum nga FIFA. Klubi vlonjat pretendon se ka shlyer çdo detyrim ndaj ish-portierit, duke i dhënë paradhënie edhe 7500 euro plus pagesave të tjera të realizuara gjatë sezonit. Administratori konfirmon se dje i është drejtuar prokurorisë si dhe ka komunikuar me FSHF-në, sikundër pati paralajmëruar në numrin e djeshëm të gazetën:

BKT FATURA FLAMURTARI logo

“Sot (dje) bëra pagesën ndaj Nurkoviçit, nga llogaria ime private. Ne nuk i kemi asnjë detyrim këtij lojtari, që i bie se ka marrë deri më tani 50 mijë euro, në një kohë që për gjithë sezonin 2017-2018 do të paguhej 25 mijë euro. Bëra kallëzim në prokurori. Fola edhe me juristin e FSHF-së, i thashë që t’i shikojnë mirë këto raste se po na dëmtojnë. Kjo është një vjedhje e pastër dhe nuk duhet të rrimë pasivë. Të reagojmë të gjithë”. Sinan Idrizi pret që merkatoja të zhbllokohet, pasi ka marrë përgjigje pozitive nga FIFA. E megjithatë, ai ngre një shqetësim tjetër.

Sinan-Idrizi

“Sistemi do të hapet se kemi vendosur në dijeni FIFA-n që u bë pagesa dhe na u përgjigjën pozitivisht. Por unë kam edhe një shqetësim tjetër. Kjo bandë hajdutësh e ish-Jugosllavisë e lidhur edhe me këta tanët këtu, me metodat e tyre, bllokojnë edhe korrespondencën tonë me FIFA-n. Ata e dinë se çfarë i bëjnë sistemit, që asnjëherë email-et tona nuk shkojnë në destinacion dhe shpesh ne nuk kemi asnjë informacion dhe asnjë njoftim për këto gjyqe të fituara në FIFA”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"