Uli në stol Mesin, kërcënohet Poçetino/ Trajneri: I marr unë vendimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2021 | 23:38

Uli në stol Mesin, kërcënohet Poçetino/ Trajneri: I marr unë vendimet

Lionel Mesi nuk e priste që ta niste kështu aventurën e tij në Paris, madje ndoshta po has jo vetëm vështirësi në ambientim, por sikur të mos mungonte kjo duhet ta vuajë edhe faktin që nga ana tjetër, presioni mbi të po bëhet edhe më i madh duke parë startin e çmendur të rivalit të tij të përjetshëm, Kristiano Ronaldo, me Mançester Junajtidin.

Messi-Pochettino

Nëse CR7 mes kampionatit dhe Ligës së Kampioneve numëron 4 gola në 3 prezenca, për “Pleshtin” argjentinas të vetmet shifra janë dy traversa të goditura (një me Bryzhin dhe një me Lionin) dhe një karton i verdhë në Champions.

POÇETINO MBROHET

Por sikur të mos mjaftonte aspak kjo, ndërmjet Mesit dhe rrugës së tij për të rigjetur shkëlqimin në fushë me skuadrën e re dhe vazhdimësinë në lojë është futur papritur ai që duhej të ishte aleati më i madh, Mauricio Poçetino. Trajneri i PSG-së ka tërbuar 34-vjeçarin të dielën në mbrëmje, teksa në ndeshjen kundër Lionit, kur rezultati ishte në barazim 1-1, ai vendos që ta thërrasë në stol “Pleshtin” në minutën e 76-të (u zëvendësua nga Hakimi) dhe fantazisti përpara syve të të pranishmëve në stadium dhe pa dyshim të të gjithë botës, ia la “thatë” dorën e zgjatur Poçetinos.

E gjithë kjo nuk kishte se si të mos bënte bujë dhe shumë zhurmë, ndonëse ky gjest i tij u duk sikur doli kundër Mesit duke parë se në minutën e 93-të, Mauro Ikardi shënoi golin e fitores për PSG-në, duke eklipsuar “Pleshtin” për atë që kishte shfaqur deri në atë moment në fushën e lojës. Dhe pas këtij gjesti, ai që kërkoi të mbrohej ishte edhe vetë Poçetino, i cili më kot provoi që ta ulë disi rëndësinë e kësaj ngjarjeje:

“Unë kam 35 lojtarë në dispozicion dhe në çdo ndeshje bëhen zgjedhje të veçanta e të ndryshme për të formuar pikësëpari një 11-she titullarë dhe më pas të mendoj që të arrij atë për të cilën paguhem, rezultatet. Pa dyshim që në këtë profesion ka edhe vendime që në fund sjellin ndryshime pozitive, herë të tjera jo. Dhe ai që rri në këmbë anës fushës, ai që merr vendime, të pëlqyeshme ose jo, jam unë. Për sa i përket reagimit të Leos, unë i kisha kërkuar se si ishte dhe ai mu përgjigj se ishte mirë. Besoj se kaq mjafton nga ana ime”, u shpreh Poçetino, ndonëse tashmë polemika ka marrë dhenë.

KËRCËNIMI

Gjithsesi, nëse Poçetinos zgjedhja për të ulur Mesin dhe të tjerë në stol e duke hedhur në fushë Hakimin e Ikardin i dha të drejtë, sërish në familjen mbretërore të Katarit, AlThani, e cila është edhe padronia e PSG-së nuk ka munguar së reaguari, më saktë së kërcënuari trajnerin argjentinas. Protagonist ishte 84-vjeçari Khalifa Bin Hamad Al Thani, babai i emirit të vendit, i cili duket qartë se është një tifoz i madh i Lionel Mesit. Dhe dy postimet e tij ishin vërtet domethënëse:

“Timonieri i trenit tonë paska një patentë të vogël taksie” ishte shfryrja e parë, ndërsa më pas duket se i tregoi edhe mundësinë e shkarkimit, pse jo për t’u rikthyer andej nga erdhi: “Jam i sigurt që e di se Londra është një qytet shumë i bukur”. Një paralajmërim i qartë, nëse Poçetino e largon edhe njëherë tjetër Mesin nga fusha e lojës, aq më shumë kur skuadra luan në shtëpi përpara tifozëve të PSG-së.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"