Ultimatum te Partizani, 7 pikë në tre ndeshje ose gjobë marramendëse për lojtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2017 | 9:44

Ultimatum te Partizani, 7 pikë në tre ndeshje ose gjobë marramendëse për lojtarët

Te Partizani nuk mban më “pilafi ujë”. Ecuria e skuadrës në 10 javët e luajtura nuk përligj asnjë objektiv dhe investim të presidencës në këtë sezon, duke ditur se bëhet fjalë për skuadrën më të mirëpaguar dhe me buxhetin më të lartë pagash në Superiore. Duhet të gërmosh thellë që të gjesh një Partizan si ky i këtij sezoni, ku në tri javët e fundit ka shënuar një tjetër rekord “të zi”: tri humbje identike, 1-0, ku duket qartë që sulmi mbetet repart inekzistent.

partizani

Për të parandaluar më të keqen, ku zhgënjimi i Tiranës në sezonin e fundit është ende i freskët, drejtuesit kanë vendosur që të shkundin ekipin para ndeshjes me Kukësin. Tani te Partizani ka ardhur koha për të nisur fitoret e njëpasnjëshme, përndryshe lojtarët do të ballafaqohen me sanksione financiare, por nuk përjashtohet edhe mundësia e largimit në merkaton e janarit.

Mësohet se kushti fillestar i drejtuesve të kuq karshi lojtarëve është që të marrin të paktën 7 pikë në tri ndeshjet e radhës. Nëse nuk arrihet ky objektiv, pritet që çdo lojtar të penalizohen me 4 mijë euro gjobë, por mund të thellohet deri në dy rroga. Partizani e nisi sezonin me komandë italiane, por projekti i tyre rezultoi dështim me kosto të lartë.

Pas largimit të trajnerit Mark Iuliano dhe ndihmësit të tij, Aleksandro Dosena, komanda ka kaluar te vendësit. Përveç Starovës si trajner, edhe vendimmarrja po kalon te shqiptarët, ku Olsi Rama (vëllai i kryeministrit) do të jetë komanduesi i ri i “demave”. Deri tani Rama është njohur si dashamirës i Partizanit dhe mik i presidentit Demi, por dje ai ka qenë shumë pranë ekipit në stërvitje, me shpresën e ndryshimit të situatës.

Zhvillimet e fundit në kampin e kuq shpresohet që të japin rezultatet e para brenda 7 ditëve, ku të hënën udhëtojnë në Kukës dhe më pas presin Skënderbeun. Tani lojtarët duhet të mendohen mirë, pasi ka ardhur momenti që të preket edhe xhepi i tyre, nëse skuadra nuk arrin rezultatet e duhura. Tri ndeshjet që drejtuesit kërkojnë të paktën 7 pikë nga ekipi kanë të bëjnë me transfertën e Kukësit, ndeshjen me Skënderbeun në kryeqytet, si dhe transfertën e Lushnjës.

Nëse nuk arrihet ky kusht, furtuna pritet të ndodhë te “demat” para janarit, ku parashikohet një tjetër revolucion në ekip. Burime pranë klubit bëjnë me dije se sanksionet janë të përcaktuara edhe në kontratat që lojtarët kanë nënshkruar, kështu që ato nuk quhen kërcënim, por thjesht një kujtesë për ndryshim të shpejtë nga ekipi. Pas transfertës së Laçit, drejtuesit janë bindur se e keqja më e madhe nuk ka qenë te stafi teknik, por tek angazhimi i lojtarëve në fushën e lojës.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"