Ultimatumi 30 ditë, zbulohet borxhi i Besës ndaj Maganit dhe Dervishit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2021 | 9:27

Ultimatumi 30 ditë, zbulohet borxhi i Besës ndaj Maganit dhe Dervishit

Vetëm një muaj kohë ka Besa për të paguar Gugash Maganin dhe Klodian Dervishin (që aktualisht janë pjesë e Egnatias). Ish-trajneri dhe zëvendësi i tij kanë fituar me kohë gjyqin në DHKZ, por klubi kavajas nuk i ka paguar. Kjo ka detyruar Komisionin e Disiplinës dhe Apelit që të dalë me një urdhër të prerë më 9 qershor.

maganiiii

Ata kanë vendosur 30 ditë ultimatum, ndryshe klubi do ta pësojë. Gazeta “Panorama Sport” u interesua dje për të mësuar diçka më shumë rreth këtij borxhi dhe zbuloi se bëhet fjalë për një shumë që shkon në 13.5 milionë lekë të vjetër. Magani ka pa marrë nga Besa plot 9 milionë lekë, ndërsa Dervishi 4 milionë e gjysmë. Këto detyrime vijnë prej rrogave të padhëna dhe bëhet fjalë për afro 50% të detyrimit sezonal (për edicionin 2018-2019).

LARGIMET – Alessandro Kacbufi largohet nga Besa. Ai e ka mbyllur aventurën me kavajasit, për të nisur një cikël të ri në karrierën e tij. Duket se edhe mbrojtësi do të ketë fatin e talenteve të tjera që kanë dalë nga verdhezinjtë: si portierët Dajsinani e Puja, mesfushorët Deliu e Lushkja apo sulmuesi Cara. Burime pranë KS Besës saktësojnë se 20-vjeçari ka marrë largimin nga ekipi kavajas dhe mirëkuptimi nuk ka munguar mes dy palëve.

Shkak për këtë “divorc” mësohet të jenë 2 oferta nga dy klube të Kategorisë Superiore që vlerësojnë talentin e qendërmbrojtësit. Kacbufi ishte shpallur kampion me U17 e Besës 3 vite më parë dhe nënkampion me U-19. Për 2 vite ai luajti me ekipin e parë dhe sezonin e fundit fitoi kuota si titullar. Presidenti Nexhat Bizhdili edhe këtë radhë dëshmoi se kur bëhet fjalë për rritje në karrierë, nuk i pengon kurrë talentet. Largimi i Alessandro Kacbufit, në fakt, është një humbje jo e vogël për Besën, pasi shumë shpejt pritet të jetë ndër futbollistët e rinj që do të bëjë emër.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"