“Ultimatum” Piontekut, kontrata e Ibrës e largon nga kuqezinjtë. Polaku drejt huazimit te…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2019 | 11:56

“Ultimatum” Piontekut, kontrata e Ibrës e largon nga kuqezinjtë. Polaku drejt huazimit te…

Javët kalojnë, renditja nuk përmirësohet dhe kriza e golit po rritet te Milani. Ndër “të pandehurit”, kryesori është Kristof Piontek, megjithëse nuk është e drejtë që fajet të shkarkohen te 1/11-ta e skuadrës. Kuqezinjtë po mendojnë si ta shërojnë krizën e polakut dhe për të planifikohet një huazim te Xhenoa, siç bëhej disa sezone me parë me Suson, kur spanjolli vuante të gjente ritmin me fanellën kuqezi.

Piontek

Gjysmë sezoni në lagunë dhe numri 8 u rigjenerua. Për 24-vjeçarin ajri i bregdetit xhenovez mund të jetë shërim, aq më tepër që te kuqeblutë ai ka luajtur dhe ka habitur, duke “detyruar” Milanin që të paguante në janar 35 milionë euro për shërbimet e Piontekut. Pesë ndeshjet e mbetura deri në fund të vitit do të jenë një provim për “Pistolero”-n dhe në rast se ai nuk rikthehet te goli, mund të rikthehet te Xhenoa.

ECURIA LËNGON

Në janar mund të ndodhë gjithçka, sidomos nëse te kuqezinjtë zbarkon një “peshë e rëndë” si Zlatan Ibrahimoviç. Ecuria e Piontekut në sezonin aktual deri më sot ka zhgënjyer me 3 gola në 12 prezenca, teksa mesatarja realizuese është 1 rrjetë çdo 262 minuta. Ajo që e rëndon bilancin është fakti që 24-vjeçari dy nga 3 realizimet i ka arritur nga pika e bardhë, teksa mesatarja e tij e notës është 5.25, më e dobëta te Milani pas Davide Kalabrias me 5.22.

ecuria e piontekut

Mallkimi i fanellës nuk mund të provohet shkencërisht teksa faktet flasin qartë, me Piontekun që vuante me 4-3- 1-2-shin e Xhampaolos, por progreset nuk janë parë as me 4-3-3- shin e Piolit, një skemë në të cilën polaku shkëlqente sezonin e kaluar (si te Xhenoa ashtu edhe te Milani.) Rasti i humbur në ndeshjen kundër Juves është një provë shumë e lehtë për t’u përdorur kundër sulmuesit, por krahasimi me një vit më parë është njëkohësisht i pamëshirshëm.

Tri realizimeve të sivjetshme u kundërvihen 9 të një viti më parë, teksa edhe portën e “shihte” më shpesh, duke e goditur mbi 4 herë për ndeshje, ndërsa sot mezi e godet dy herë çdo 90 minuta. Vërtet që edhe minutat janë pakësuar, por shënjestra dhe golat vijojnë të jenë “plumba të lagur” në karikatorin e “Pistolero”-s.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"