Ultimatum te Tirana, ndaj Laçit kërkohet fitore me çdo kusht. Nëse nuk arrihet trepikëshi rrezikohet…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2019 | 14:09

Ultimatum te Tirana, ndaj Laçit kërkohet fitore me çdo kusht. Nëse nuk arrihet trepikëshi rrezikohet…

Te Tirana për momentin është qetësi! Në dukje, një qetësi normale, por vetë lojtarët janë dukur shumë nën presion, për shkak të rezultatit të Flamurtarit dhe dy humbjeve me Kukësin dhe në derbi. Askush nuk ka dashur që të flasë pas miqësores me Turbinën. Të gjithë kanë përmendur të njëjtat fjalë. Për Tiranën është një moment delikat që duhet të kalohet medoemos, pasi fitorja mungon prej tri javësh dhe kështu bardheblutë humbën edhe kreun.

tirana

ULTIMATUMI 

Askush nuk flet, por duket qartë se në ekip ekziston një lloj ultimatumi për të fituar kundër Laçit. Në takimin që Refik Halili bëri të martën e kaluar, veç konfirmimit të trajnerit Ardian Mema, presidenti i bëri të qartë ekipit se nuk pret më gabime.

Shkurt, Tirana duhet të fitojë në sfidën me Laçin që të dalë nga kriza, sepse në të kundërt, situata kthehet në disfavor të lojtarëve dhe trajnerit. Më saktë, nëse skuadra nuk fiton me Laçin, veç trajnerit që është e sigurt që do ta ketë të pamundur të qëndrojë në krye të ekipit, është e sigurt që edhe skuadra do ta pësojë me një ndëshkim të rëndë.

Tirana

Sezonin e shkuar për rezultatet e këqija ekipi u ndëshkua me një rrogë, veç dy të planifikuarave për mosarritje objektivi. E njëjta gjë mund të përsëritet edhe tani, pasi klubi dhe presidenti nuk e prisnin që pas katër javëve pothuajse perfekte të vinin tri ndeshje skandaloze dhe për më tepër një barazim i turpshëm kundër Flamurtarit në Vlorë që zor se ka marrë ndonjë rrogë këtë sezon.

LAÇI – Veç faktit që është një sfidë shumë serioze për dy ekipet, Laçi është një makth për Tiranën e sezonit të shkuar, por edhe qetësi për qëndrimin në Superiore. Pikërisht, në Laç me një fitore të madhe Tirana qëndroi në kategori.

Nga ana tjetër, Tirana u kualifikua me zemër në dorë kundër kurbinasve, por Laçi u mori shtatë pikë bardhebluve në tri takime dhe në javën e tetë të sezonit të shkuar i shkarkoi trajnerin. Asokohe në stol ishte Ze Maria. Në vend të tij u ul Ardian Mema.

OLSI AVDIAJ

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"