Ultimatum te Flamurtari, kërkohen tre fitore radhazi ose lojtarët do të gjobiten

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2017 | 15:03

Ultimatum te Flamurtari, kërkohen tre fitore radhazi ose lojtarët do të gjobiten

Nëntë pikë në tri ndeshje. Ky është kushti që Klubi i Futbollit Flamurtari u ka vendosur lojtarëve dhe stafit teknik. “Panorama Sport” zbulon se drejtuesit e klubit nuk do të tolerojnë asnjë rezultat tjetër përveç fitores në tri ndeshjet e radhës së kampionatit, dy prej të cilave në transfertë dhe një në shtëpi.

Flamurtari

Administratori Sinan Idrizi dhe zyrtarët e klubit janë shumë të qartë në atë që çfarë kërkojnë nga skuadra në tri javët në vijim. Duke nisur nga ndeshja me Vllazninë, e cila luhet në Shkodër në kuadër të javës së pestë të Superiores, duhet që ekipi të marrë tri pikë.

Ky është kushti që kanë vendosur drejtuesit për ekipin, që do të jetë në fuqi deri në javën e shtatë. Burime pranë drejtuesve të Flamurtarit bëjnë me dije se ky kusht është vendosur për shkak të barazimit me Luftëtarin dhe të lojës jo të mirë nga ana e ekipit. Për gazetën, drejtues të klubit thonë se duke parë oshilacionet e ekipit u vendos që të vihen kushte për javët në vazhdim.

MASAT

“Panorama Sport” zbulon se do të ketë masa nëse nuk arrihet objektivi i klubit, pra marrja e tri fitoreve rresht. Masat pritet që të jenë në formë gjobe. Burime pranë klubit bëjnë me dije se drejtuesit do të nisin që t’i vlerësojnë lojtarët edhe individualisht. Kjo do të thotë që edhe ndëshkimi nuk do të jetë si grup, por individualisht për çdo lojtar, në varësi të mënyrës se si ai paraqitet në fushën e lojës.

Klubi mund të tolerojë edhe një barazim në tri ndeshjet që do të luhen këtë javë dhe javën e ardhshme. Por duhet që patjetër dy ndeshje të dalin me 6 pikë. Ajo që do të ishte idealja për arritjen e kushtit të klubit janë 9 pikë në tri ndeshje dhe kësaj kërkese drejtuesit i shkojnë deri në fund.

PAGA

Si për të inkurajuar Flamurtarin për të marrë 9 pikë në tri ndeshje e përkatësisht me Vllazninë, Laçin dhe Kamzën, drejtuesit po mendojnë edhe për “xhepat” e lojtarëve. Në këto kushte, po mendohet që brenda kësaj jave futbollistëve t’u ndahet nga një pagë. Bëhet fjalë për pagën e muajit shtator, pasi rrogat e mëparshme janë shpërndarë, madje lojtarëve u është dhënë paradhënie edhe 30% e kontratës në momentin e firmosjes së kontratës.

Kjo gjë duket se ka sjellë një situatë të qetë në Vlorë sa i përket anës financiare dhe me financa të garantuara. Vetë drejtuesit konfirmojnë se këtë sezon është gjetur një tjetër zgjidhje për të mos u përsëritur me problemet e viteve të kaluara në këtë drejtim.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"