Ulje rrogash dhe largime, ja strategjia e Kukësit në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2017 | 17:24

Ulje rrogash dhe largime, ja strategjia e Kukësit në merkato

Kukësi preku fundin në humbjen me Lushnjën, por presidenti Gjici i besoi sërish trajnerit Milinkoviç, të paktën edhe për dy ndeshjet e radhës. Duke parë dhe humbjen e Skënderbeut ndaj Laçit, pritet që shumë shpejt të bëhet analiza për humbjen e rëndë ndaj Lushnjës dhe të vendosen objektivat për dy ndeshjet e radhës. Kukësi do të luajë ndaj Teutës në transfertë dhe kundër Luftëtarit në “Zeqir Ymeri”.

Kukesi

Nga këto dy ndeshje do të vendoset edhe për të ardhmen e shumë lojtarëve, por mbi të gjitha do të projektohet ekipi për dy fazat e ardhshme të kampionatit. Sigurisht që do të vendoset gjithashtu edhe fati i trajnerit Milinkoviç, i cili ka rezistuar më shumë se kushdo nga paraardhësit e tij. 22 pikë në 14 javë, Kukësi nuk i ka pasur asnjëherë më parë dhe kjo është situata më e dobët historike e verilindorëve. Ish-trajneri i verilindorëve, Troisi u shkarkua në javën e 12-të, kur Kukësi kishte 20 pikë të grumbulluara.

LOJTARËT- Përveç vendosjes së objektivave duket se gjatë këtyre ndeshjeve disa lojtarë do të jenë në provë (ata që janë në pikëpyetje), ndërsa të tjerë do të largohen nga skuadra. Lista nis me emra të mëdhenj si Alijev, i cili erdhi me statusin e goleadorit dhe si njeriu që do ta zëvendësonte siç duhej Pejiçin.

kukesi

Por, në fakt, ai nuk ka qenë brenda pritshmërive. Lista vijon me Ndriçim Shtubinën. Ish-kapiteni i Vllaznisë nuk pëlqehet nga trajneri, por edhe vetë lojtari e ka vendosur se do të largohet duke parë që nuk ka shumë hapësira. Shkodrani është një lojtar me mjaft eksperiencë dhe shumë ekipe në Superiore sigurisht që do të kërkonin ta kishin në gjirin e tyre.

Nëse Kukësi nuk rikuperon të paktën 3-4 pikë ndaj kreut, do të ketë ulje rroge edhe për lojtarët që do të qëndrojnë. Rrezikojnë futbollistë si Krkotiç dhe Alla, nga ata që konsiderohen si lojtarë me emër. Ndërsa nga ata që nuk luajnë janë Peposhi dhe Memini. Gjithçka mbetet për t’u parë në vijim, pasi do të jetë trajneri Milinkoviç, ai që do të bëjë “ligjin” për sa u përket largimeve dhe afrimeve.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"