Ultimatum në mbledhjen e Flamurtarit, “senatorët” pranojnë gabimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2018 | 12:12

Ultimatum në mbledhjen e Flamurtarit, “senatorët” pranojnë gabimet

Ultimatum për dy fitore radhazi ose ndëshkime financiare. Te Flamurtari nuk mund të përtypin tri humbjet radhazi, edhe pse për atë të fundit në Laç, duket se gjithçka i është faturuar arbitrit. Për një orë, drejtuesit zhvilluan dje një mbledhje me stafin teknik dhe lojtarët. Në mungesë të administratorit Sinan Idrizi, të pranishëm ishin edhe drejtuesit e klubit, Vangjel Laluci, Ardi Behari dhe Ardi Ciruna.

flamurtari laci

Mesazhet e kreut të klubit, Idrizi, i përcolli te lojtarët drejtori Behari. Ky i fundit mbajti fjalën hapëse të mbledhjes, ndërsa kërkoi kthesën e menjëhershme të skuadrës, duke filluar nga sfida e nesërme me Kamzën. “Jemi në një situatë jo të mirë. Tri humbje radhazi nuk janë të pranueshme për objektivat që kemi. Administratori është shumë i mërzitur nga këto rezultate, pasi edhe ju keni përgjegjësinë tuaj.

Na duhet që të bëjmë kthesën e menjëhershme. Pres reagim nga të gjithë ju”, është shprehur Behari para lojtarëve. Ndërkohë, “Panorama Sport” mëson se presidenca nuk do të tolerojë më humbje, teksa kërkon 6 pikë në dy ndeshjet e radhës ndaj Kamzës në shtëpi dhe Partizanit në transfertë. Nëse në këto dy ndeshje ekipi nuk do të marrë pikët e plota, atëherë pritet të ketë ndëshkime financiare.

TRAJNERI – Pas Beharit, fjalën e mori trajneri Shpëtim Duro. Kreu i pankinës vlonjate ka kërkuar nga lojtarët që të futen në ndeshje pa e pasur mendjen tek arbitrat. Nga ana tjetër, trajneri ka shprehur rezervat e tij për paraqitjen e skuadrës në ndeshjen me Laçin.

“Patjetër që të gjithë e pamë se çfarë ndodhi në Laç dhe si na masakroi arbitri. Por, ne në çdo ndeshje duhet të hyjmë me mendjen se arbitrat i kemi kundër dhe duhet të japim maksimumin tonë. Kanë ndikuar edhe mungesat që kemi pasur nga kartonët dhe dëmtimet, por nuk duhet të kapemi pas këtyre faktorëve.

Në ndeshjen e fundit, ne kemi bërë edhe gabimet tona. Kam rezerva për të gjithë, nga porta, mbrojtja, mesfusha dhe sulmi. Ka pasur gjëra që nuk kanë funksionuar dhe që duhet t’i rregullojmë menjëherë”, u shpreh Duro në mbledhje, teksa lojtarët kanë ndjekur më pas ndeshjen në Laç përmes videos për ta analizuar atë teknikisht.

PREMTIMI – Futbollistët kanë premtuar njëzëri kthesën që nga ndeshja e radhës me Kamzën. Kapiteni i Flamurtarit, Tomislav Bushiç, ka folur në emër të ekipit. Sulmuesi kroat pranoi se edhe skuadra ka gabuar, ndërsa theksoi se do të bëhet autokritika sa më shpejt. “Edhe ne kemi gabimet tona.

Nuk kemi dhënë më të mirën, por s’duhet të shikojmë faktorët e tjerë. Ta gjejmë te vetja fillimisht fajin. Na duhet reagim urgjent që të mos dalim nga objektivat. Ne kemi lojtarë shumë të mirë dhe unë në emër të tyre premtoj se do të ecin përpara dhe të shkojmë te rezultatet pozitive”, ka thënë ndër të tjera Bushiç para ekipit.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"