Ulje page, ose duhet të largohet. “Zonja e Vjetër” ndihet e lodhur nga…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2020 | 20:10

Ulje page, ose duhet të largohet. “Zonja e Vjetër” ndihet e lodhur nga…

Për të karantina ishte edhe më e vështirë se për këdo tjetër, teksa pasi u burgos me detyrim nga klubi për 14 ditë me radhë, si rrjedhojë e frikës së pandemisë, me të marrë përgjigjen negative ndaj tamponit, ai fluturoi menjëherë drejt Argjentinës, pasi e ëma, e sëmurë me tumor prej tri vitesh, ishte në gjendje kritike. Por, ndërsa e gjithë familja Higuain qëndron e bashkuar në vendlindje, derisa ajo të shohë gjendjen e saj shëndetësore të stabilizohet, me t’u kthyer në Torino, për Gonzalon do të vijë momenti që të vlerësojë aktet e një tjetër zgjedhje të vështirë dhe të rëndësishme për të ardhmen e tij.

Higuain

Për 32-vjeçarin që e nisi mjaft mirë sezonin me Juventusin, bashkëjetesa e tij mes Kristiano Ronaldos dhe Paulo Dibalës nisi që të bëhej gjithnmonë më e vështirë, pasi CR7 dhe numri 10 kanë treguar një formë fenomenale dhe për rangjet drejtuese bardhezi prezenca e “Pipitas” është e tepërt në pritje të sezonit të ardhshëm. Gjithsesi, pasi vetë Higuain kërkoi me ngulm që të qëndronte në Torino, duke parë edhe besimin dhe dashurinë që vazhdon të ndjejë nga tifozeria dhe trajneri Sarri, klubi nuk është se i ka treguar derën me çdo kusht, por në tavolinë janë disa opsione të vështira për t’u marrë parasysh.

Demiral-Higuain

“Gazzetta dello Sport” nënvizon se Juventusi do të ishte i lumtur që ta shiste, për të arkëtuar disa miliona euro nga futbollisti amerikano-jugor, por paga prej 7.5 milionë eurosh neto që Gonzalo përfiton peshon shumë në bilanc, prandaj Juventusi i ka ofruar një tjetër opsion lojtarit: të rinovojë kontratën që skadon në verën e vitit 2021, por me ulje të ndjeshme të pagës, deri në 4 milionë euro. Kjo do të thotë që “Pipita”, për të vazhduar në Torino, duhet të heqë dorë thuajse nga gjysma e rrogës së tij dhe të qëndrojë për 1 ose 2 vite më shumë në radhët e “Zonjës së Vjetër”. Përndryshe bën mirë që të mendojë për një skuadër tjetër, pasi rrezikohet që edhe vitin e fundit të kontratës ta kalojë me pikatore në fushë.

Shkurt, Juventusi e ka vënë me shpatulla pas murit argjentinasin, për të cilin në orët e fundit kanë nisur të qarkullojnë edhe zëra për një interesim nga Amerika, një mundësi për të luajtur përkrah vëllait të tij Federiko (fantasist), në radhët e DC Junajtid.

JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"