Ultimatum për privatizimin e Flamurtarit, Sokol Kushta: Jemi shumë të vonuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2021 | 23:27

Ultimatum për privatizimin e Flamurtarit, Sokol Kushta: Jemi shumë të vonuar

Famurtari duhet që të privatizohet deri në muajin korrik. Më 25 janar të këtij viti, në Bashkinë e Vlorës ka mbërritur shkresa zyrtare nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, në kuadër të ligjit nr.105 të vitit 2020 për privatizimin e klubeve. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak të Vlorës, e zhvilluar në “Zoom” për shkak të pandemisë, sekretari Agron Gjipali ka njohur këshilltarët me këtë shkresë, duke thënë:

mbledhja e keshillit

“Ju bëj me dije se ka ardhur shkresa për Këshillin Bashkiak në datën 25 janar. I është drejtuar këshillit pasi pronat janë të Këshillit Bashkiak. Ne e dimë që Flamurtari është në pronësi të bashkisë 100%. Në vitin 2016 kemi marrë një vendim për vlerësimin e kapitalit. Çfarë duhet bërë tani?

Ligji ka dalë në korrik 2020 dhe përfundon në korrik 2021, pra një vit kohë ka. Administrata duhet që të zgjedhë vlerësuesin me tender. Duhet të jetë një ekspert të pavarur, të ketë edhe vëzhgues nga këshilli dhe administrata e bashkisë. Rolin e vlerësuesit mund ta marrë edhe vetë administrata e bashkisë, por të mos futet në këtë pjesë, pasi do të thonë ‘jo e bëri për ta marrë X apo Y’. Nga ana tjetër, vlerësuesi do të nxjerrë vlerën e klubit dhe investimet në infrastrukturë.

Kur është lidhur kontrata me Idrizin, kemi vlerësuar që të njihen investimet në infrastrukturën e stadiumit. Pra, nëse administratori do të japë ofertë, do t’i njihen investimet. Do të bëhet ankand për shitjen e kuotave. Është edhe përgjegjësia jonë që nuk e kemi ndjekur këtë çështje”, u shpreh Gjipali.

APELI I KUSHTËS

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak të Vlorës pati debate dhe diskutime për të ardhmen e Flamurtarit. Këshilltarët kanë pranuar se janë të vonuar në vendimmarrje dhe duhet të shpejtojnë për të kapur kohën. “Panorama Sport” zbardh të gjitha diskutimet e këshilltarëve. Legjenda e futbollit vlonjat, Sokol Kushta, në cilësinë edhe të anëtarit të bordit të Flamurtarit, tha se iku koha e fjalëve, por duhet vepra. Kushta tha se Flamurtari të dalë në shitje, pasi do të ketë shumë të interesuar. “Çfarë ka bërë bashkia për privatizimin e Flamurtarit?

SOKOL kUSHTA

Jemi me shumë vonesë. Me sa kuptoj, nuk është më koha për diskutime. Këta kanë lënë një afat deri në korrik. Është e detyruar që të bëhet privatizimi dhe ne mund ta hedhim në treg. Ka plot njerëz të mirë që e duan. Por, duhet të hidhet në treg, si Flamurtari dhe Orikumi. Është gjë pozitive që bashkia heq një konsumator nga vetja dhe lirohet. Po ashtu edhe Flamurtari ngrihet në vlerat e veta”, tha Kushta.

KRYEBASHKIAKU LELI

Dritan Leli shprehu gatishmërinë e tij për ta zgjidhur çështjen e privatizimit brenda afateve. “Ka interesim të madh, sa herë që përmendet Flamurtari. Ajo që do të këshilloja, është që të jemi në një zë për të marrë vendimet e duhura. Kemi vullnetin dhe dëshirën për të bërë më të mirën me qëllim që korriku ta gjejë të përfunduar atë që çdo vendimmarrje na detyron të bëjmë. Unë jam shumë i prirur që në çdo moment që këshilltarët bashkiakë, sidomos ata që vijnë nga sporti, siç është Kushta, të bëjnë konsulta me qëllim që çdo vendimmarrje jona të jetë në favor të ruajtjes dhe zhvillimit të emrit të madh të Flamurtarit.

kushta leli

Jam i disponueshëm në çdo moment për të qenë në takime të drejtpërdrejta, me të gjitha grupet e interesit që të bëjmë atë që duhet. Rendja që është edhe trendi i kohës për ta menaxhuar hapësirën në mënyrë private sjell impaktin e duhur në vazhdimësinë e investimeve dhe të rritjes së performancës së Flamurtarit. Duhet të marrim vendimmarrjet e duhura së bashku, me qëllim që historia të mos na gjykojë”, përfundojë Leli.

FUTBOLL FEMRA

Ka edhe një nismë për ngritjen e ekipit të femrave të Flamurtarit në futboll. Propozimi është bërë prej këshilltares Liljana Breshani, e cila shtoi se Sokol Kushta duhet të jetë edhe trajner.

“Duhet të fusin edhe sporte të tjera në Vlorë, pse jo, futbollin e femrave. Nuk duhet që të mbahemi vetëm me lavdinë e Flamurtarit të dikurshëm të meshkujve. Duhet edhe një ekip futbolli për femra. Jam e mendimit që Sokol Kushta të ndërtojë ekipin e femrave të Flamurtarit dhe të na japë ato emocione që na ka dhënë si futbollist”, tha Breshani.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"